Ervin KOÇI



Pas rritjes modeste që u ka bërë pagave të sektorit buxhetor, por dhe pagës minimale për sektorin privat, qeveria është angazhuar në bërjen e një indeksimi të ri për kontributet e pensioneve. Kjo gjë ka ardhur menjëherë pas vendimeve për rritjen e pensioneve dhe pagave, ku nëpërmjet këtyre riindeksimeve qeveria synon të rikuperojë një pjesë të parave nga taksat mbi pëgën dhe nga shtimi i pagesës së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që paguajnë të punësuarit. Nisur nga kjo, Ministria e Financave së bashku me institucionet në varësi të saj, ka nisur bërjen e rillogaritjes së kontributeve pas rritjes së pagave në shtet. Kjo procedurë ka të bëjë me pagën minimale dhe maksimale që merret në konsideratë për efekt të kontributeve shoqërore. Sikurse dihet, pas rritjes së pagave, qeveria ngriti tavanin e pagës minimale dhe maksimale, duke shtrënguar masën e detyrimit për kontribute. Për këtë vendim, specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) kanë punuar gjatë, që në fillim të vitit, duke dalë në konkluzionin se preken rreth 70 mijë punonjës në shtet dhe në privat.



Formula

Lidhjet ndërmjet pagës minimale, për efekt të pagesës të kontributeve, me pensionin minimal në qytet janë të përcaktuar në formë formule. Sipas ISSH-së, paga minimale e përcaktuar, e kthyer në neto (duke i zbritur tatimin + kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që mbahet nga paga e personit) e shumëzuar me 75 për qind, (e cila në ligjin e Sigurimeve Shoqërore është përcaktuar si normë zëvendësimi bazë) jep pensionin bazë për përllogaritjen e përfitimeve të ardhshme. Kundrejt kësaj llogaritjeje, duke filluar nga data 01.07.2010 e në vazhdim, paga minimale për efekt të pagesës së kontributeve nga 16.120 lekë në muaj që ishte, bëhet 16.820 lekë, ndërkohë paga maksimale që është tavan për pagesën e kontributeve, nga 80.600 lekë bëhet 84.100 lekë në muaj. Ky vendim erdhi pasi sipas ligjit, paga maksimale për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, duhet të jetë e barabartë me pesëfishin e pagës minimale. “Në rast se nuk do të bëhej ky rregullim, do të sillte si pasojë, që punonjësve që do rezultonin me pagën para ndryshimit, pensioni i llogaritur për këtë kategori do të ishte nën pensionin minimal”,- sqarojnë specialistë të ISSH.



Fermerët

Sipas specialistëve të ISSH-së, rritja e masës së kontributeve për të vetëpunësuarit në bujqësi prej 20 për qind, bëhet pasi ka një strategji të ISSH-së, për barazimin e masës së kontributeve me të vetëpunësuarit në qytet. Aktualisht, të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë mesatarisht 22 për qind e pagesës të të vetëpunësuarve në qytet. Edhe me këtë shtesë, ata do të paguajnë rreth 25 për qind të pagesës të të vetëpunësuarve në qytet. Po kështu, pagesat për disa kategori punonjësish, si ambulantët dhe punëtorët e familjeve rritja është në proporcion me të vetëpunësuarit në bujqësi, bazë që është marrë dhe për caktimin e masës së pagesës për kontributet e sigurimeve shoqërore. Në këtë vendim është përcaktuar që për të vetëpunësuarit në bujqësi, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dy detyrime kontributive të detyrueshme, të derdhen bashkërisht, në strukturat e sigurimeve shoqërore sipas afateve ligjore.



Vendimi

Vendimi i qeverisë e bën pagën maksimale për efekt të përllogaritjes së kontributeve nga 80 mijë e 600 lekë, në 84 mijë e 100 lekë. Si pasojë e këtij vendimi, për të gjithë ata që kanë një pagë mujore më të madhe se 84 mijë lekë, taksat mbi pagën rriten nga 400-500 lekë në muaj. Në rastin e të punësuarve në sektorin privat, efekti është i dyfishtë, pasi prek jo vetëm punonjësit, por edhe bizneset. Për këto të fundit, efekti financiar është edhe më i madh, gati 600-700 lekë në muaj, shtesë në taksa për çdo të punësuar me pagë më të lartë se 84 mijë lekë. Ndërsa për punonjësit e regjistruar me pagë minimale, kontributet rriten me 70 deri në 100 lekë në muaj.



Kontributet

Detyrimet e prapambetura për subjektet që kontributin e sigurimeve shoqërore e paguajnë në organet tatimore, në kushtet kur administrata e sigurimeve shoqërore nuk ka më tagrin për t’i mbledhur ato apo për t’i detyruar ligjërisht subjektet që të likuidojnë detyrimet e tyre të prapambetura, është parë i nevojshëm transferimi i këtyre detyrimeve pranë administratës tatimore. Efekti ekonomik, në zbatimin e këtij vendimi është tepër minimal, as 1 për qind, e totalit të rritjes së pensioneve për këtë 6-mujor, pasi përfshin një numër të kufizuar punonjësish. Ata janë të vetëpunësuari, me rreth 60 mijë individë, që kontributi i sigurimeve shoqërore rritet vetëm për 160 lekë në muaj, dhe për punonjësit me paga mbi 80.600 në muaj (që përbëjnë rreth 9000 punonjës), rritja në vlerë absolutë është për punëdhënësin rreth 525 lekë dhe për të punësuarit 332 lekë.





BOX///////////////////////////////////////////

Masa e re e kontributeve për bizneset, Tatimet sqarojnë procedurat



Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes dy njoftimeve të fundit të botuara në faqen e saj zyrtare paralajmëron biznesin mbi nivelin e ri të pagës minimale dhe maksimale. Kjo gjë bëhet me qëllim që subjektet të shmangin vonesat dhe gjobat. Në njoftimin zyrtar të DPT-së thuhet se: “Ju kujtojmë se në zbatim të Vendimit Nr.477, datë 30.6.2010, të Këshillit të Ministrave ‘Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin Nr.1114, datë 30.7.2008 të Këshillit të Ministrave, i botuar në Fletoren Zyrtare Nr.76, datë 01.07.2010’, duke filluar nga data 1 korrik 2010 e në vazhdim, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, do të jetë jo më pak se 16.820 lekë, ndërsa paga maksimale mujore do jetë 84.100 lekë”. Sipas DPT-së, për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, paga minimale mujore, për llogaritjen e kontributeve, është ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të nenit nr.111, të ligjit të sipërpërmendur. Kjo pagë, sipas VKM-së nr.522, datë 13.5.2009, “Për përcaktimin e pagës minimale, në shkallë vendi”, i cili akoma vazhdon të jetë në fuqi, është 18.000 lekë. Sakaq, kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore për personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, si dhe për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, nga data 01.07.2010 e në vazhdim do të jetë 1440 lekë në muaj. Një tjetër njoftim po i rëndësishëm lidhet me projektin e ri të Tatimeve. “Duke filluar nga data 1 korrik 2010, në kuadër të projektit pilot në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj tatimpaguesve dhe plotësimin e kërkesave të biznesit për vërtetime, për të paraqitur këto kërkesa, duhet të drejtohen vetëm pranë Drejtorisë së Shërbimit ndaj Tatimpaguesve”,- sqaron Drejtoria e Përgjithshme.







Shkurt////////////////////////////

Rritja e prodhimit vendas ul çmimet e fruta-perimeve në tregje



Rritja e prodhimit vendas bujqësor ka ulur çmimet e produkteve ushqimore, kryesisht për frutat dhe perimet. Tregtarët pohojnë se tregjet e brendshme furnizohen me prodhim vendas, i cili ka cilësi më të mirë se malli i importit. Megjithatë, edhe pse çmimet kanë pësuar rënie, tregtarët ankohen për nivelin e ulët të blerjeve. "Çmimet në përgjithësi kanë rënë se është mall vendas por blerjet janë shumë dobët",- shprehen tregtarët në Tiranë, të cilët vënë në dukje se, largimi për pushime i konsumatorëve kryeqytetas ka ulur nivelin e shitjeve. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, çmimet e produkteve të stinës, si domate, kastravec, speca, bamje etj, janë ulur me rreth 20 deri 25 lekë/kg, kundrejt javës së fundit të muajit qershor. Ministria vëren se gjatë kësaj periudhe çmimet kanë shënuar rënie edhe për prodhimet blegtorale dhe të mishit. Statistikat evidentojnë se qytetet Lushnjë, Fier dhe Berat ruajnë nivelin më të ulët të çmimeve për prodhimet bujqësore e blegtorale vendase.





Privatizimet, Ministria e Mbrojtjes nxjerr në shitje 517 reparte e kapanone



Ushtria shqiptare do të shesë me ankand brenda pak muajve një pjesë të konsiderueshme të pronave që ka në zotërimin e saj. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes Arben Imami. "Ministria e Mbrojtjes ka identifikuar dhe i ka dërguar Ministrisë së Ekonomisë, deri tani 517 prona të lira, një listë tjetër me 155 prona do i dërgohet kësaj ministrie brenda këtyre ditëve, ndërkohë do të mbeten dhe 70 prona të tjera të cilat janë duke u verifikuar në terren dhe duke u zbrazur nga materialet ushtarake",- tha ministri Arben Imami. Ai ka pohuar se çmimi i shitjes së pronave do të përcaktohet nga një komision i posaçëm. Sipas ministrit, procedura e shitjes së pronave është e hapur për Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe çdo audit tjetër. "Çmimi i pronës është vendosur mbi bazën e një komisioni, ne kemi një përfaqësues kryesisht nga Ministria e Privatizimit. Janë të ftuar parlamentarët, KLSH-ja, të gjithë auditet që kemi, të vlerësojnë nëse vlerësimi bëhet si duhet apo jo",- ka sqaruar Imami.





13 Korrik 2010