Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga skadimi i afatit, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, janë ende larg gjetjes së konsensusit për dy çështje, siç është ajo e rikompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe hapjen e kutive në rastet ankimore, ku të majtët kërkojnë që procesi të ankimohet direkt pranë Gjykatës së Lartë ku do të ngrihet një grup i posaçëm gjyqtarësh për shqyrtimin e çështjeve zgjedhore.

Përballë kësaj situate, komisioni i reformës i drejtuar nga demokrati Ilir Rusmajli dhe socialisti, Damian Gjiknuri, pritet t’i jepet edhe një afat tjetër për të përmbyllur ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor. Gjatë këtyre ditëve ka pasur takime intensive midis Rusmajlit dhe Gjiknurit të asistuar edhe nga ekspertë të ODIHR-it që ndodhen në Tiranë pikërisht për këtë çështje.

Ende nuk dihet afati i tretë që do t’i jepet komisionit, për të përmbyllur ndryshimet e bëra, që përfshihen në 12 kushtet e Komisionit Evropian për hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në BE. Pritet gjithashtu, që në diskutime të përfshihet edhe dokumenti i firmosur nga 26 parti politike në vend, ku theksi i tyre veçanërisht vendoset mbi ndryshimin e sistemit nga proporcional rajonal, në proporcional kombëtar.

“Ristani” ndan PD-në me PS-në

Çështja më e rëndësishme që ka shkaktuar deri më tani mosgjetjen e konsensusit midis dy palëve, është ajo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku Partia Socialiste kërkon që anëtari i 7-të i këtij komisioni, njëkohësisht kryetari, të propozohet nga Presidenti i Republikës dhe të miratohet me një konsensus të gjerë midis palëve. Demokratët nga ana tjetër kërkojnë që të mbajnë formulën aktuale.

PD-ja ka propozuar që dy emra të propozuar prej saj për në krye të KQZ-së të përzgjidhen në Parlament dhe me votat e opozitës, por kjo e fundit nuk e ka pranuar një propozim të tillë. Ndërkombëtarët kërkojnë që institucioni i administrimit të zgjedhjeve të riformatohet për të rritur besimin midis palëve. “Formula për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të rishqyrtohet, me qëllim për të rritur besimin në pavarësinë e tij dhe zbatimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor nga ana e tij”, thuhet në pikën 3 të rekomandimeve prioritare të OSBE/ODIHR-it të lëshuar në raportin e fundit për zgjedhjet lokale të 8 majit të vitit 2011.

Më 26 Prill, Parlamenti miratoi shtyrjen e afatit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, pasi afati i mëparshëm nuk u zbatua. Tashmë, Parlamenti pritet të miratojë sërish ndryshimin e afatit, nëse nuk do të gjendet një zgjidhje e minutave të fundit për çështjet që mbajnë peng reformën. /S.Lleshi/Start/


                                                                                             2012-05-13 16:08