Psikoza se shqiptarët preken nga HIV/AIDS pasi emigrantët dhe udhëtarët e importojnë atë gjatë qëndrimit apo udhëtimit nuk qëndron më. Një tjetër fakt që është bërë publik dje në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër HIV/AIDS është edhe shtimi i rasteve të femrave të prekura nga sëmundja e shekullit. Ndërsa sensibilizimi për përdoren e prezervativit, dhe marrëdhënieve seksuale të mbrojtura nuk del asnjëherë nga "moda".



Lajmi më i mirë që është publikuar dje nga përfaqësuesit e qeverisë është programi i ri që pritet të futet në shkollat 9-vjeçare. Kjo në mënyrë për të mos përsëritur më asnjëherë diskriminimin e fëmijëve të prekur në ambientet shkollore.



Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në kuadër të luftës kundër sëmundjes së HIV/AIDS, kanë hartuar një rregullore të re të shërbimit shëndetësor në sistemin parashkollor dhe shkollor, që ofron zgjidhje të përshtatshme për ndjekjen dhe trajtimin e nxënësve të prekur nga kjo sëmundje. Hartimi i standardeve normative për institucionet arsimore që kanë pranë tyre nxënës me sëmundjen e HIV/AIDS, janë shtojcë e dispozitave normative ekzistuese përmes këtij udhëzimi të veçantë. Të dhënat e konfirmuara nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se 12 nga 17 fëmijët e prekur nga sëmundja e HIV/AIDS, e transmetuar që në lindje prej nënave, janë në moshë shkollore. Dje në ditën kundër luftës ndaj HIV/AIDS ministrja e Shëndetësisë u ndal te miratimi i ligjit të ri, këtë vit nga Kuvendi i Shqipërisë, si dhe në rishikimin e Strategjisë Kombëtare 2008-2014, kundër sëmundje së shekullit. "Ministria e Shëndetësisë e sheh hartimin e këtij ligji dhe rishikimin e strategjisë vetëm si fillimin e një procesi, që po shoqërohet me masa të tjera shumëplanëshe dhe politika të caktuara, të cilat përfshijnë angazhimin e strukturave vendimmarrëse dhe të gjitha nivelet shoqërore qeveritare dhe joqeveritare", theksoi ministrja e Shëndetësisë. Sipas saj, janë ngritur dhe po fuqizohen më tej Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar Konfidencial, si porta e parë e parandalimit dhe kujdesit pothuaj në të gjitha prefekturat e vendit, duke bërë të mundur ofrimin e shërbimeve të testimit dhe këshillimit për HIV dhe infeksioneve të tjera, që transmetohen me rrugë seksuale.



Brenda më pak se një viti janë raportuar plot 35 të infektuar me HIV/AIDS. Sot, në ditën ndërkombëtare të luftës kundër sëmundjes së shekullit, një sërë aktivitetesh do të mbahen nga përfaqësuesit e shëndetësisë, OJF në kuadër të parandalimit nga kjo sëmundje. Sipas shifrave, shumica e të prekurve janë infektuar nga kontakti seksual, marrëdhëniet e pambrojtura, një pjesë është transmetuar nga nëna te fëmija. Nuk mbeten të veçuara rastet e kalimit të sëmundjes nga transfuzioni i gjakut. Problemet e kategorisë së pacientëve me HIV/AIDS asnjëherë nuk i kanë mbaruar problemet, një herë ilaçet e munguara, më pas reagentët e vonuar. Ilaçe të pazhdoganuara që kanë lënë pacientët në radhën e pritjes, receta, udhëtime, shpenzime shtesë në kurriz të të sëmurëve që i shtojnë më tepër shqetësimet e tyre.



Rimbursimi





Më shumë se 100 persona



trajtohen me ilaçe falas







100% e personave që jetojnë me HIV/AIDS në nevojë për trajtim me antiretroviral marrin mjekimin e nevojshëm. Janë 98 të rritur dhe 12 fëmijë që trajtohen aktualisht me ARV, trajtim i cili jepet falas qysh prej vitit 2004 nga shteti.



"Vazhdon bashkëpunimi i suksesshëm me fondin global në luftën kundër HIV/AIDS, tuberkulozit dhe malaries, ku ky fond është një mekanizëm financiar i rëndësishëm për të mbështetur politikat programet dhe aktivitete në fushën e HIV/AIDS.



"Të gjithë së bashku duhet të solidarizohemi për trajtimin dhe kujdesin e personave që jetojnë me HIV/AIDS, duke qëndruar larg stigmës dhe diskriminimit. Sot, më 1 dhjetor, në ditën botërore kundër HIV/AIDS është momenti që të reflektojmë dhe të kujtojmë ata që kanë humbur jetën dhe ata persona që jetojnë me këtë sëmundje", tha dje ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo.