Detyrë e komisionit zgjedhor komunal është të miratojë vendimin shtetëror siç është vendimi i kryetares së kuvendit të Serbisë Sllavica Gjukiq, që të organizohen zgjedhjet lokale edhe në territorin e komunës së Zubin Potokut, ku këshilltarëve dhe kryesisë lokale i ka kaluar mandati katër vjeçar, ka thënë në Zveçan, kryetari ilegal i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq.

Sipas tij, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Serbisë për zgjedhjet, më 6 maj në Zubin Potok do të organizohen zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

“Është vullnet i qytetarëve të Kollashinit që në këto zgjedhje vetë t’i përzgjedhin përfaqësuesit e tyre legalë, e jo që dikush tjetër ta bëjë një gjë të tillë në vend të tyre”, ka premtuar Ristiq.

Ai i konsideron të panevojshme polemikat që po zhvillohen kohët e fundit rreth mbajtjes së zgjedhjeve, dhe siç është shprehur ai, pavarësisht kërcënimeve të Prishtinës, zgjedhjet do të mbahen në Zubin Potok sikurse edhe në vendet tjera të Serbisë. /Kosovapress/