Kreu i Arsimit i jep vetëm tre vjet kohë për tu specializuar arsimtarëve. Përgatitja fillestare për mësuesit e gjimnazeve do të kryhet mbi një model 3+N


Jonida Tashi



Mësuesit do të kenë vetëm tre vjet kohë për t’u specializuar në lëndën që japin mësim. Nëse ata nuk do të arrijnë ta kapërcejnë këtë kualifikim, do të largohen nga puna. Kjo ka qenë deklarata e bërë dje nga ministri i sapoemëruar i Arsimit, Myqerem Tafaj, në një takim midis drejtuesve të arsimit në rrethe, i cili i ka dhënë vetëm tre vjet kohë mësuesve për t’u pajisur me Master. Sipas kreut të ri të Arsimit, mësuesit pa Master do të largohen nga puna. Në takimin e djeshëm, Tafaj ka premtuar se reformat në arsim do të jenë të shumta në muajt dhe vitet në vazhdim. Ndërkohë që pika kyçe për realizimin e këtyre reformave mbeten arsimtarët, të cilët, nëse nuk plotësojnë kushtet e vendosura nga autoritetet e arsimit, nuk do të jenë më pjesë aktive e sistemit arsimor. Duke filluar nga viti 2013, asnjë arsimtar në shkollat e mesme nuk do të punësohet, nëse nuk do të ketë mbaruar një Master, nuk zotëron një gjuhë të huaj, dhe kompjuterin.

Deklarata

“Mësuesit e shkollave të mesme në Shqipëri sidomos, të klasave të 11-ta dhe 12-ta në vitin 2013, nuk mund të jenë mësues, pa përditësuar njohuritë e tyre në fushën shkencore ku kanë kryer studimet për lëndën bazë që bëjnë, pa thelluar studimet përmes studimeve të Masterit. Nuk mund të punojë në klasë me nxënësit që kanë kontakt përditë me kompjuterin, me anglishten, apo me një gjuhë tjetër të parë”,- u shpreh Myqerem Tafaj. Për rrjedhojë, mësuesit duhet të zotërojnë kualifikime shtesë, përveç diplomës së një fakulteti, për t’u punësuar në arsim. Deklarata e kreut të Arsimit është bazuar në një dokument ligjor tepër të rëndësishëm për reformën në arsim që është “Strategjia Kombëtare për Arsimin e Lartë (SKALA), 2008-2013”. Kjo strategji, e cila para pak kohësh ka kaluar edhe pragun e miratimit nga qeveria ka përcaktuar kritere të reja për emërimet në arsim. Sipas asaj që është miratuar tashmë në këtë dokument, njohuritë në drejtime specifike do të jenë shumë të rëndësishme për t’u emëruar si punonjës arsimorë dhe akademikë. Strategjia Kombëtare për Arsimin e Lartë parashikon si një nga pikat kyçe për zhvillimin e arsimit në vend specializimin e mësuesve.

Përgatitja

Përgatitja fillestare për mësuesit e shkollave të mesme do të kryhet mbi një model 3+N, ku 3 vitet e para do të jenë cikli i parë mbi një lëndë të veçantë, por me fleksibilitetin modular për të studiuar më shumë se një lëndë. Pjesa ‘+N’ do të jetë në mënyrë të veçantë mbi pedagogjinë e mësimdhënies në shkollat e mesme. Ajo do të jetë e detyrueshme për ata që dëshirojnë të japin mësim në këto shkolla. Pjesa ‘+N’ do të jetë “degë” e veçantë në Fakultetin e Edukimit që do të ngrihet i ri. Vlera e ‘N’ do të jetë 1 ose 2 vjet. Deri tani, Universiteti i Tiranës duket se aktualisht ka kapacitetet më të mëdha për të ofruar pjesën pedagogjike ‘+N’. Ndërsa universitetet e tjera publike të vendit që dëshirojnë të ngrenë fakultetet e tyre të Edukimit për të zhvilluar pjesën ‘+N’ do të jenë në gjendje ta bëjnë, nëse përmbushin kriteret kombëtare të përcaktuara nga Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH). Studentët e diplomuar të çdo universiteti, që dëshirojnë të bëhen mësues të shkollave të mesme, mund të aplikojnë për të hyrë në çdo Fakultet Edukimi që ofron ‘+N’. Zbatimi i në praktikë i specializimit të mësuesve do të ndihmohet edhe nga plani i veprimit, që do të hartohet për këtë çështje. Ky plan, që do të jetë pjesë e “Strategjisë Kombëtare për Arsimin e Lartë” do të sugjerojë mënyra për Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Tiranës, që të japë asistencë pedagogjike për universitetet rajonale, të cilat ofrojnë përgatitjen e mësuesve për arsimin bazë 3+0.









Premtimi i Tafaj: “Nxënësit e klasës së IX-të, me Dëftesë që njihet në Evropë”



Në përfundim të shkollës 9-vjeçare, nxënësit do të pajisen me Dëftesë Lirimi, që njihet në vendet evropiane. Ky ka qenë premtimi i ministrit të ri të Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka shpalosur përpara drejtuesve të arsimit në rrethe, prioritetet e qeverisë “Berisha 2”, për arsimin. “Reforma e kurrikulës së arsimit 9-vjeçar, do të synojë të çojë nxënësit në një Dëftesë Lirimi, e cila është e standardit evropian. Në të cilën çdo nxënës që me familjen e tij për një shkak ose një tjetër kalon kufirin dhe shkon në një shtet tjetër, shkon në klasën përkatëse pa asnjë provim plotësues”,- pohoi Tafaj. Reforma në arsimin parauniversitar, sipas Tafaj, do të fillojë që nga kopshtet, për të kaluar në shkollat 9-vjeçare e të mesme. Dhe nuk flitet vetëm për investime në godina, apo rritje të pagave të mësuesve, pasi reforma do të shtrihet edhe në kurrikula, çka do të rris më shumë kërkesën për arsimtarë të kualifikuar. Premtimet e kreut të Arsimit janë ndalur dhe në një plan investimesh për të ardhmen, aty ku ka më shumë nevojë dhe më shumë nxënës. Përveç reformave dhe premtimeve, ministri i Arsimit ka bërë të ditur se shumë shpejt do të kalohet dhe drejt decentralizimit të kompetencave, nga Ministria e Arsimit drejt drejtorive të rretheve.





21 Shtator 2009