Orik Shyti ne Zvicer


Intervistoi Lindita Çela


Orik Shyti, djali i akuzuar që adoleshent si drejtuesi i një prej organizatave kriminale më të mëdha në vend, prej vitesh kërkon të fitojë pafajësinë tek drejtësia shqiptare. Pak ditë më parë u bë I njohur fakti që Gjykata Kushtetuese ka kthyer në Gjykatën e Lartë çështjen e kësaj organizate të përmendur qindra herë publikisht nga politikani Berisha. Orik Shyti, ndërkohë, ia dalë mbanë të nis një jetë të re, në një qytet të Zvicrës. Është i mirinformuar për gjithçka ndodh në Shqipëri edhe pse ka vite që nuk i shkel këtu këmba. Në një intervistë për gazetën Shekulli, Shyti, djali i ish-funksionarit të njohur të para 90-s, Aredin Shyti tregon…


Z.Shyti, çfarë jete bën një azilkërkues, ndërkohë që në vendin e tij është një nga personat më të kërkuar nga drejtësia?


Periudha e azilkërkuesit zgjati disa muaj. Prej disa vitesh jam azilant, me statusin e të përndjekurit nga vendi im. Fakti që jam person shumë i kërkuar në Shqipëri nuk ka ndikim në jetën time të përditshme, në kuptimin që nuk pengohem të bëj çdo punë që më ofrohet dhe që jam i aftë ta bëj.


Në kabllogramet e ambasadës amerikane p.sh., thuhej se ju e shpenzonit atë pak kohë të lirë që keni duke bërë ski e duke i dhënë biçikletës. Çfarë shoqërish apo biznesi menaxhoni, apo aktivitet tjetër që ju mban kaq të impenjuar?


E lexova kabllogramin e z. Uidhers. Ai citonte në mënyrë korrekte fjalinë e fundit të një intervistës sime, botuar më 3 korrik 2008. Nuk arrij ta vlerësoj pse i kanë bërë përshtypje njëmbëdhjetë fjalët që përmend (kur kam kohë merrem me pasionet e mia, biçikletën dhe skitë) nga një intervistë me mbi njëmijë fjalë. Nuk e kuptoj dot humorin e ambasadorit, por kjo nuk do të thotë se jam penduar që iu përgjigja me sinqeritet pyetjes së gazetës. Në këto 7 vjet kam provuar të jetoj si i papunë për shkak se nuk gjeja dot punë, të ngre ndërmarrje (firmë, siç thuhet shpesh) dhe të provojë shijen e hidhur të dështimit, të provojë sërish dhe të gjej veten të vetëpunësuar. Vitet e fundit merrem me vëzhgimin e tregut për materialet plastike dhe të gurit, si dhe ndërmjetësoj për shitjen e tyre. Vështirësitë janë të zakonshme për të gjithë njerëzit, por ato janë edhe më të mëdha për emigrantët.


Si është e përditshmja juaj, në kuptimin me kë jetoni? Dhe si jetoni? Si ia dilni për të paguar qoftë edhe ato rrëshqitjet me ski kur keni kohë të lirë?


Kam rreth dy vjet që jetoj në një shtëpi më vete, kohët e fundit,bashkë me nënën. Skitë kanë sezonin e tyre që nuk mund ta shfrytëzoj çdo javë për shkak të punëve. Ashtu si shalimi i biçikletës edhe ato nuk kërkojnë para droge a para krimi, siç përrallis Sali Berisha.


Deklarata juaj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese pak ditë më parë, lë të kuptosh se ju jeni i mirinformuar për çfarë ndodh në Shqipëri. Z. Shyti përse ky interes?


Më ndodh shpesh që ndihem se nuk di asgjë për çfarë ndodh në Shqipëri. Por rrallë zihem në befasi për informacione që kanë të bëjnë me mua dhe familjen time.


Si informoheni?


Lajmet i shoh pothuajse rregullisht, një herë në ditë. Në internet rri gjatë, por rri për arsye pune dhe shumë pak për të ndjekur lajmet dhe shtypit të shkruar. Njerëzit e familjes, që kanë kohë më të lirë, më informojnë rregullisht për gjërat më të rëndësishme, duke përfshirë edhe shkrimet e gazetarëve që vrojtojnë politikën. Natyrisht që barra e përzgjedhjes së informacionit u bie atyre.


Në të gjitha deklaratat tuaja, përfshirë atë të pak ditëve më parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, theksoni se Berisha përdor emrin tuaj për interesat e tij politike. Çfarë keni parasysh konkretisht?


Sali Berisha e përdor emrin tonë për interesat e tij politike, jo vetëm sipas nesh, por sipas të gjithë atyre që kanë vullnet për të parë e dëgjuar dhe kujtesë për të kujtuar. Kujtoni dhe përpiquni të gjeni një fushatë të vetme elektorale që Saliu nuk ka përdorur emrin tonë, duke filluar që nga ajo e korrikut të vitit 1992, kur arrestoi babanë tonë e deri tek kjo e vitit 2011. Mund të gjeni disa ditë e deri pak muaj që nuk na ka përdoru publikisht, por nuk do gjeni fushatë elektorale që nuk na ka përdorur për qëllimet e tij. Të njëjtat përpjekje ka bërë edhe për të na ndëshkuar në të gjitha mënyrat për krimet e rënda që kanë ndodhur para e pas vitit 1996, deri tek më i fundit. Herë personalisht dhe herë duke nxitur bashkëpunëtorët e tij të afër, pista e parë për çdo krim të rëndë është Hakmarrja për Drejtësi. Lufta e tij nuk ka mbetur kurrë në kufijtë e luftës mediatike. Ajo ka pasur efekte të drejtpërdrejta mbi njerëzit e drejtësisë që janë marrë me çështjen tonë, që vazhdon të gjykohet. Ajo që bëjmë unë dhe im vëlla nuk i kalon kufijtë e një përgjigje modeste për akuzat e padrejta që na bëhen.


Z. Orik çndjesi keni provuar kur në një moshë fare të vogël, 15 vjeç në mos gaboj, jeni akuzuar se ishit drejtuesi i një organizate kriminale me qëllime të pastra politike, siç është thënë?


Fillimisht jam çuditur, por isha shumë i ri dhe, për një kohë të shkurtër, vëmendja e tepruar e njerëzve, në një farë mase, ma përkëdhelte sedrën. Edhe kam qeshur shumë herë dhe për një kohë të gjatë. Shkak ka qenë përherë Gëzim Gjoni. Unë dhe Learti sa herë që komunikonim me Gëzimin qeshnim. Ai kishte mënyrën e vetë të talljes me Hakmarrjen, kishte zgjedhur dokrra nga ato që kishte botuar me shumicë gazeta Albania, dhe, me gjuhën e prefektit të komedisë së njohur, i përdorte befasisht gjatë bisedave. Por më vonë, pas muajt shkurt 2003, për ne u bë e qartë se Hakmarrja ishte rreziku ynë. Shpifjet, që dilnin si sokëllima nga goja e Saliut, ushqenin makinën e tmerrshme të propagandës që ende nuk është ndalur. Shpifës të shtatit të tij, shërbëtor shkurtabiq nga mendja dhe shpirti, por besnikë fanatikë, e deri teveqelë të korruptuar,të shpërblyer njëri me titullin akademik dhe tjetri me nofkën shkrimtar i madh që mëtojnë ti përkasin bashkësisë së akademikëve, e kanë ushqyer pareshtur mitin e Hakmarrjes dhe njerëzit nuk kishin më kohë të arsyetonin mbi fakte reale dhe as për moshën 15 vjeçare të themeluesit të organizatë kriminale.


Tani që jeni 34 vjeç drejtoni ende organizatën?


Drejtoj biçikletën dhe rrallë makinën (druaj të bëj humor se keqkuptohem).


Para disa kohësh ju botuat një libër Ne, Hakmarrja për Drejtësi dhe …. Keni harruar gjë në këtë libër që shumë shpejt u hoq nga qarkullimi?


E kemi thënë në libër se dorëshkrimi u kthye dy herë për tu rishikuar. Kjo na dha kohë për të mos harruar ndonjë të vërtetë. Por sigurisht që kemi shmangur shumë fakte, të cilët nuk mund të përfshiheshin në një libër të vetëm. Më vjen keq që ka njerëz të interesuar për librin dhe nuk munden ta gjejnë. Mendoj se shkaku është tek vështirësitë në shpërndarje.


Ju keni insistuar se Hakmarrja për Drejtësi është një organizatë e sajuar nga Sali Berisha dhe strukturat e tij. Si ka mundësi që proceset gjyqësore janë realizuar dhe ju jeni shpallur fajtor kur në pushtet ishin socialistët?


Ne kemi insistuar se Hakmarrja për Drejtësi është sajuar nga Sali Berisha pasi u bindëm me fakte të pranuara nga gjykata. Qysh në fillim pamë se provat që iu dhanë publikut nëpërmjet televizionit nuk kishin të bënin me ne. Prandaj gjatë një viti kërkuam hetim nga prokuroria, pa i përjashtuar nga grupi hetimor prokurorët që e kishin nisur procesin. Kërkuam edhe hetim parlamentar për armët, kasafortën me një milion dol