Brenda pak ditësh pritet të përfundojë vlerësimi për 2700 mësuesit që iu nënshtruan testimit për shtesën në pagë.Aktualisht, procesi i korrigjimit ka përfunduar, por po specifikohen të dhënat për secilin cikël dhe profil të mësuesve. Sipas Institutit të Zhvillimit të Arsimit, i cili ka administruar të gjithë këtë proces, këtë vit rregullorja ka sjellë risi në  vlerësimin e arsimtarëve. Drejtoresha e këtij instituti, Tidita Abdurrahmani, thekson se mungesa e ankesave për mënyrën se si është menaxhuar testi për shkallët e kualifikimit të mësuesve , vlerësohet si treguesi më i mirë për transparencën e tij. Ajo ndërkaq sqaron se standardet që janë aplikuar janë të njëjta për të gjithë, në funksion të rritjes së tyre profesionale. “E them këtë pasi ka pasur edhe spekulime ditët e fundit, lidhur me rezultatet. Theksoj se ato nuk kanë dalë dhe mësuesit do të jenë të parët që do t’i marrin vesh, sapo të përfundojmë”, tha drejtoresha e Institutit. Sipas saj, vitin e kaluar kanë rezultuar mbetës vetëm 2.76 % e mësuesve që u bënë pjesë e testimit. “Nga ky, 2.76 % në nivel kombëtar, 71.4 % i përkasin arsimit profesional. Më duhet ta qartësoj këtë pjesë për të qenë në rregull me shifrat dhe për të evituar abuzimet e mundshme”, tha Abdurrahmani. Ajo shtoi gjithashtu se mësuesit, pasi të shpallen rezultatet, do të kenë mundësinë ta anikimojnë çdo pakënaqësi që ata kanë. “Do të jetë një komision i posaçëm që do t’i shqyrtojë dhe do të vendosë nëse ato janë me bazë”, u shpreh drejtoresha e Institutit të Zhvillimit të Arsimit.

Vlerësimi me 5 shkallë

Sa i përket vlerësimit, ai do të bëhet me 5 shkallë. Ato do të jenë përkatësisht A, B, C, D, E, që i korrespondojnë vlerësimit me fjalë “shkëlqyeshëm”, “shumë mirë”, “mirë”, “mjaftueshëm”, “dobët”. Shtesat do të jenë sipas viteve të punës. Po kështu, nga sa bëjnë me dije krerët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit, për secilën nga këto shkallë do të vendoset një tavan pikësh. “Kjo është faza e fundit e procesit të vlerësimit, e cila pritet të mbyllet brenda pak ditësh”, tha drejtoresha Tidita Abdurrahmani. Në total, një mësuesi i duhen 100 pikë për të marrë vlerësimin maksimal. Përveç provimit, janë edhe dy komponentë të tjerë. Portofoli profesional, i cili në total vlerësohet me 15 pikë, bonuset -15 pikë dhe testi me shkrim -70 pikë. Specialistët e arsimit shpjegojnë se këtë vit kemi një ndryshim të lehtë të raportit të vlerësimit, në favor të portofolit dhe bonuseve nga 27 % me 73 % që ishte vitin e kaluar, në 30 % me 70 % që është parashikuar në vlerësimin e këtij viti. Mësues të ndryshëm kryen testimin për kategori të ndryshme. Një mësues që ka punuar 5 vjet, përfiton rritje 5 për qind të pagës, të tjerët që kanë 20 vjet përfitojnë 20 për qind të pagës. Nëse nuk e marrin këtë provim, mësuesit mund ta përsërisin testin vitin e ardhshëm. Po kështu, sipas ekspertëve, rezultatet përveç shtesës në pagë, do të jenë tregues edhe për vendet e punës që mbajnë arsimtarët. “Nëse një mësues nuk arrin te kalojë me sukses testin, do të thotë se treguesit janë mjaft të ulët, ndaj do të jetë një minus i madh edhe për pozicionin e punës. Janë drejtuesit e drejtorive arsimore të cilët vendosin më tej”, shprehen specialistët e Ministrisë së Arsimit.


20 per qind

është shtesa maksimale që marrin në pagë mësuesit që konkurrojnë për shkallën e parë të kualifikimit, që është edhe më e larta. Ata duhet të kenë 20 apo më shumë vite punë në arsim dhe duhet të kalojnë testimin


Arritjet mesatarë për çdo cikël në 2010


Sipas të dhënave të Institutit të Zhvillimit të Arsimit për vitin 2010, për çdo kategori për të cilën është konkurruar ka pasur mësues që janë “dalluar” më shumë. Kështu, në kategorinë e parë mësuesit e arsimit 9-vjeçar, cikli fillor e i lartë kanë pasur arritje mesatare më të larta se arritjet e përgjithshme të kësaj kategorie. Në kategorinë e dytë, mësuesit e gjimnazit kanë arritje mesatare më të larta, ndërsa për kategorinë e tretë, shihet se përveçse mësuesve të arsimit profesionale, mësuesit e tjerë kanë arritje mesatare më të larta se niveli i përgjithshëm. Sa i përket vlerësimit në nivel kombëtar ,mësuesit e arsimit 9-vjeçar janë ata të cilët kanë arritjet më të larta. “Mësuesit e arsimit profesional kanë shfaqur arritje më të ulëta dhe nën vlerat e arritjeve mesatare të përgjithshme”, thuhet në raportin për kualifikimin e mësuesve 2010.


Vleresimi 2011


Shkallët e vlerësimit

Shkalla A “Shkëlqyeshëm”

Shkalla B  “Shumë mirë”

Shkalla C “Mirë

Shkalla D “mjaftueshëm

Shkalla E “Dobët”


Pikët

Testimi me shkrim vlerësohet me 70 pikë.

Portofoli profesional  vlerësohet me 15 pikë

Bonuset  vlerësohen me  15 pikë


 


ZIRINA LLAMBRO