Jonida Tashi



Rezultatet e dy provimeve me zgjedhje për 35 mijë maturantë do të shpallen këtë fundjavë. Lajmi konfirmohet për gazetën “Albania” nga drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja, i cili bëri të ditur dje se testet e provimeve me zgjedhje ndodhen në fazën e fundit të procesit të korrigjimit, që është ai i bashkërendimit (Matching) të rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve. Gjithashtu, Lulja ka pohuar se dje në mbrëmje në ambientet e AVA-s ka nisur procesi i printimit të rezultateve dhe fill pas kësaj do të realizohet edhe shpërndarja e tyre nëpër Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore. “Procesi i printimit zgjat pak, pasi numri i testeve është tepër i lartë, 70 mijë teste në total për të dyja provimet me zgjedhje”,- sqaron Lulja, duke theksuar se AVA dhe në bashkëpunim me pjesëmarrësit e tjerë në procesin e vlerësimit të testeve po bëjnë të pamundurën që rezultatet të publikohen ditën e shtunë. Maturantët që kanë marrë pjesë në këto provime, do të njihen me rezultatet në shkollat përkatëse, ku kanë kryer arsimin e mesëm.

Universitetet

Kandidatët për në universitet, do t’u duhet të presin deri në muajin shtator, për të mësuar nëse do të jenë pjesë e auditorëve këtë vit. Ministria e Arsimit, ka bërë të ditur se këtë vit, publikimi i emrave fitues, do të bëhet në fillim të muajit shtator, sipas kuotave të përcaktuara nga universitetet dhe të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Pas shpalljes së rezultateve për provimet me zgjedhje, do të vijojë procesi i përpunimit të të dhënave përkatëse për të gjithë komponentët e Maturës Shtetërore, duke përfshirë mesataren e shkollës së mesme dhe katër provimet e Maturës. Kjo procedurë do të bëjë të mundur detajimin e listave me emrat fitues të maturantëve, që do të kenë të drejtë të vijojnë studimet e larta për vitin akademik 2008-2009.

Kështu, nga 35 mijë kandidatë që kanë konkurruar këtë vit për të ndjekur studimet e larta, vetëm 19 mijë studentë do të kenë mundësi të ulen në auditorët e fakulteteve për studimet me kohë të plotë. Për vitin akademik 2008-2009, në të gjitha programet e studimit, do të pranohen mbi 20 mijë studentë të rinj. Ndërsa tarifat vjetore të shkollimit do të mbeten të njëjta si një vit më parë. Qeveria, bazuar edhe në propozimet e universiteteve publike, ka përcaktuar më shumë kuota pranimi për programet e studimit të ciklit të parë të studimeve, përkatësisht 19602. Ndërsa për të gjithë të interesuarit që duan të ndjekin një universitet të dytë, qeveria ka vendosur 500 kuota në dispozicion. Në bazë të propozimeve të IAL dhe prioriteteve të qeverisë, Këshilli i Ministrave ka vendosur për shtim të kuotave në disa programe studimi si Teknologji e Informacionit, Informatikë, Turizëm, Shkenca të Natyrës e ato Inxhinierike.

Procesi

Dje në AVA u krye procesi i bashkërendimit (Matching) të rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve, për nëntë testet e provimeve me zgjedhje që në total janë 70 mijë teste. Në këtë proces morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe ministrit të Arsimit, drejtori i AVA-s, drejtori i APRIAL-it, (Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë) si dhe përfaqësuesit teknikë të AVA-s dhe APRIAL-it. Procesi i Matching (përputhjes ose bashkërendimit) i rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve është kryer për të katër provimet e Maturës Shtetërore. Testet e maturantëve, pasi fillon provimi, sekretohen, pra pajisen me një bar-kod, i cili përbën identitetin e çdo maturanti. Në këtë mënyrë, mësuesit (apo asnjë zyrtar tjetër) gjatë procesit të vlerësimit të testeve, për shkak të bar-kodit nuk njihen me identitetin e maturantëve, dhe mund të kryejnë një vlerësim objektiv të tyre.

Ç’kodimi

Me përfundimin e vlerësimit, testet e maturantëve ç’kodohen, një proces që kryhet vetëm nga kompjuteri. Me fjalë të tjera vijat e bar-kodit me anën e një aparati (të ngjashëm me atë që përdoret në supermarkete) kthehen në shifra. Ky proces kryhet nga dy institucione të ndryshme AVA dhe APRIAL, njëra përmban bar-kodet e maturantëve dhe emrat, ndërsa tjetra bar-kodet e maturantëve dhe pikët, rezultatet. Pas vlerësimit të testeve, një komision i përbërë si më sipër kryen procesin e bashkërendimit të rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve, pra përputhjen e të dhënave të AVA dhe APRIAL, të emrave me pikët. Anëtarët e komisionit të Matching marrin rezultatet të bashkërenduar me emrat e maturantëve në një kompaktdisk (CD), vetëm të lexueshëm, me të gjithë emrat dhe rezultatet e maturantëve. Nga një CD i tillë i dorëzohet edhe ministrit, dy zëvendësministrave, dhe sekretarit të përgjithshëm të MASH-it. Pas këtij procesi, kryhet printimi i rezultateve, i cili u shpërndahet Drejtorive Arsimore, për t’u afishuar në shkolla.







Studimet në Itali, AVA: “Vërtetimi për studentët ditën e hënë”



Studentët që kanë nisur procedurat për studimet në Itali, ditën e hënë do të pajisen me vërtetimin e notave të Maturës, ose certifikatën e Maturës. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja, i cili theksoi se po mundohemi që të punojmë për vërtetimin që u nevojitet studentëve për studimet në Itali, pasi Ambasadat kanë vendosur kohë të shkurtër në dispozicion. Gjithashtu, aplikantët që duan të ndjekin studimet e larta në një nga universitetet italiane duhet të dorëzojnë Dëftesën e Pjekurisë pranë ambasadës Italiane në Tiranë, jo më vonë se data 11 gusht. Ora 12.00 e kësaj date, është afati i fundit që një aplikant të paraqesë pranë ambasadës Italiane në Tiranë, certifikatën e Maturës, e cila duhet të dorëzohet e mbyllur në zarf. Për të evituar ndonjë problem në paraqitjen e dokumenteve, gjë që mund rrezikojë edhe të drejtën e tyre për studim jashtë vendit, aplikantët duhet të tregohen shumë korrekt në zbatimin e rregullave që ka vendosur kjo Ambasadë për këtë aplikim. Ambasada Italiane është e vetmja nga të gjitha shtetet e tjera që kërkon certifikatën e Maturës Shtetërore, si dokument kryesor për maturantët që duan të konkurrojnë për në universitetet italiane. Gjithashtu, kusht kryesor për të ndjekur studimet në një nga universitetet italiane është që duhet të kalohen të dyja provimet me zgjedhje, që janë të nevojshme për regjistrimin në universitetet shqiptare. Studentët të cilët e kanë humbur Dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues, që të përmbajë notat e të gjitha viteve

Dëftesa e Pjekurisë në origjinal dhe Certifikata e Maturës Shtetërore në origjinal, të përkthyera, noterizuara dhe legalizuara, që do të dorëzoni në fazat përkatëse, do iu rikthehen në fund, përpara nisjes, nëpërmjet postës së union express-it, në mënyrë që t’i dorëzoni personalisht pranë sekretarive të universiteteve përkatëse, për të mbyllur regjistrimin, së bashku me origjinalin e certifikatës së Celi 3. Kujdes! Në momentin përfundimtar, mos u nisni pa kërkuar tërheqjen e Dëftesës së Pjekurisë dhe të Certifikatës së Maturës Shtetërore në origjinal, dokumente që do i’u rikthehen nëpërmjet zyrave të union express-it (ndërkohë certifikatën e Celi 3 në origjinal e keni vete dhe mos harroni ta merrni edhe atë me vete). Përveç pajisjes me vizë studentore, duhet të merrni me vete, përpara nisjes, edhe Dëftesën e Pjekurisë në origjinal, Certifikatën e Maturës Shtetërore në origjinal të legalizuara nga Konsullata Italiane në Tiranë, së bashku me origjinalin e certifikatës së Celi 3.











25 Korrik 2008