Ndryshimet më të fundit për funksionimin e autoshkollave sipas kategorive. Provimet teorike dhe praktike në bazë të kategorive dhe të orëve


Emanuela Sako



Çdo qytetar që aplikon për të marrë patentë duhet t’u nënshtrohet rregullave të reja sipas kategorive dhe orareve të përcaktuara në ligj. Vendimi më i fundit i qeverisë vendosi ndryshimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e autoshkollave. Të gjithë aplikuesit duhet të kryejnë orët mësimore teorike dhe praktike në bazë të orareve të reja të nxjerra me vendim qeverie. Të gjithë ata që në bazë të dokumentacionit të dorëzuar rezultojnë se janë të aftë për të drejtuar një makinë, do të regjistrohen pranë autoshkollave për t’iu nënshtruar provave teorike dhe praktike, ku më pas do të testohen para një komisioni të përbërë nga 3

Koha

Orët dhe koha e nevojshme për përgatitjen e njohurive teorike për leje-drejtimi mjeti në autoshkolla janë të përcaktuara në udhëzimin e Ministrisë së Transporteve. Oraret e reja për përgatitjen e njohurive teorike janë të përcaktuara për të gjitha kategoritë përkatëse. Kështu, rregullat e reja përcaktojnë se për leje-drejtimi të kategorisë A duhet të kryhen 36 orë mësimi, në jo më pak se 14 ditë. Për leje-drejtimi të kategorisë B është e nevojshme të realizohen 54 orë në jo më pak se 20 ditë. Po kështu, për leje-drejtimi të kategorisë C, 30 orë në jo më pak se 12 ditë; për leje-drejtimi të kategorisë D, 30 orë në jo më pak se 12 ditë; për leje-drejtimi të kategorisë BE duhet të kryhen 12 orë në jo më pak se 5 ditë; për leje-drejtimi të kategorisë CE, 16 orë në jo më pak se 6 ditë dhe për leje-drejtimi të kategorisë DE duhet të realizohen 16 orë në jo më pak se 6 ditë. Ndërsa në rastet kur personi i interesuar disponon leje drejtimi të kategorisë A dhe aplikon për leje drejtimi të kategorisë B, do t’i nënshtrohet përgatitjes së njohurive teorike prej 18 orësh në jo më pak se 7 ditë. Rast tjetër është kur personi i interesuar disponon leje-drejtimi të kategorisë B dhe aplikon për leje drejtimi të kategorisë A. Ai nuk do t’i nënshtrohet përgatitjes dhe marrjes në prova të njohurive teorike për leje-drejtimi të kategorisë B.

Praktika

Orët dhe koha e nevojshme për përgatitjen e aftësive drejtuese dhe të sjelljes për leje-drejtimi mjeti në autoshkolla janë të përcaktuara në orare të sakta. Në rregullat e reja janë përcaktuar të detajuara programi mësimor dhe orët që duhen për të marrë sa më shumë njohuri për marrjen e patentës. Kështu, për leje-drejtimi të kategorisë A, aplikantët duhet të ushtrohen 12 orë në jo më pak se 10 ditë; për leje-drejtimi të kategorisë B, 36 orë në jo më pak se 30 ditë; për leje-drejtimi të kategorisë C, 18 orë në jo më pak se 15 ditë; për leje-drejtimi të kategorisë D, 18 orë në jo më pak se 15 ditë; për leje-drejtimi të kategorisë BE, 8 orë në jo më pak se 6 ditë etj.

Regjistrimi

Qytetarët që kërkojnë të marrin një patentë janë të detyruar të hyjnë në të dyja provimet, teorike dhe praktike. Të gjithë aplikantët regjistrohen nëpërmjet autoshkollës pranë drejtorive rajonale, pasi paraqesin dokumentet përkatëse për regjistrimin, si dhe formularët sipas modelit të hartuar nga DRSHTRR-ja. Kjo e fundit plotëson regjistrin model DL 2T dhe pajis me autorizim për kategorinë e kërkuar, sipas modelit DLT me afat kohor një vit, personat e interesuar për të hyrë në provimin teorik. Sektori përkatës i DRSHTRR-së plotëson regjistrin model DL 2P dhe pajis me autorizim për ushtrimin drejtimit të automjetit sipas modelit DLP, me afat kohor për një vit, personat e interesuar që kanë fituar provën e kontrollit të njohurive teorike. Të gjitha këto modele hartohen nga DRSHTRR-ja.

Testimi

Pas përfundimit të programeve mësimore teorike dhe praktike, DRSHTRR-ja përcakton anëtarët e komisionit për dhënien e provimeve përfundimtar. Komisionet e kontrollit të njohurive teorike testojnë aplikantët nëpërmjet pyetjeve të përgatitura dhe koha e provimit nuk është më shumë se 45 minuta. Testi përmban 40 pyetje dhe për të fituar provimin duhet që konkurrentët t’u përgjigjen saktë më shumë se 30 pyetjeve. Ndërsa, aplikantët që kryejnë provimin praktik do të dalin fitues nëse u përgjigjen me saktësi të gjitha kërkesave të përcaktuara në autorizimin model DLP. Koha e provës së njohurive praktike, ose provimit, duhet të jetë deri në 25 minuta për kategoritë A, B dhe B+E. Dhe jo më pak se 45 minuta për kategoritë C, C+E, D, D+E. Ndërsa për ata që nuk fitojnë në provat e para, kanë mundësinë që të japin deri në 5 herë provimin e teorisë. Po kështu, janë përcaktuar dhe disa rregulla të tjera në rastet kur aplikantët nuk kanë arritur të fitojnë që në fillim testin për marrjen e patentës.







Orët dhe koha e nevojshme për përgatitjen e njohurive teorike për leje-drejtimi mjeti në autoshkolla janë si më poshtë:



Për leje-drejtimi të kategorisë A - 36 orë, në jo më pak se 14 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë B - 54 orë, në jo më pak se 20 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë C - 30 orë, në jo më pak se 12 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë D - 30 orë, në jo më pak se 12 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë BE - 12 orë, në jo më pak se 5 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë CE - 16 orë, në jo më pak se 6 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë DE - 16 orë, në jo më pak se 6 ditë



Kur personi i interesuar disponon leje drejtimi të kategorisë A dhe aplikon për leje drejtimi të kategorisë B, do t’i nënshtrohet përgatitjes së njohurive teorike prej 18 orësh, në jo më pak se 7 ditë (diferencën e orëve), të përcaktuara në tabelën e “Programi mësimor dhe orari”.

Kur personi i interesuar disponon leje-drejtimi të kategorisë B dhe aplikon për leje-drejtimi të kategorisë A, nuk do t’i nënshtrohet përgatitjes dhe marrjes në prova të njohurive teorike për leje-drejtimi të kategorisë B.





Orët dhe koha e nevojshme për përgatitjen e aftësive drejtuese dhe të sjelljes për leje-drejtimi mjeti në autoshkolla janë si më poshtë:



Për leje-drejtimi të kategorisë A - 12 orë, në jo më pak se 10 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë B - 36 orë, në jo më pak se 30 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë C - 18 orë, në jo më pak se 15 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë D - 18 orë, në jo më pak se 15 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë BE - 8 orë, në jo më pak se 6 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë CE - 12 orë, në jo më pak se 10 ditë

Për leje-drejtimi të kategorisë DE - 12 orë, në jo më pak se 10 ditë









5 Nentor 2008