SHKRUAN: Jonida Tashi 18-12-2011 10:53

Për fakultet të parë, taksat e shkollimit janë rritur me 1000 lekë, ndërsa për të dytë, me 2500 lekë. Kategoritë që u përkasin shtresave sociale nuk do t’i ndjekin më pa pagesë studimet e pjesshme, por duke paguar gjysmën e tarifës





Zyrtarizohen tarifat përfundimtare të studimit që do të paguajnë studentët që kanë vijuar studimet me kohë të pjesshme gjatë vitit akademik 2011-2012, në universitetet publike të vendit. Krahasuar me një vit më parë, taksat e studimit kanë pësuar një rritje të vogël në të gjitha degët, që varion nga 1000 deri në 2500 lekë. Kështu, për programet e para të studimit tarifat janë shtuar me 1000 lekë, ndërsa për ato të dyta me 2500 lekë. Më konkretisht, taksa e shkollimit për Juridikun në Tiranë nga 25 mijë lekë në vit ka shkuar në 26 mijë për fakultet të parë, ndërsa për fakultet të dytë nga 67 500 në 70 mijë lekë. Po kështu, edhe për dy degët e Ekonomikut me kohë të pjesshme, Administrim-Biznes dhe Financë-Kontabilitet, për program të parë studimi taksa është rritur nga 34 mijë në 35 mijë lekë, dhe për program të dytë nga 67500 në 70 mijë lekë. E njëjta rritje ka ndodhur edhe për degët e Filologjikut, Gjuhë-Letërsi, Histori, dhe Gjeografi, të cilat këtë vit akademik do të kushtojnë 39 mijë lekë për fakultet të parë dhe 70 mijë për fakultet të dytë. Nëpërmjet një urdhri të përbashkët nr.528, datë 25.10.2011 “Për tarifat e shkollimit në institucionet publike të arsimit të lartë për të gjitha programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të pjesshme e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2011-2012”, që tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare, Ministria e Financave dhe ajo e Arsimit kanë përcaktuar taksat e studimit për kandidatët që i vijojnë këto studime si fakultet të parë si dhe për ata që e kanë fakultet të dytë. Si gjithmonë, studimet part-time do të kushtojnë më shumë në universitetet e Tiranës, sidomos për kandidatët që i vijojnë ato si fakultet të dytë. Por, në ndryshim nga vitet e kaluara, sivjet Financat dhe Arsimi kanë rëndë dakord që kategoritë që i përkasin shtresave sociale të mos i ndjekin studimet part-time falas, por duke paguar gjysmën e tarifës. Sipas urdhrit të firmosur nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj dhe ai i Financave, Ridvan Bode, kandidatët që do të fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme e të edukimit në distancë në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2011-2012 dhe që u përkasin shtresave sociale, si: personave që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, invalidë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijë romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijë të policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës e të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit. Në urdhër thuhet se këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Tarifa e shkollimit do të paguhet me këste vjetore, çdo fillim viti akademik, të vendosura nga vetë universitetet sipas përcaktimeve në rregulloret e tyre. Studentët e shpallur jokalues/përsëritës, do të paguajnë tarifë shkollimi, në vitin përsëritës, vetëm për kreditet e provimeve të mbartura. Tarifat e shkollimit të llogaritura do të paguhen pranë zyrave të “Postës Shqiptare”, për llogari të institucionit të arsimit të lartë publik përkatës.




Shpjegime


1. Tarifa për kreditë e shkollimit, për ata që kryejnë një program të parë studimi, për çdo


program studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë, të jetë sipas kolonës F të tabelës.


2. Tarifa totale e shkollimit (180 kredite), për ata që kryejnë një program të parë studimi,


për çdo program studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë të jetë sipas kolonës G të tabelës.


3. Tarifa për kreditë e shkollimit, për ata që kryejnë një program të dytë studimi, për çdo


program studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë të jetë sipas kolonës H të tabelës.


4. Tarifa totale e shkollimit (180 kredite), për ata që kryejnë një program të dytë studimi,


për çdo program studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë të jetë sipas kolonës I të tabelës.