Fëmijët janë e ardhmja e botës, ata kanë një dëshirë të lindur për të mësuar dhe shkolla 9-vjeçare jo publike “Ylber” po e realizon në pak vite këtë nevojë parësore. Sot “Ylber-i” ndriçon mes shkollave më të mira në Shqipëri, sepse ajo është dhe do të mbetet një qendër diturie ku kultivohet e ardhmja dhe jetëgjatësia e paqes në shoqërinë shqiptare. Ishte viti 1998 kur lindi shkolla “Ylber” dhe pas një pune virtuoze, që, në vitet në vazhdim, do të nxirrte frytet e saj. Thënia e tyre më e dashur është “ëndërrojmë një botë më të mirë”, prandaj në këtë shkollë çdo nxënës ka dinjitet dhe meriton respektin e mësuesit, psikologut dhe edukatorit pedagogjik. E ndërtuar në hyrje të Tiranës, afër kthesës së Kamzës me një arkitekturë post-moderne të rrethuar me trëndafila shumëngjyrëshe nga një arkitekt italian futurist, i cili ka menduar pikë së pari të ndriçojë me dritë të bollshme strukturën dhe të harmonizojë me thjeshtësi funksionet e një çerdhe të diturisë. Atmosfera e ngrohtë dhe respekti i ndërsjellë duke i inkurajuar të shkëmbejnë idetë e të nxisim vetëbesimin është çelësi i fitores së tyre.
Suksesi i shkollës, përveç standardeve të njëjta me ato të vendeve europiane, mbështetet në punën këmbëngulëse të stafit pedagogjik të kualifikuar me një eksperiencë shumë vjeçare nën drejtimin e suksesshëm të drejtoreshës Motër Benita Prat, një zonjë grua e bekuar në mirësi.
Takimi ynë me këtë institucion të dijes erdhi pas një ftese miqësore që Nunci apostolik i Selisë së Shenjtë të Vatikanit në Tiranë, Monsinjor Ramiro Moliner Ingles i bëri drejtorit të gazetës “55”, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Fahri Balliu për një vizitë njohëse në këtë shkollë. Mikpritja e drejtoreshës Motër Beni dhe e gjithë stafit pedagogjik të shkollës “Ylber” ishte më të vërtetë mbresëlënëse, po ashtu recitimet e poezive dhe këngëve në dy gjuhë, shqip e spanjisht, ishte një risi melodike e jashtëzakonshme. Motër Beni, si udhërrëfyese e mrekullueshme herë pas herë ishte e detyruar të ndalohej në shpjegime pasi fëmijët dhe nxënësit ë kësaj shkolle vërsuleshin në përqafime dhe puthjeve. Një portret i rilindësit Naim Frashëri të priste në hyrje të ambienteve të brendshme, ku simbolizonte dritën e diturisë, që përpara do të na shpjerë. Filozofia që ndjehej në sallat e mbushura plot me nxënës (dhe kërkesat ishin tre herë më të larta) aq sa drejtoresha aktive dhe e kudogjendur, motër Benita na tha: “Ju lutem, zoti Fahri dhe i nderuar Ambasador, ne nuk duam publicitet tjetër, pasi jemi plot me kërkesa që e tejkalojnë me trefish kapacitetin e nxënësve që mund të pranojmë”. Dhe ne i besojmë plotësisht, s’ka si mund të jetë tjetër, të gjithë duan më të mirën për fëmijët e tyre, bile ka prej tyre që prenotojnë dhe i regjistrojnë në këtë shkollë dy vite përpara se fëmijët e tyre të arrijnë moshën e caktuar. Prindërit e njohin shumë mirë çka u duhet fëmijëve të tyre, prandaj zgjedhin “Ylberin” si një ambient ku gjallon aftësia dhe dija për t’i përgatitur për një jetë të suksesshme, si në planin profesional ashtu dhe personal.
Para së gjithash në këtë vizitë, ne mësuam se shkolla jo publike “Ylber” synon në misionin e saj universal që të gjithë të gjithë nxënësit që e ndjekin atë të kenë një bashkëjetese të vyer dhe natyrisht rezultatet nuk mungonin, ashtu si edhe stimujt për të krijuar këtë harmoni midis tyre nuk mungonin, duke krijuar çmime si ai “Nobelit për fëmijë dhe paqen” brenda shkollës ku në mënyrë demokratikë nxënësit zgjedhin shokët dhe shoqet më të mirë jo vetëm në mësime, por edhe në sjellje e bashkëjetese. Dorëzimi i çmimit “Nobel” për paqen ka filluar në shkollën Ylber në vitin 2004 duke krijuar një traditë për vitet e pritshme. Fituesi përzgjidhet pak a shumë kështu: nxënësit e klasave përkatëse votojnë atë person i cili përbush të gjitha kushtet që duhen për të marrë këtë çmim. Këto kushte janë zgjedhur në mënyrë kolegjiale: të jetë i komunikueshëm me të gjithë, të mos përdorë dhunë ndaj të tjerëve, t’i kryejë të gjitha detyrat e nevojshme në shkollë. Etj. Pasi nxënësit votojnë, votat i shkojnë stafit të mësuesve kujdestarë bashkë me drejtoreshën. Ata numërojnë votat dhe shpallin fituesin.
Sidoqoftë synon nëpërmjet punës së saj që nxënësi të dëshmojnë nivele të larta arsimimi dhe edukimi, duke pasur parasysh motivimin e talenteve në shkencë, art, kulturë dhe sport. çdo vit shkolla “Ylber” shkruan një libër, dhe shkrimtarët e saj janë vetë nxënësit që “kanë diçka për të thënë”. Ky zinxhir fjalësh dhe ndjenjash, kanë krijuar visare të çiltërsisë, mprehtësisë, inteligjencës, ëmbëlsisë, dhe butësisë. Në libër janë zërat e fëmijëve, të bashkuara pafundësisht, në mënyrë që zëri i tyre të mos perëndojë kurrë. Duke i bërë të tonat, fjalët e Ana Maria Martinez Sagi, themi: “Fëmijë, ti kurrë nuk do të ndihesh vetëm, sepse je thesari më i çmuar”. Tek ky libër, shfaqet, e drejta më e çmuar njerëzore: “E drejta për të ëndërruar”. Brezi i ri e ardhmja jonë”.
Përgatiti L.Lita

...