INTERVISTË/ FLET KANTAUTORI REDON MAKASHI


Petrika GROSI

Nëse kur flitet për ndarjen e Redon Makashit me Elton Dedën, natyrshëm shumëkush do të çonte në mendje grupin e dikurshëm “Musketierët” dhe largimin e Dedës në Amerikë, përsa i përket “qepës” nuk duhen krijuar ide të gabuara. Bëhet fjalë për kolegun dhe shokun e Redit, Bledar Sejkon. Kantautori Makashi është personazhi i radhës në faqet e suplementit “Albania Weekend”. Në fakt, intervista zbulon plot të reja interesante mbi Makashin: e djeshmja, e sotmja, e nesërmja; mendimet, planet, kujtimet, miqtë dhe dashuritë e tij.



Me çfarë po merret aktualisht Red Makashi?

Jam duke incizuar një këngë të re, e cila shumë shpejt do të dalë. Madje, menjëherë pasi të mbarojmë intervistën, do të kthehem në studio për të punuar me këngën. Tema e këngës për herë të parë nuk është dashuria, por diçka më aktuale. Për çudinë time arrita të frymëzohem nga gjëra të tjera, të cilat, pak a shumë, na ngacmojnë të gjithë në realitetin ku jetojmë dhe unë i ndiej të drejta e të padrejta.



Një dalje nga tema e dashurisë pas kaq vitesh... Siç thatë, edhe vetë ju çuditeni kur e mendoni. Si duhet ta kuptojmë ne?

Unë jetoj diku në Tiranën e Re. Nga të gjitha ndërtimet që janë bërë, shtëpia ime duket sikur është zhdukur, ka humbur në errësirë. Janë prishur edhe disa shtëpi të tjera, mes të cilave edhe një shtëpi ku dikur unë kam njohur një vajzë... Çdo kujtim në lagjen time u shemb. Gjithçka ndryshoi. Dhe unë kur kthehem në shtëpi ndiej një trishtim sepse më duket sikur nuk jam në lagjen time.



Ndërsa jemi ulur këtu, pikërisht në vendin që dikur ka qenë lokali “Musketierët”, ku ju këndonit përnatë, çfarë kujtimesh ju vijnë?

Tani lokali është kthyer në ruletën “Rozafa” dhe unë këtu i lë gjithmonë takimet me shokët. Këtë e bëj për arsye se pikërisht në këtë banak, miku ynë, Gjergj Luca, ende ka lënë kujtimet tona dhe tabelën që shkruan “Rock-caffe Mousqetiers”. Pavarësisht se nuk luaj në këto lojëra, vij në këtë banak dhe pi një kafe me të tjerët.



Mendoni ndonjëherë për rikthimin e një eksperience të tillë?

Absolutisht jo. Ne patëm një përvojë të hidhur. Gjërat nuk ecën ashtu siç i parashikuam. Ndryshe nga muzika, në biznes është tepër e vështirë të bashkëpunosh me shumë ortakë.



Pra, nuk arritët të bënit një manaxhim të mirë?

Edhe kjo qëndron, por arsyet janë të ndryshme. E para, Elton Deda iku në Amerikë, por edhe gjëra të tjera, të cilat nuk ka rëndësi t’i themi. Po të marrim anën pozitive të të gjithë kësaj, fitova një eksperiencë dhe kam kujtime të bukura, por ishte një gjë që nuk mund të vazhdonte më tej... Këtu dua të shtoj se që nga ajo kohë e kam prerë jetën e natës, muzikën në lokale (me përjashtim të rasteve të rralla). Nuk dal më të punoj në lokale nate. Është tepër e lodhshme dhe një gjë e tillë më prish ekuilibrin e krijimtarisë, siç ka ndodhur edhe në kohën kur kishim “Mousqetiers”. Pastaj, nuk e quaj veten këngëtar pabesh, por kantautor profesionist.



Pra, ata që këndojnë nëpër lokale e pabe janë fillestarë?

Nuk paragjykoj asnjeri. Secili ka profilin e vet. P.sh., mua më pëlqen të shkoj diku dhe të dëgjoj muzikë nga miqtë e mi. Por, që ta bëj këtë gjë vetë, nuk më tërheq dhe më dëmton në krijimtari.



Çfarë kujton sot Redoni nga fillimet e viteve ’90?

Më bëhet shpesh kjo pyetje dhe unë i përgjigjem me dëshirë. Kanë qenë kohë pak të vështira, por të bukura dhe me shumë miqësi. Ishte kohë sinqeriteti. Vitet ’90 për mua janë të veçanta, sepse ishim dhe një nga grupet e para në Shqipëri që thyem akullin bashkë me Bledar Sejkon. Shumë nga grupet që dolën në ato vite u rrëzuan brenda një viti, ndërsa ato tonat, të Sejkos dhe të Dedës, vazhduan me uljet dhe ngritjet e tyre.



Si erdhët te krijimi i “Musketierëve”?

Kur grupet tona nuk funksionuan më, tre solistët e grupeve të ndryshme vendosëm të bashkëpunonim. Bashkëpunimi me Tonin dhe Sandrin qe fare spontan dhe filloi me një këngë “Të pranoj si je”, me të cilën u paraqitëm në Festival. Pastaj menduam që të krijonim këtë pab, i cili ndonëse pati jetë të shkurtër krijoi një emër shumë të mirë. Eltoni iku në Amerikë dhe u shkëput një hallkë nga zinxhiri. Tani që flasim kam me Sandrin projekt për një duet. Kemi një grup tonin, si të thuash, por njerëzit janë të preokupuar secili me punët e veta. E pamë që është tepër e vështirë të krijosh dhe të mbash një grup në ditët e sotme, kështu që vendosëm të vazhdojmë si solistë veç e veç.



Festivali i RTVSH-së ju promovoi, ndërkohë që po i njëjti festival ju ka mbushur me zhgënjime...

Eh, festivali është histori më vete. Ka pasur anët e mira dhe të këqija, trofetë dhe zhgënjimet e tij. Më shumë, ky festival ka qenë për mua si një pikënisje, pasi atëherë nuk kishte aktivitete e mundësi të tjera për t’u promovuar. Pastaj, me ndryshimin e kohës, ndryshojnë shumë gjëra: njerëzit, idetë, festivalet... Nuk më pëlqen më që të përballem me festivalin dhe as me intrigat e tij. Sepse, po e bëra një gjë të tillë, e di mirë që do të prish miqësinë të paktën me nja dhjetë veta. Kam vendosur më mirë të jem i tërhequr dhe të bëj muzikën time duke dalë me albume e videoklipe. Festivalin ua lë atyre që kanë nevojë për promovim.



Për të dytin vit radhazi dhe të disatën herë, Festivalin e Këngës në RTVSH e fiton një “etheiste”, e cila nga mosha është shumë e re. A ju duket zgjidhje e denjë për t’u përfaqësuar në Eurosong?

Shpresoj dhe ma ka qejfi, si çdo shqiptar, që këtë herë të fitojmë diçka dhe të mos paraqitemi në vendet e fundit. Por meqë po flasim për Festivalin Europian, për vete ky aktivitet nuk më pëlqen fare. Dikur “Eurosong” ka qenë një eveniment i madh muzikor, ndërsa sot një garë gjeo-politike. Po ta vësh re, aty nuk shikon më as anglezët, as italianët, as francezët. Janë tërhequr të gjithë dhe ka mbetur vetëm Ballkani. Por edhe nga ata që marrin pjesë nuk kam parë ndonjë këngëtar me emër. Dikur në atë festival merrte pjesë Toto Kotunjo apo dhe emra të tjerë...

Ky festival ishte dikur shumë i fuqishëm, por sot është fakt që prej tij nuk të mbetet asgjë në mendje.



Gjithsesi, është një festival ndërkombëtar që mund të sillte një afirmim të mirë të muzikës dhe vlerave shqiptare. A nuk do të ishte më mirë të përfaqësoheshim në të nga këngëtarë të pjekur?

Nuk kam asgjë kundër interpretuesve të rinj. Madje, më pëlqejnë përfaqësueset tona. Fundja, gjëja më pozitive që shikoj në këtë mes është mundësia që u japim këtyre të rinjve të talentuar për ta prekur skenën reale dhe për të kënduar “live” para publikut.



Redoni shkon në shtëpi, ndez televizorin dhe shikon në kanalet televizive shqiptare që gjithkush këndon, për të mos thënë se “kushdo është bërë këngëtar”. Si ndihesh?

Nuk dua të komentoj pasi është diçka e prekshme nga të gjithë. Kur hap televizorin dhe nuk gjej as veten dhe as muzikën që unë dua, thjesht ndërroj kanalin. Nuk e di se kur do të dalë ndokush që të bëjë një televizion muzikor jo vetëm për pleqtë apo për kalamajtë... Të mos harrojmë se është një brez i tërë që jam i bindur se e mendon si unë dhe nuk e gjen veten në muzikën që japin kanalet shqiptare.



Çfarë ju shqetëson më tepër sot në tregun muzikor?

Zbatimi me seriozitet i ligjit të së drejtës së autorit. Kjo gjë besoj se do të rregullonte shumë probleme të tjera. Mjaft këngë vazhdojnë ende që të vidhen. Ato kopjohen dhe dalin sipas qejfit. Dikur ky fenomen ndodhte me këngët popullore, ndërsa sot nuk mungojnë rastet në muzikën e lehtë. Nuk është se kjo gjë ndodh vetëm në Shqipëri, por mendoj që tek ne, në këtë mes, faj kanë edhe shtëpitë diskografike. Ato mjaftohen me imazhin e një vajze apo djali të bukur dhe me paratë që marrin, pa pyetur për autorësinë dhe vlerat e këngës. Megjithatë, e shoh pak të vështirë zgjidhjen e këtij problemi, sepse jetojmë në demokraci; tregu është i hapur dhe këto gjëra nuk i ndalon dot me ligj. Jo pa qëllim thashë se kam nostalgji për vitet ’90. Ishte kohë vërtet e vështirë, por e donim me gjithë shpirt muzikën. Nëse sot të gjithë punojnë për lekë, atëherë nuk kemi pasur vetëm pasionin. Madje kemi punuar edhe me vegla borxh.



Le të rikthehemi në ato vite. Kujt ia keni marrë kitarën e parë?

Kitarën e parë ia mora “qepës”. Ai kishte dy dhe njërën ma dha mua. Nga “qepa” e kam mësuar kitarën, por nuk mund të quhem kitarist.



Redi, më fal, kush është “qepa”?

(Qesh) Bledar Sejko, pse nuk e dinit?!



Pra, ishim te koha kur merrnit veglat borxh.

Ndonjëherë i merrja kitarën borxh Françesk Radit. Nga qejfi harroja dhe kitarën, që e merrja për një ditë, ia ktheja pas një jave. Bateristi nga Elbasani, që e kisha shok, i merrte trompën borxh një të njohurit të tij dhe e linte ndonjëherë të shkretin pa dalë nëpër dasma. Ose kur bënim prova u binim disa karrigeve në vend të baterisë. Kur ndonjë i ri dëgjon sot këto që them unë, mund të shkrihet së qeshuri dhe t’i tingëllojnë si gjëra të çuditshme, por kështu ishte ajo kohë.



Sandri ka mbetur shoku juaj i vetëm nga ajo kohë?

Miqtë dhe shokët e mi të fëmijërisë kanë ikur të gjithë jashtë shtetit. Shokët e artit janë të angazhuar me jetën dhe impenjimet e përditshme. Kurse me Sandrin kemi mbetur pranë. Diskutojmë shpesh për muzikën dhe probleme të tjera, shkojmë në koncerte bashkë...



Një moment i vështirë në jetën tuaj?

Momente të vështira për të gjithë janë kohët që po kalojmë. Kriza ekonomike, kriza që ndiejmë ne te muzika. Pavarësisht se kemi vlerësimin e publikut, të fansave, problemet me tregun, piraterinë, festivalet etj., ne kemi shumë punë, shumë krijimtari dhe pak fitime. Çdo krizë e shtetit dhe e shoqërisë rëndon direkt edhe mbi kurrizin tonë.



Abuzojnë shtëpitë diskografike me ju?

Ato abuzojnë me muzikën kryesisht, jo me mua. Muzika që ata tregtojnë ka prishur komplet shijet e një mase të madhe të publikut. Ata e konkurrojnë mallin e vet në treg duke marrë ndonjë vajzë apo djalë të bukur dhe jo duke ofruar art. Problemi është keqedukimi i publikut me këtë lloj muzike. Ne thamë se ishte një moment kalimtar, por duket se nuk po i vjen ndonjëherë fundi kësaj pune.



Kalojmë te familja.

Dy prindërit e mi janë bërë amerikanë. Unë jam ende shqiptar, por ndoshta së shpejti do të bëhem edhe unë amerikan.



Po thua se do ta braktisësh nënshtetësinë shqiptare?

Do t’i mbaj të dyja. Nuk ka arsye pse ta lë nënshtetësinë shqiptare. Kam qenë në Amerikë, por më pëlqen të jetoj në Shqipëri me thënë të drejtën. E dua këtë vend me gjithë pluhurin, paradokset dhe problemet e mëdha që ka.



Nuk ka bërë ndonjë ftesë Eltoni për bashkëpunim në Amerikë?

Toni ka humbur fare, mor burrë. Është harruar aty. Gjithë këto kohë as një telefon nuk ka bërë. Kemi një projekt bashkë me Tonin dhe Sandrin për një koncert në Kanada, por nuk është folur as për të.



Më shumë flitet për bjonde, e ndonjëherë edhe për brune... Ç’po ndodh realisht me ndjenjat e Redonit?

Kjo është një çështje që ndoshta duhet t’ia lëmë intervistës tjetër. (Qesh) Është abuzuar shumë me këtë temë saqë nuk dua ta lodhim lexuesin. Mendoj se më tepër më përket mua si një çështje personale, të cilën kur të vijë koha do ta bëj publike.



Ndoshta dikush nga publiku mund të mendojë se kjo është një dobësi, apo problem që ju keni?

Jo, jo. Absolutisht. Nuk është problem, as dobësi... por egoizëm. (Qesh)















24 Janar 2009