zirina llambro

Emigrantët shqiptarë kursejnë 2 herë më shumë se emigrantët e vendeve të tjerë të rajonit që punojnë në perëndim. Por nga viti në vit, sasia e parave që ata sjellin ka pësuar rënie të ndjeshme. Sasia e parave që ata kursejnë çdo vit është 5.2 herë më e lartë se paratë që ata dërgojnë në Shqipëri. Ose e thënë ndryshe, emigrantët sjellin në Shqipëri vetëm 20 për qind të parave që kursejnë nga puna. Sipas ekspertëve, nëse këto do të thitheshin nga Qeveria shqiptare, do të kishim rritje të remitancave në vend. Të dhënat e studimit të fundit u bënë publike dje gjatë konferencës së organizuar nga IOM, me temë "Menaxhimi i migracionit në Shqipëri". Sipas ekspertëve, rritja e dërgesave monetare nga emigrantët është shumë e rëndësishme për një vend si Shqipëria, ku remitancat zënë 9 deri 22 për qind të GDP-së. "Kriza mund të zgjasë edhe një ose e shumta dy vjet dhe atëherë duhet të shohim çfarë duhet të bëjmë me këto remitanca. Duke u bazuar në një hipotezë, që emigracioni shqiptar është rreth 1.2 milionë, në vendet kryesore pritëse, dhe duke marrë një numër prej rreth 404 mijë familjesh në emigrim, rezulton që këto kursime gjatë vitit 2008 kanë qenë rreth 3.5 miliardë euro, pra është një shumë jashtëzakonisht e lartë", tha Ilir Gedeshi, Drejtori i Qendrës së Studimeve Ekonomike-Sociale. Sipas tij, kjo shifër është thuajse 5 herë më shumë seç janë dërgesat e remitancave në vendlindje. "Sikur nëpërmjet sistemit bankar, ose nëpërmjet një bashkëpunimi të sektorit publik dhe privat, një pjesë do të investoheshin apo do të futeshin në vendlindje, atëherë do të kishim një ndryshim cilësor rreth përbërjes së remitancave", u shpreh Ilir Gedeshi. Nga studimet rezulton se një familje e varfër nga një jo e varfër dallon nga fakti nëse merr ose jo remitanca. Ulja e tyre pas 2007, ku në Shqipëri janë futur 1/3 miliardë dollarë, ka ndikuar në rritjen e varfërisë. Por kriza ekonomike ka bërë që 12 % e emigrantëve të shprehen se mund të kthehen në Shqipëri. Ata kërkojnë ose të hapin një biznes ose të gjejnë një vend pune. Ndërkaq, në takimin e djeshëm, Ministri i Punës dhe çështjeve Sociale, Spiro Ksera, bëri me dije se përpjekjet e përbashkëta për menaxhimin e flukseve të emigrantëve janë finalizuar tashmë me një marrëveshje të përbashkët të nënshkruar me Qeverinë italiane. Ajo ka si subjekt migrimin për arsye punësimi. "Gjithashtu jemi në fazën e përfundimit, për nënshkrimin e një tjetër marrëveshjeje të rëndësishme mes dy vendeve, e cila parashikon njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore", tha ministri. Ai shtoi se Shqipëria, duke qenë vendi me numrin më të madh të emigrantëve në Evropë, është natyrshëm pjesë e procesit integrues, sidomos po të kihet parasysh roli i emigrimit dhe të ardhurave prej tij në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. "Detyrimet tona për politikat migratore janë në përputhje me politikat e BE-së për Shqipërinë në këtë problem. Ato duhen parë në këndvështrimin e procesit së Stabilizim Asociimit, i cili do çojë në marrëveshjen për integrimin e Shqipërisë si një shtet i ri anëtar i familjes evropiane", tha Ksera.

statistikat

66% e emigrantëve do ktheheshin, po të kishte punësim të sigurt në Shqipëri.

2 herë më shumë se emigrantët e vendeve të tjera të rajonit kursejnë emigrantët tanë.

9 deri 22 për qind të GDP-së zënë remitancat në vendin tonë

5.2 herë më e lartë është sasia e kursimit se paratë që ata dërgojnë në Shqipëri.

3.5 miliardë euro është sasia e parave që kanë kursyer emigrantët në vitin 2008.