Nis përgatitja e dokumentit të politikave, dy muaj afat për propozimet e institucioneve


PensionetNë fund të muajit mars do të paraqitet drafti i parë i reformës së pensioneve në Shqipëri. Sipas afateve të vendosura nga Kryeministri Edi Rama, me ngritjen e grupit ndërministror të punës, të gjitha institucionet e përfshira në këtë reformë, deri në mesin e muajit mars, duhet të kenë dorëzuar të dhënat konkrete dhe projektet e hartuara sipas afateve të përcaktuara në platformën e studimit, për të vijuar më pas diskutimet me grupet e interesit. Kështu, pasi të jetë hartuar dokumenti i politikave, në datën 31 mars është parashikuar që të zhvillohet një tryezë pune me të gjitha grupet e interesit, të cilëve do tu paraqitet ky dokument, në mënyrë që palët të japin edhe mendimet e tyre lidhur me reformën. Në këtë tryezë është parashikuar që të paraqiten edhe propozimet konkrete për mënyrën se si parashikohet të jetë skema e re e pensioneve në vendin tonë. Pas përcaktimit të piketave në këtë dokument politik do të fillojë ndryshimi i legjislacionit, sepse brenda skemës së sigurimeve shoqërore ekzistojnë edhe 16 miniskema të tjera, të cilat kanë ligje të veçanta. Duke pasur parasysh shtrirjen në kohë që kanë reformat në fushën e pensioneve, parashikohet që skema e re e pensioneve të ketë një kohëzgjatje deri në vitin 2080. Paraprakisht, mësohet se me skemën e re parashikohet që sigurimet të jenë të përshkallëzuara dhe pensioni të përllogaritet me një formulë që bazohet në masën e kontributeve të derdhura. Sipas kësaj skeme, parashikohet vendosja e një pensioni minimal që do të garantojë një minimum jetik për të gjithë të moshuarit, të cilët kanë kontribuuar në skemë. Më pas, mbi këtë pension bazë do të vendoset një pension sipas kontributeve që do të paguhen pa tavan, ndryshe nga skema aktuale që kufizohet nga paga maksimale prej 96 mijë lekësh. Pra, parashikimi është që të aplikohen dy shtylla, të cilat do ta bëjnë më tërheqëse skemën e pensioneve, duke i bërë qytetarët të interesuar për të deklaruar pagën reale, si dhe duke sjellë shtimin e numrit të kontribuuesve. Megjithatë, skema e re nuk do të prekë personat që janë mbi 40 vjeç, por ata nën këtë moshë. Kjo do të thotë se pensionistët aktualë nuk preken nga ndryshimet, por do të vazhdojnë të marrin përfitimet e tyre të përcaktuara sipas ligjit aktual. Megjithatë, sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale mësohet se për personat mbi 40 vjeç janë duke u diskutuar dy variante, ku i pari tu japë mundësinë që të vazhdojnë me skemën e vjetër, ose varianti i dytë që të përfshihen në skemën e re. Nga ana tjetër, reforma e re pritet që të prekë edhe pensionet suplementare, duke i cilësuar si një rëndesë e shtuar në fondet e buxhetit të shtetit, ku Ministria e Financave, për të eliminuar deficitin që rrjedh prej këtyre pensioneve, ka vendosur që të bllokojë zgjerimin e kategorisë së institucioneve shtetërore që duan të përfshihen në marrjen e trajtimeve suplementare.


Ky shkrim Reforma e pensioneve, në fund të marsit u publikua me pare te Gazeta SHQIP.