"Në dimër këtu temperatura është shumë e ulët. Uji është i ftohtë dhe gurët brisk të mprehtë", thotë Mine Myrtollari, punëtore në repartin e seleksionimit të mineralit në minierën e Bulqizës. Në këtë seksion, minerali i kromit, i nxjerrë nga 600 metra nën tokë, shpëlahet me ujë të bollshëm dhe pastaj kalon në transportier, ku sytë e grave dallojnë dhe heqin gurët që nuk përmbajnë krom. "Sot jam 55 vjeç, kam nisur punë kur isha 18 dhe kam punuar pa ndërprerje plot 37 vjet", thotë ajo. "Tani dua të dal në pension, por qeveria thotë se duhet të mbush 60 vjeç. Nuk e kuptoj se pse më mbajnë taksën e sheshtë dhe sigurimet shoqërore. Mendoj ta ndërpres punën. Nuk dua të vdes këtu", shton Mineja.



Në minierën e Bulqizës aktualisht punojnë 860 punëtorë dhe shumë prej tyre kanë moshë të thyer. Por ndërsa këta punojnë, disa mijëra të tjerë që kanë moshë të thyer, nëpër të gjithë zonat minerare të Shqipërisë, janë pa pension dhe pa punë. Që kur u mbyllën minierat, në fillim të viteve ‘90, të papunët e reformave thjesht presin moshën e daljes në pension. Disa prej tyre kanë plotësuar vitet e punës, por nuk kanë mbushur moshën 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat. Të tjerëve u mungojnë që të dyja.



Dje, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë u miratua një ligj, përmes së cilit premtohet ulja e moshës së pensionit për punëtorët e nëntokës, në 61 vjeç. Sipas sekretarit të sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri, ligji i propozuar nga qeveria në fakt nuk sjell ulje të moshës së pensionit. "Ligji aktual e ka caktuar rritjen e moshës së daljes në pension gradualisht. Për një pjesë të minatorëve, ligji i ri përbën në thelb rritje të moshës së pensionit dhe jo ulje të tij", tha Xibri për "Shqip". Sipas tij, janë aktualisht rreth 5 mijë minatorë pa pension dhe pa punë në Shqipëri.



"Askush nuk mund të punojë në industrinë minerare kur kapërcen të 50 vjetët", thotë Dilaver Përgoxhaj, sindikalist në Bulqizë.



Bulqiza është burimi më i rëndësishëm i kromit në Shqipëri. Nga nëntoka nxirret minerali që përmban deri në 55 për qind krom. Në vitin 1986, këtu u nxorën 480 mijë tonë dhe eksportet e kromit qenë pjesa më e rëndësishme e të ardhurave në valutë të fortë.



Gjatë viteve ‘90, industria u rrënua. Bulqiza dhe qyteza të tilla të ngjashme, të ndërtuara për llogari të minierave, u kthyen në vendbanime fantazmë. Vetëm rreth vitit 2005, kur çmimi i kromit në tregun ndërkombëtar fluturoi, industria rifilloi të gjallërohej.



Problemi i qeverisë me minatorët është i njëjtë me të gjithë pjesën tjetër të vendit. Sistemi i sigurimeve shoqërore në Shqipëri është në vështirësi të mëdha financiare. Me 530 mijë pensionistë dhe vetëm 410 mijë kontribuues, qeveria e ka të vështirë të pranojë koston financiare të pensionistëve të rinj. Për këtë arsye, që nga viti 2000 ka shtyrë shumë herë moshën e daljes në pension, duke i shtuar vuajtjet, si të atyre që punojnë, si të atyre që janë pa punë. "Përderisa kam mbushur 37 vite punë, nuk e kuptoj se pse më mbajnë ende taksë të sheshtë e sigurime shoqërore", thotë Mineja, ndërsa spastron mineralin nga gurët në seksionin përkatës të minierës së Bulqizës. "Qeveria duhet të kategorizojë pensionet sipas viteve të punës dhe jo të japë të njëjtin pension për të gjithë", thotë ajo.



"Ne duam pensionet dhe i duam tani", bërtet grupi i grave në kapanon.



Në vitin 1994, qeveria shqiptare e pa të pamundur të respektonte detyrimet e skemës së pensioneve për shkak se rënia e sistemit komunist solli edhe papunësi masive dhe kjo e fundit uli të ardhurat e Institutit të Sigurimeve. Për këtë arsye u krijua një skemë që nuk merr parasysh sasinë e kontributeve apo vitet e punës me sasinë e pensionit.



Por ndërsa për qeverinë pensionet e minatorëve janë një problem financiar, për vetë minatorët është një problem jetësor. Jetëgjatësia e tyre nuk i jep shansin ta gëzojnë për shumë kohë pensionin, ndërsa qeveria thotë se nuk ka para për të paguar shtesë.



Gj. Erebara