Mitrovicë, 13 gusht-Rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit do të bëhet në janar të vitit të ardhshëm, në kullën e tij në Boletin. Këtë lajm e ka barë të dituar të premten, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Lutfi Hazari, në vendlindjen e Heroit Kombëtar, në fshatin Boletin.
“Qëllimi i vizitës ishte rivarrimi e eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini, që do të bëhet në janar të vitit të ardhshëm”, ka thënë Haziri, pas vizitës dhe bisedës që ka zhvilluar me kryetarin e Mitrovicës, Avni Kastrati dhe familjes së Isa Boletinit.
“Ky angazhim do të jetë në kuadër të vlerave të mëdha të Isa Boletinit dhe Qeveria e Kosovës ka buxhet të mjaftueshëm për të bërë të mundur realizimin e rivarrimit”, ka thënë Haziri.
Në anën tjetër,  Xhavit Boletini ka theksuar se ka besim tek Qeveria e Kosovës se do të realizojë rivarrimin e Heroit Kombëtar.
Më pas ministri Haziri, Kastrati dhe nipi i Isës – Xhavit Boletini, kanë vizituar edhe hoxhën Mulla efendi Asllan Murati, person ky i cili është i vetmi deri tani që di vendin ku janë të varrosur eshtrat e Isa Boletinit në varrezat e fshatit Zhabar i Ulët i Mitrovicës.  Sipas efendi Muratit, eshtrat e Isës një grup i aktivistëve të Mitrovicës, para luftës në Kosovë, i kanë zhvarrosur në Mal të Zi dhe i kanë sjellë në Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Zhabar. Sipas tij, për arsye të panjohura deri më tani nuk është bërë rivarrimi i
eshtrave të Isës në vendlindjen e tij në Boletin.
Në kuadër të vizitës në Mitrovicë, Haziri ka vizituar edhe Ansamblin e Mitrovicës, si dhe disa objekte sportive, për të cilat  ka premtuar se do të ketë investime nga Qeveria e Kosovës. Do të këtë investime edhe në stadiumin olimpik në Mitrovicë, me qëllim që të përgatitet dhe të plotësojë të gjitha standardet për gara ndërkombëtare, ka thënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.