Ministria e Arsimit ka deklaruar sot, se studentët e Vlorës janë automatikisht fitues dhe do pranohen me çdo kusht nga universiteti. Nga ana tjetër stafi pedagogjik i Universitetit të Vlorës ka firmosur një peticion: "O studentët e dobët, o ne".





Pedagogët e këtij universiteti nënshkruan të gjithë një deklaratë ku thuhet se "nëse Ministria na imponohet ne do të lëmë punën dhe me çështjen do të merret gjykata". Pasi është njohur me këtë vendim të stafit, drejtoresha e Arsimit të Lartë në MASH, Elida Hoxha, deklaroi publikisht se "këta student do të regjistrohen me patjetër". Sipas saj edhe pse regjistrimet e fazës së parë u mbyllën emrat e tyre nuk do të hiqen nga listat e fituesve sepse janë automatikisht fitues në Universitetin e Vlorës.





Debati mes dy institucioneve lindi kur u shpallën emrat e studentëve fitues dhe si në gjithë vendin nëpër sekretari u paraqitën edhe studentët e Universitetit të Vlorës në fakultetet përkatëse. Aty, ata janë njohur me vendimin e senatit që nuk lejonte regjistrimin e atyre kandidatëve që kishin notën mesatare të shkollës së mesme poshtë 6-ës. Studentët protestuan për ditë me radhë para rektoratit dhe mandej para Ministrisë së Arsimit. Ministri i ri i Arsimit, Myqerem Tafaj, firmosi urdhrin për regjistrimin e këtyre studentëve. Universiteti nuk e mori në konsideratë dhe këta kandidatë deri tani nuk janë bërë student edhe pse emri iu ka dalë në listat e fituesve.





Regjistrimet e fazës së parë u mbyllën, por Ministria iu jep atyre mesazhin se janë tashmë student. Sipas drejtoreshës Hoxha të gjithë kandidatët konsiderohen të regjistruar.

"I bëjmë me dije të gjithë studentëve se ata do të quhen të regjistruar, pra nuk e humbasin të drejtën e regjistrimit dhe do të merren parasysh nga Agjencia e Pranimeve në institucionet e arsimit të lartë për tu shpallur edhe në listat përfundimtare të fituesve", shprehet ajo.





Nga ana tjetër, Universiteti i Vlorës në më krye Rektorin, Shaska thotë se "senati i Universitetit të Vlorës, që në Maj të vitit 2008, mori një vendim për të pranuar si studentë të rinj të vitit të pare, vetëm ata që kanë notën mesatare të shkollës së mesme mbi 6-të". Sipas tyre me këtë vendim askush nuk ka të drejtë të abuzojë duke e konsideruar atë si një masë diskriminuese kundër nxënësve të shkollave të mesme. "Stafi akademik i Universitetit të Vlorës është i bindur se mund të organizojë një punë mësimore dhe shkencore me cilësi të lartë vetëm me studentët, që janë aftësuar që në shkollën e mesme për të përballuar kërkesat e arsimit të lartë", thuhet në deklaratën e Universitetit të Vlorës. Ata akuzojnë Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë se nuk kanë qenë për asnjë moment bashkëpunuese në asnjë drejtim.












Pranimi i studentëve, rektori Shaska padi ndaj ministrit Tafaj








dt. 20 shtator





TIRANË- Rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska ka reaguar ashpër ndaj urdhrit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj për të pranuar në universitet të gjithë ata kandidatë që janë shpallur fitues nga APRIAL-i. Reagimi vjen në forumin e Shekulli Online, ku Shaska iu përgjigjet komentuesve të kësaj faqeje me fjalët: MASH po e shkel ligjin me të dyja këmbët, ne do ti drejtohemi Gjykatës së Lartë, madje edhe Strasburgut.






Sipas tij, ligji përcakton qartë se universitetet kanë të drejtë të vendosin kritere shtesë për pranimin e studentëve dhe senati pikërisht këtë ka bërë. Ka vendosur si kriter notën mesatare. Që do të thotë të gjithë ata kandidatë për student që iu ka dalë emri si fitues në Universitetin e Vlorës por nota mesatare e tyre është 6- e poshtë, të mos pranohen.








Me anë të një shkrese, Universiteti i Vlorës ka njoftuar Ministrinë e Arsimit që në Maj të këtij viti, për këtë vendim të senatit. Ministria e Arsimit, siç pretendon rektori, nuk e ka marrë parasysh këtë kërkesë. Studentët pasi janë njohur mbi vendimin, kanë protestuar në universitet por edhe në Ministrinë e Arsimit. Ministri i ri, Myqerem Tafaj, shkresën e parë që ka firmosur si titullar i këtij dikasteri ka qenë pikërisht ajo për pranimin në universitet të të gjithë studentëve që kanë dalë fitues nga APPRIAL-i. Nuk janë pak, por afro 3 mijë vetë që janë shpallur fitues por që mesatarja e tyre është me pak se 6-të.








Por universiteti ngulmon, madje rektori Shaska në reagimin e tij në websitin e shekullit shprehet "MASH duhet te zgjedhe midis mediokritetit dhe cilësisë. Universiteti i Vlorës ka zgjedhur cilësinë dhe askush nuk do të pranohet në Vlore pa mesataren 6-të". Shaska gjithashtu thotë se çështje nuk ka përfunduar këtu: "Ne jemi gati të shkojmë në gjyq, ne gjykatën e Lartë, madje edhe në Strasburg. Ky është cënim i autonomisë akademike të universiteteve dhe ne këtë do t'a mbrojmë me çdo rrugë të mundshme civile dhe ligjore", përfundon rektori.






Reagimi në linkun: http://www.shekulli.com.al/2009/09/18/te-regjistrohen-studentet-me-mesatare-nen-6.html