Emanuela Sako



Lindjet me operacion apo në mënyrë cezariane janë rritur së tepërmi gjatë këtij dhjetëvjeçari. Por, specialistët e Shëndetësisë theksojnë se lindjet me operacion shpeshherë janë të rrezikshme dhe lënë jo pak pasoja te nëna dhe fëmija. Orion Glozheni, mjek gjinekolog pranë maternitetit “Koço Glozheni”, shprehet se në këtë spital 26 për qind e lindjeve kryhen me operacion, ndërsa pjesa tjetër janë lindje natyrale. Ndërkohë që në maternitet e tjera përqindja është disi më e lartë, ku shënohen 30 për qind e lindjeve me operacion. E thënë ndryshe, nga 4 mijë lindje në këtë maternitet, mbi 1 mijë prej tyre kryhen në sallën e operacionit. Këto shifra konsiderohen të larta duke pasur parasysh disa faktorë që i çojnë nënat drejt operacionit.

Operacionet

Specialistët sqarojnë se nëse lindja vjen ashtu siç nuk ishte parashikuar, atëherë ndërhyrja me operacion në këtë rast është e nevojshme. Në të shkuarën, kjo praktikë, ndryshe nga sot, që është bërë më e shpeshtë, është përdorur vetëm në raste emergjente, kur lindjet natyrale shfaqnin rrezik për jetën e nënës dhe të fëmijës. Shkaqet e lindjes me operacion ndodhin vetëm në rastet kur lindja natyrale bëhet e pamundur. Të tilla raste janë kur fundi i barkut të nënës është tepër i ngushtë dhe nuk mundëson daljen e foshnjës, apo kur fëmija është i shëndoshë dhe nuk mund të kalojë normalisht për të dalë jashtë. Raste të tjera varen dhe nga pozicioni i fëmijës, siç ndodh kur rezulton se fëmija në momentin e lindjes është në një pozicion të papërshtatshëm për të lindur në mënyrë natyrale. Në raste të tjera ndodh ndonjë pengesë që ndalon daljen e fëmijës, për shembull, kordoni ombelikal, një cist në trupin e nënës, një malformim i placentës etj. Në disa raste duhet të ndërpresë shtatzëninë për shkak të disa komplikimeve gjatë periudhës së shtatzënisë. Nevoja për të ndërprerë shtatzëninë përpara përfundimit të saj me anë të operacionit ndodh për arsye shëndetësore të fëmijës apo të nënës. Të tilla raste mund të jenë kur specialistët vënë re sëmundje të fëmijës (diabet, tosiemi ose vonesa në rritjen e tij), kur nëna ka hemorragji, kur ka lindje binjakësh me probleme, apo kur nëna vuan nga ndonjë sëmundje etj.

Pas operacionit

Komplikimet e paslindjes me operacion sa u përket infeksioneve janë trefish më të mëdha se lindja natyrale. Prandaj dhe mjekët u japin të gjitha nënave disa këshilla dhe duhet të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të tyre. Pas këtij operacioni nëna mbahet në kontroll në sallën përkatëse. Shpesh lodhja në lindjet me operacion është më e madhe se ajo e lindjeve natyrale. Fillimi i procesit të të ushqyerit shpesh sjell dhimbje, që kërkon një ushqim special. Plaga e operacionit mund të dhembë edhe më pas, edhe pse shenja nuk është më e dukshme për shkak të qimeve. Plaga merr pamjen e saj përfundimtare pas rreth tetë muajsh, por nuk duhet të ekspozohet në diell të paktën për një vit. Në raport me fëmijën, në këtë rast qumështi i nënës ndodh që mund të vijë më vonë për shkak të lodhjes së nënës nga operacioni. Më pas kurat që ndërmerren për nënën dhe fëmijën pas lindjes me operacion mund të keqinterpretohen nga të dyja palët për shkak të ndarjes që u shkaktohet.





11 Janar 2009