Një titull tjetër për këtë shkrim mund të ishte "Rilindja Kombëtare në shekullin XX". Pavarësisht nga titulli, pyetja qendrore e tij është: A mund të jetë historia e Rilindjes Kombëtare dhe krijimtaria nacionaliste e kësaj periudhe një pikë referimi për shqiptarët në rrethanat e tanishme? Kjo pyetje është shtruar edhe më parë. Në fillim të viteve 1930, ideologët e neoshqiptarizmit thoshin se Rilindja e kishte kryer funksionin e saj politik, d.m.th. çlirimin e shqiptarëve dhe tani atyre u duhej një "rilindje shoqërore" dhe qytetëruese.



Përkundër romanticizmit të Rilindjes, Branko Merxhani e mendonte neoshqiptarizmin si një doktrinë shkencore që do të udhëhiqte modernizimin e shqiptarëve, si një lloj sociologjie kombëtare.



Pas Luftës së Dytë Botërore, ideologjia zyrtare shpallte se Shqipëria socialiste i kishte realizuar idealet e Rilindjes, madje se kishte shkuar përtej tyre, përderisa ideologët e Rilindjes, me gjithë meritat e njohura, nuk mund të shihnin përtej vizionit të tyre klasor borgjez.



Mendimin politik dhe shoqëror të Rilindjes regjimi e kodifikoi, interpretoi dhe propagandoi në atë mënyrë, që të legjitimonte vetveten, duke lënë jashtë canon-it autorë si Faik Konica dhe Gjergj Fishta. Në trevat shqiptare në ish-Jugosllavi, këta dy autorë ishin të njohur, por në përgjithësi studimet mbi Rilindjen Kombëtare ndiqnin shembullin e akademikëve të Shqipërisë. Shpërthimi i lëvizjes demokratike në Shqipëri më 1990-ën u interpretua si realizim i njërit prej idealeve të Rilindjes. Jo më kot, gazeta e parë opozitare u emërtua "Rilindja Demokratike". Padyshim që gjatë periudhës së paskomunizmit, Rilindja Kombëtare ka vazhduar të trajtohet si një periudhë e rëndësishme e historisë së shqiptarëve, por a duhet ajo të jetë referim për orientimin politik të shqiptarëve në erën e globalizimit?



Disa vite më parë, kësaj pyetje i ka dhënë një përgjigje mohuese Ardian Vehbiu në artikullin e titulluar "Përtej Rilindjes" (Shekulli, 19.02.04). Argumenti i tij është se, meqë ideologjia rilindëse u përdor gjatë viteve 1970-‘80 si një forcë manipuluese, regresive dhe frenuese prej regjimit komunist, ajo nuk i shërben hapjes së Shqipërisë me botën e jashtme dhe "rehabilitimit të Shqipërisë në kontinent". Kombëtarizmi (nacionalizmi?), sipas Vehbiut, duhet të ndërrojë logjikën e vet përjashtuese me atë të gjithëpërfshirjes dhe komunikimit. Ai nuk duhet të shërbejë as si ideologji kundërshtuese e atyre që u ka ikur treni i modernitetit. Me një fjalë, duhet hedhur vështrimi përtej Rilindjes, si diçka që nuk ka se çfarë të ofrojë më, si diçka e tejkaluar.



Një përgjigje të kundërt i jep Rexhep Qosja të njëjtës pyetje, në artikullin që është edhe parathënia e librit "Rilindja e dytë" ("Albania", 31.05.07). Lëvizjet politike shqiptare që nga çereku i fundit i shekullit XX e deri në prag të realizimit të pavarësisë së Kosovës, ai i konsideron si një rilindje e dytë kombëtare, e cila është rrjedhojë dhe vazhduese e së parës. Rilindja e parë përfundon me formimin e Shqipërisë, e dyta me pavarësinë e Kosovës. Të dyja janë lëvizje intelektuale, të dyja kanë në qendër bashkimin e kombit, të dyja janë ideologji iluministe kundër ideologjive fetare, janë ideologji përqendruese kundër krahinorizmit (që përfshin "kosovarizmin"), si edhe modernizuese kundër prapambetjes. Çështja shqiptare nuk është zgjidhur akoma, prandaj Qosja e lë të hapur mundësinë e një rilindjeje tjetër për sendërtimin e këtij ideali.



Duke marrë shkas prej dy përgjigjeve të mësipërme, le ta formulojmë ndryshe atë, që në thelb është e njëjta pyetje: A mund të bëjmë pa Rilindjen, apo jemi të dënuar t‘i rikthehemi vazhdimisht asaj edhe në të ardhmen? Mendoj se nuk mund t‘i ikim Rilindjes, pavarësisht prej globalizimit. Braktisja e Rilindjes do të thoshte braktisje e kombit shqiptar dhe e projektit të ndërtimit të shtetit kombëtar shqiptar. Një "kombëtarizëm" pa Rilindjen do të ishte pa përmbajtje. Tekstet e rilindësve e krijonin publikun, të cilit i drejtoheshin, duke bërë të mundur që shqiptarët ta përfytyronin veten e tyre si një komb. Komb do të thotë vullnet politik i përbashkët dhe është Rilindja Kombëtare që e ka krijuar këtë vullnet. Rrjedhimisht kthim te Rilindja nuk do të thotë një kthim nostalgjik te një e shkuar idilike, por një kthim te burimi për t‘u frymëzuar për krijimin e sintezave të reja të mendimit që do të udhëheqin shqiptarët në kohërat e ardhme.



Gjithashtu, Rilindja Kombëtare ka krijuar kuadrin legjitimues për projektin e modernizimit të shqiptarëve si shqiptarë. Përveç kumteve të saj romanticiste dhe mitike, ajo përmbante edhe kumtet iluministe, ato që Masar Stavileci i përmbledh nën emërtimin e "iluminizmit shqiptar". Ideja qendrore e iluminizmit evropian ka qenë emancipimi me anë të arsyes. Ideja qendrore e Rilindjes sonë Kombëtare ka qenë emancipimi i kombit shqiptar dhe barazimi i tij me kombet e tjerë të zhvilluar të Evropës.



Pionieri i Rilindjes, Naum Veqilharxhi, pyeste se si ka mundësi që kombi ynë i lashtë, sa edhe kombet e tjera, kishte mbetur në përqeshje të këtyre të fundit. Në gjurmët e Veqilharxhit, edhe Sami Frashëri do të thoshte se shqiptarët janë të aftë për të bërë plot gjëra, por i lidhin vetë duart e tyre, sepse janë të paditur dhe të verbër. Shikoni si jemi sot: të copëtuar në disa shtete, diku si refugjatë, diku si pakicë, diku si qytetarë të dorës së dytë, diku nën keqqeverisje; vazhdimisht të shfrytëzuar, të tallur dhe pa dinjitet. Ose do të dalim së bashku nga kjo gjendje, ose do të zhytemi më keq në të! Nuk mund të ketë emancipim shoqëror pa atë kombëtar dhe anasjelltas!



Çdo tentativë "pasmoderne" për ta kapërcyer Rilindjen do të përballet me problemin e krijimit të një bashkësie tjetër solidare, në vend të kombit shqiptar. "Evropa e bashkuar", "rajoni", "kontinenti", "hapësira euroatlantike", madje "njerëzimi", nuk mund ta formojnë të vetme, pa kombin, kuadrin legjitimues për modernizimin dhe emancipimin e shqiptarëve.