Ardhja e emigrantëve për festën e Pashkëve ka mobilizuar edhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier. Përveç masave që ka ndërmarrë për normalizimin e trafikut të rënduar në qytet edhe në akset kombëtare, policia e Fierit po rishikon edhe listën e personave të shpallur në kërkim, të cilët sipas saj mund të kthehen në shtëpitë e tyre, duke përfituar nga fluksi i festës. Lista e mbi 520 personave të shpallur në kërkim është rifreskuar qysh javën e kaluar dhe emrat e secilit të kërkuar u janë dhënë së bashku me fotot inspektorëve të rendit dhe atyre të krimeve për zonat që kanë nën administrim. Kjo procedurë ka nisur të aplikohet që nga e marta dhe që do të vijojë për 12 ditë me radhë. Sipas drejtuesve të policisë së Fierit janë dashur më shumë se 3 muaj punë intensive që të mund të siguroheshin fotot e të kërkuarve. "Mjaft dosje të të shpallurve në kërkim kanë qenë të mbuluara nga pluhuri edhe për faktin se inspektorët e zonave ku të kërkuarit kanë qendrat e banimit nuk kanë pasur foto apo ndonjë të dhënë specifike dalluese të të shpallurve në kërkim", thotë një nëpunës i zyrës së informacionit në Drejtorinë e Policisë së Fierit. Forca të shumta policore janë vendosur në qendrat e banuara, ndërkohë që janë ngritur shumë postblloqe që kanë në përbërje edhe agjentë kriminalë. Postblloku i parë, i vendosur në kufirin mes rretheve Tepelenë dhe Mallakastër, kontrollon çdo makinë me targa greke, për të verifikuar "pastërtinë" e çdo personi që kthehet për festë në shtëpi. Ndërkohë, postblloqe të tjerë qëndrojnë në shërbim pa ndërprerje prej dy ditësh në hyrjet e daljet e tri qyteteve që përshkohen nga rruga nacionale: Ballshi, Fieri dhe Lushnja.