Autori i Lajmit: Entela DurajSemestri i dytë në sistemin arsimor parauniversitar pritet të shoqërohet me shkurtime nga puna të mësuesve. Sipas burimeve jozyrtare, reforma do të shoqërohet me largimin nga puna të 70 deri në 100 mësuesve për çdo rreth të vendit. Këto largime të arsimtarëve do të justifikohen me një udhëzim të ri, i cili ndryshon normën mësimore të punës së çdo mësuesi. Për më tepër klasat që janë me pak nxënës do të bashkohen në një të vetme duke nxjerrë kësisoj të panevojshëm mësues të caktuar për shkolla të caktuara. Sipas udhëzimit të ri, ky ndryshim konsiston në uljen e ngarkesës mësimore në javë, për ata mësues të cilët kanë edhe angazhime të tjera si drejtues apo funksione të tjera shtesë. Ngarkesa mësimore është vendosur edhe në bazë të numrit të nxënësve, në klasat ku këta mësues japin mësim. Mësuesve që, për shkak të programit mësimor japin orë mësimore mbi normën e miratuar, u paguhen orët mbi normë, deri në 240 orë mësimore në vit. Për arsimin parashkollor, udhëzimi përcakton se grupet formohen me jo më pak se 25 fëmijë. Në fshat lejohet hapja e grupeve edhe me 15 fëmijë. Ndërsa, në zona të thella ku nuk sigurohet numri i fëmijëve, sipas normativave të reja, grupi mund të hapet edhe me 10 fëmijë. Në arsimin bazë, cikli fillor, klasat formohen me jo më pak se 32 nxënës, në shkollat e fshatit, kur nuk plotësohet normativa e mësipërme do të punohet me klasa kolektive, në rast se nuk sigurohet përqendrimi i shkollave. Klasat kolektive punojnë me sistem 6-orësh. Në arsimin bazë, cikli i lartë, klasat formohen me jo më pak se 32 nxënës. Kur numri i nxënësve në dy ose më shumë klasa të ndryshme është deri në 25 nxënës, atëherë hapen klasat kolektive, të cilat punojnë me sistem 6-orësh. Në arsimin e mesëm, në klasat X, XI, XII, formimi i klasës bëhet me jo më pak se 35 nxënës. Kur nuk realizohet numri i kërkuar i nxënësve sipas kërkesave të mësipërme, klasat hapen me propozim të Drejtorisë Arsimore dhe me miratim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Po sipas udhëzimit të ri thuhet se mësuesve që drejtojnë bibliotekën nëpër shkolla, u ulet norma mësimore 3 orë në javë. Mësuesit e shkollave të mesme profesionale që ngarkohen me drejtimin e bazave prodhuese të mëdha (përgjegjës i bazës prodhuese), kanë gjysmën e orëve mësimore. Kryetarit të sindikatës së arsimit në një rreth, që ka numër më të madh anëtarësh, ti ulet norma 8 deri në 10 orë në javë. Në rastet kur sindikata ka më shumë se 1000 anëtarë, mund të punojë edhe një anëtar i kryesisë së sindikatës së rrethit me 6-8 orë mësimore në javë, më pak. Në shkollat e mesme veterinare, mjekëve veterinerë që drejtojnë sektorë në klinikën veterinare pranë shkollës, u ulet ngarkesa me 4 orë javore. Mësuesit të shkollës 9-vjeçare, që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma sipas numrit të nxënësve. Në shkollat deri në 300 nxënës, ata mësuesit përfitojnë 4 orë më pak, ndërsa në shkollat me 30-700 nxënës, 6 orë më pak. Mësuesi i shkollës 9-vjeçare me mbi 700 nxënës, që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma mësimore 8 orë ose mund të ketë një sekretare pa ngarkesë. Në ciklin e ulët të shkollës 9-vjeçare, të llogaritet për çdo klasë, një mësues. Në ciklin e ulët, për efekt pagese, orët suplementare, në klasat kolektive do të llogariten mbi ngarkesën javore, 24 orë, kur klasa kolektive ka mbi 10 nxënës, dhe mbi ngarkesën javore 26 orë, kur klasa kolektive ka nën 10 nxënës. Në ciklin e lartë, ora suplementare për mësuesit e klasave kolektive, llogaritet mbi ngarkesën javore 22 orë (sipas normës mësimore javore të përcaktuar). Drejtorit të shkollës që zhvillon mësim në ciklin e lartë me klasat kolektive, orët suplementare, i llogariten mbi ngarkesën javore 14 orë, dhe jo më shume se tri orë suplementare në javë. Për plotësimin e normës mësimore, mësuesi i shkollës 9-vjeçare ngarkohet edhe me orë mësimore jashtë profilit, pa cenuar cilësinë e procesit mësimor dhe kompetencën profesionale.

Normat mësimore:
ARSIMI PARASHKOLLOR
Drejtore kopshti 15-24 orë në javë
Edukatore kopshti 36 orë në javë
ARSIMI BAZE
Norma mësimore, mësues në ciklin fillor:
Klasa I 23 orë në javë
Klasa II 23 orë në javë
Klasa III 25 orë në javë
Klasa IV 26 orë në javë
Klasa V 26 orë në javë
Norma mësimore, mësues në ciklin e lartë :
Mësues i gjuhës shqipe 22 orë në javë
Mësues i matematikës, fizikës dhe biokimisë 22 orë në javë
Mësues i lëndëve të tjera 24 orë në javë
Mësues në institutet e fëmijëve 22 orë në javë
Norma mësimore për drejtuesit në arsimin bazë:
Drejtori i shkollës me 50-300 nxënës 12 orë në javë
Drejtori i shkollës me 301-700 nxënës 8 orë në javë
Zv.drejtori i shkollës me 301-700 nxënës 10 orë në javë
Drejtori i shkollës me mbi 700 nxënës 6 orë në javë
Zv.drejtori i shkollës me mbi 700 nxënës 10 orë në javë
Norma mësimore e kontrollit:
Drejtori i shkollës 4 orë në javë
Zv.drejtori i shkollës 6 orë në javë
Norma mësimore e shkollave të minoritetit
ARSIMI I MESEM
Mësuesi 22 orë në javë
Mësuesi i praktikave profesionale 33 orë në javë
Norma mësimore për drejtuesit
Drejtori i shkollës me 50-300 nxënës 12 orë në javë
Drejtori i shkollës me 301-700 nxënës 8 orë në javë
Zv.drejtori i shkollës me 301-700 nxënës 10 orë në javë
Drejtori i shkollës me mbi 700 nxënës 4 orë në javë
Zv.drejtori i shkollës me mbi 700 nxënës 8 orë në javë
Norma mësimore e kontrollit
Drejtori i shkollës 4 orë në javë
Zv.drejtori i shkollës 6 orë në javë


Ky lajm është publikuar: 13/02/2010