Anders Behring Breivik shprehu “tinguj gëzimi” gjatë masakrës që kreu në ishullin norvegjez të Utojës korrikun e kaluar, ku humbën jetën 69 persona.


Kështu është thënë në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij nga dëshmitarja Tonje Brenna, e para nga një seri dëshmitarësh që duhet të dëgjohen.


Brenna, 24 vjeç, ishte liderja e krahut rinor të Partisë Laburiste, që organizoi evenimentin në ishullin e masakrës dhe që mbijetoi duke u shtirur si e vdekur.


Ajo i tha gjykatës se bashkë me menaxherët e grupit ishin mbledhur për të diskutuar pasi kishin dëgjuar të flitej për shpërthimin me bombë në Oslo, kur papritur dëgjoi disa zhurma, të cilat mendoi se ishin fishekzjarre.


“Unë isha duke folur në telefon dhe thash me vete: “Dikush paska sens të keq humori, ata po tallen ca si shumë””, ka treguar Brenna.


“Vrapova me vrap drejt të ftuarve, duke menduar se bëhej fjalë për fishekzjarre. Por kur arrita në buzë të rrugës, dy ose tre persona para meje ranë në tokë. Atëherë mendova menjëherë se ishin të shtëna dhe bërtita në telefon: “Të shtëna në Utoja””, ka rrëfyer më tej dëshmitarja.


Ajo ka thënë gjithashtu se skena paniku vuri re gjatë të shtënave dhe ka treguar se u fsheh nga Breivik prapa një shkëmbi në buzë të liqenit, bashkë me një vajzë të plagosur që po humbiste gjak.


Ndërkohë, prokurorët e çështjes kanë deklaruar se procesi po hyn në një fazë të re, pasi do të dëgjohen me radhë dëshmitarët e ngjarjes tronditëse të vitit të kaluar.


Breivik pranon vrasjen e 77 personave, 70 në ishullin Utoja dhe shtatë në atentatin me bombë në Oslo, por mohon përgjegjësinë kriminale, duke thënë se veproi për vetëmbrojtje.


Breivik thotë se po luftonte për të mbrojtur Norvegjinë nga multikultura dhe emigracioni dhe se viktimat në ishull ishin “shënjestra legjitime”, pasi Partia Laburiste mbështet multikulturën.


Në procesin ndaj tij, që ka filluar më herët gjatë vitit, Breivik ka bërë një seri deklaratash shokuese dhe rrëfimesh gjakftohta, të cilat kanë shokuar jo vetëm Norvegjinë.


Një prej tyre ishte se ai po planifikonte të vriste kryeministrin dhe disa qindra norvegjezë të tjerë, si pjesë e fushatës së tij të terrorit.