Ndryshojnë rregullat për të marrë vizë studentore nga Ambasada Angleze. Procedurat e reja bëhen me synim parandalimin e studentëve të rremë në këtë shtet. Gjithçka e konfirmon Ministria e Punës. “Duke filluar nga marsi i këtij viti do të jetë në fuqi “Kolona/Klasa e Studentit”, si pjesë përbërëse e sistemit të ri imigrator të Britanisë së Madhe, sistem i përafërt me atë australian, i bazuar në pikëzim”, sqarojnë specialistët e saj.
Kështu, sipas kushteve të reja, të interesuarit që kërkojnë të aplikojnë për një vizë studentore në Mbretërinë e Bashkuar, duhet të kenë një sponsorizim/garanci nga një institucion arsimor i licencuar për këtë veprim; të provojnë një ecuri të dëshmuar arsimore; të aplikojnë për një kurs studimor që plotëson një nivel minimal arsimimi; të jetë në gjendje të provojë se mund të vetëmbajë veten dhe personat e tjerë në ngarkim; të ofrojë gjurmët e gishtërinjve. Ndërkaq  universitetet e Mbretërisë së Bashkuar, për të pranuar studentë të huaj, nga shtete jo anëtare të BE-së, duhet të marrin një licencë nga Agjencia e Kufirit të Mbretërisë së Bashkuar (UKBA) dhe të marrin përgjegjësi të plotë për studentët e tyre të huaj dhe të ofrojnë sigurinë se janë tërësisht të vetëdijshëm për detyrimet që sjell sponsorizimi i tyre.