09/04/2005  Epidemia


SHKODËR – “Mushkonjat e vonuara të vjeshtës kanë rikthyer leshmanjozën te fëmijët”. Ky është pohimi i bërë dje nga pediatër të spitalit civil të qytetit të Shkodrës. Bluzat e bardha po përballen me raste të përsëritura fëmijësh të prekur nga leshmanjoza. Në fund të verës së vitit të kaluar në spitalin qëndror të qytetit të Shkodrës, filluan të shtroheshin në spital, fëmijë të sëmurë me “leshmanjozë”, sëmundje kjo që vinte kryesisht nga pickimet e mushkonjave. Kjo sëmundje po vihet re se po përsëritet në rrethin e Shkodrës, pasi ka rreth 2-3 ditë që në këtë spital po paraqiten për vizitë fëmijë të sëmurë me këtë sëmundje. Mjekët pediatër të këtij spitali shprehen se fillimisht kjo sëmundje paraqet temperaturë të lartë te fëmijët, e cila ngaqë nuk kuptohet nga prindërit mjekohet me medikamente jo të përshtatshme, thjesht për uljen e temperaturës. Për pasojë mjekimi i fëmijëve që vijnë për t’u vizituar bëhet më i vështirë në afat kohor. Mjekët e shpjegojnë përsëritjen e kësaj sëmundjeje, si shfaqje me vonesë të pickimeve nga mushkonjat e vjeshtës, por edhe nga pickimet e ndonjë paraziti të kafshëve të prekura nga kjo sëmundje. Problem paraqet fakti se kjo është një sëmundje ngjitëse që mund të kalojë nga një fëmijë te tjetri, duke i shtuar rastet. Për sa i takon kësaj sëmundjeje, përveç temperaturës së pandërprerë si shenjë e parë, shfaqen edhe zmadhime të një pjese të organeve të brendshme të trupit, duke sjellë edhe të vjella dhe anoreksi. Këto raste evidentohen menjëherë nga mjekët specialistë pediatër të spitalit qendror të qytetit të Shkodrës, por probleme shqetësuese, paraqesin rastet e fshehura te fëmijët rezistentë, që shoqërohen vetëm me temperaturë. Për evidentimin dhe diagnostikimin e këtyre rasteve, fëmijët duhet që t’i nënshtrohen një analize të veçantë, por që fatkeqësisht nuk ofrohet nga laboratori i spitalit të Shkodrës, që në shumë drejtime është bashkëkohor. Për të bërë këtë analizë, prindërit janë të detyruar që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, si i vetmi vend ku mund të gjejnë zgjidhje. Gjithsesi, mjekët u kanë bërë thirrje dje prindërve të të miturve që në çdo rast sëmundje temperature apo shqetësimi të drejtohen për konsultë të mëtejshme te mjeku dhe të mos i mjekojnë fëmijët e tyre me hamëndje apo me mjekime ambulatore.