08/12/2009  Bojkoti dhe protestat e kanë zanafillën që në zgjedhjet e para pluraliste


Në vitin 2005 ministrat akuzonin kadidatët e opozitës për manipulime


Rruga e zgjedhjeve në Shqipëri në këto vite pluralizëm ka kaluar nëpër pengesa të shumta, të cilat kanë lënë vragë në historinë tonë të ndërtimit të demokracisë. Manipulime, kontestime zgjedhjesh, bojkote, zgjedhje të parakohshme, deklarata e kundërdeklarata i kanë shoqëruar ato gjatë këtyre 19 vjetve të pluripartitizmit shqiptar. Zgjedhjet e vitit 1992 ishin të vetmet që nuk u kundërshtuan dhe u cilësuan nga ndërkombëtarët si zgjedhje të lira dhe të ndershme. Më pas të gjitha proceset zgjedhore janë shoqëruar me një tendosje nervash nga kampet politike, ku dalëngadalë u bë kulturë që humbësi të mos pranonte rezultatin. E njëjta praktike po ndodh dhe sot.


Më 31 mars të vitit 1991 nga ish-PPSH-ja, e cila tre muaj më vonë u shndërrua në PSSH, do të zhvilloheshin zgjedhjet e para pluraliste në vend. Nën një sistem mazhoritar të pastër, Kuvendi i Shqipërisë përbëhej nga 250 deputetë. Shqiptarët vinin nga më shumë se 45 vjet izolim dhe përkrahja që kishte Partia Demokratike në atë kohë nuk linte hije dyshimi se do të ishte ajo fituesja e zgjedhjeve. Por ndodhi ajo që nuk pritej: në përfundim rezultoi se PPSH-ja kishte marrë rreth 67 për qind të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë në raport me 33 për qind që kishte marrë PD-ja. Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve në Shkodër u organizua një protestë dhe bilanci ishte tragjik. Pushteti, që kontrollohej ende nga kasta e vjetër e regjimit, jep urdhër të qëllohej në turmë, ku mbetën katër të vdekur, mes tyre Arben Broci, një ndër liderët e protestave të dhjetorit. Opozita braktisi për disa kohë Kuvendin e dalë nga këto zgjedhje. Muajt e mëpasmë do të shoqëroheshin me të tjera protesta masive në të gjithë vendin, duke i detyruar të majtët të bënin koalicion me PD- në. Pas pak muajsh në qeveri kjo parti tërheq ministrat e saj, gjë që e futi vendin në krizë. Pas kësaj u deklaruan zgjedhjet e parakohshme dhe u ndryshua sistemi elektoral: nga mazhoritar i pastër në maxhoritar-proporcional. Në zgjedhje rezultoi fituese PD-ja, që kësaj here ishte ajo që mori 67 për qind të votave të Kuvendit.


Më pas do të vinin, si të thuash, katër vjet relativisht të qetë, të paktën për sa u përket zgjedhjeve. Në zgjedhjet 26 majit të vitit 1996 Partia Demokratike do të vinte pas dy humbjeve që e kishin shoqëruar këtë forcë politike deri atëherë. Bëhet fjalë për zgjedhjet e tetorit 1992 për pushtetin lokal, pra vetëm disa muaj pasi kishte fituar zgjedhjet parlamentare dhe referendumi për Kushtetutën. Nën këtë frymë zhvillohen zgjedhjet e vitit 1996, ku u vunë re manipulime të shumta të votave dhe presion në qendrat e votimit. E majta tërhoqi komisionerët, gjë që bëri që PS-ja të merrte vetëm 10 vende në Parlament. Më pas nisën protestat, të mbështetura dhe nga një pjesë e të pakënaqurve që ishin larguar nga PD-ja. Protesta e disa ditëve më pas do të degjeneronte në dhunë dhe ndërkombëtarët do të deklaronin se politikisht zgjedhjet ishin të dështuara. Vetëm disa muaj më vonë do të fillonte kriza e piramidave dhe do të deklaroheshin zgjedhjet e parakohshme në qershor të vitit 1997.


Zgjedhjet e këtij viti u zhvilluan nën një frymë aspak të favorshme për PD-në. Shumica e territorit kontrollohej nga bandat e armatosura dhe Komitetet e Shpëtimit, që në pjesën dërrmuese mbështetnin të majtën. Nga ndërkombëtarët procesi u konsideruar si zgjidhje e krizës, me gjithë defektet e shumta që e shoqëruan. PD-ja, tashmë në opozitë, lajmëroi bojkotin e zgjedhjeve, ndërkohë që filloi protestat. Paralel protesta zhvilluan dhe përkrahësit e monarkisë, të cilët pretendonin se kishin fituar në zgjedhjet e qershorit. Katër vjetët e qeverisjes socialiste u karakterizuan nga protesta të shumta, që nga mosnjohja e zgjedhjeve e deri tek arrestimi i gjashtë deputetëve, vrasja Azem Hajdarit etj.


Zgjedhjet e qershorit të vitit 2001, me gjithë eksperiencën e hidhur të zgjedhjeve të mëparshme, nuk sollën ndonjë ndryshim nga ato të mëparshmet. Në shumë qendra votimi u përdor dhunë për të manipuluar votat. Në KQZ jo pak herë u vunë re dhe kuti të shqyera, të cilat u morën si të mirëqena. Kësaj iu shtua dhe formula e Dushkut të famshëm, ku PS-ja i bëri thirrje elektoratit që në proporcional të votonin partitë aleate. Kjo solli deformimin e votës dhe nga një fshat i vetëm dolën rreth 12 deputetë, gjë që e çoi numrin e deputetëve të majtë në rreth 87. PD-ja bojkotoi sërish Kuvendin dhe zgjodhi protestat për të kontestuar rezultatin, protesta që zgjatën rreth 6 muaj. Ndërkombëtarët e cilësuan Kuvendin e dalë me ligjshmëri të cunguar dhe detyruan PS-në të bënte kompromisin e presidentit. Pas një periudhe relativisht të qetë, në vitin 2004 opozita nisi sërish protestat. Ndërkombëtarët vunë kushte detyruese për socialistët në zgjedhjet e vitit 2005.


Socialistët vinin nga një qeverisje tetëvjeçare të mbushur me akuza për korrupsion dhe konflikte interesash. Me gjithë problemet, opozita arriti të fitonte zgjedhjet e 2 korrikut 2005 dhe të krijonte qeverinë e saj. Ndërkohë ishte PS-ja ajo që kontestonte zgjedhjet, por këtë herë në institucione. Ndodhi ajo që nuk pritej: ministra, që deri dje ishin të veshur me pushtet, ankimonin se ishin manipuluar nga kandidati i opozitës. Kjo bëri që formimi i qeverisë të zvarritej për tre muaj, ndërkohë që mazhoranca në përballjen e saj në zgjedhje do të humbiste në vitin 2007 përballë PS-së në zgjedhjet lokale. Tanimë në krye të PS-së kishte ardhur Edi Rama, i cili premtonte një politikë ndryshe.


Dita e zgjedhjeve të 28 qershorit u karakterizua si ndër më të qetat. Kutitë u mbyllën në orarin e caktuar dhe nuk u raportuan incidente. Në orën 18:00 pasdite të dy liderët respektivë, Berisha dhe Rama, dolën dhe përshëndetën procesin. Por me kalimin e orëve situata filloi të tensionohej. PS-ja po e shikonte veten humbëse pas një fushate ku në qendër kishte vënë kultin e individit, që ishte ajo e kryetarit Rama. Fillimisht u hodhën akuza për manipulim në qytetin e Fierit, më pas këto akuza u shtrinë dhe për Beratin apo qarqe të tjera. Rama po kundërshtonte një rezultat që e kishte prodhuar një kod që ai vetë e kishte propozuar, madje për këtë ishin bërë dhe ndryshime në Kushtetutën e vendit dhe tashmë votohej në bazë të sistemit proporcional-rajonal. PS-ja ankimoi në të gjitha shkallët, por sërish nuk arriti të përmbysë rezultatin. Ndërkombëtarët i cilësuan zgjedhjet si më të mirat të zhvilluara ndonjëherë, ndërsa Rama menjëherë pas certifikimit të tyre dhe pas rizgjedhjes sërish në krye të PS-së pas një gare të lehtë me Maqo Lakrorin, deklaroi se nuk do të njohë Kuvendin dhe zgjodhi rrugën e protestave, rrugë e cila vazhdon ende sot e kësaj dite


31 mars 1991


PPSH-ja mori në atë kohë 67.6 për qind të votave, kurse e dyta u rendit Partia Demokratike me 38.71 të votave. Menjëherë pas kësaj Partia Demokratike organizoi një miting proteste në qytetin e Shkodrës, protestë e cila rezultoi me një bilanc tragjik. U qëllua në turmë dhe mbetën të vrarë katër persona, mes të cilëve Arben Broci.


22 mars 1992


Në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 Partia Demokratike mori 62.09 për qind të votave, kurse Partia Socialiste, pasardhëse e PPSH-së, mori vetëm 25.73 për qind të votave. Në vend të tretë u rendit Partia Socialdemokrate me 4.38 për qind të votave. Zgjedhjet u cilësuan të mira dhe nuk pati kontestime nga ana e ndërkombëtarëve.


29 qershor 1997


Në zgjedhjet e parakohshme të 29 qershorit të vitit 1997. Në këto zgjedhje Partia Socialiste mori fitore mjaft të thellë, duke fituar 65 për qind të votave, kurse PD-ja 20.37 për qind. Rezultati u kontestua nga PD-ja, e cila bojkotoi për muaj me radhe sallën e Kuvendit dhe nisi rrugën e protestave, pasi sipas saj zgjedhjet u zhvilluan nën frymë terrori.


Referendumi për monarkinë


Ndërkohë në zgjedhjet e vitit 1997 nuk ishte vetëm PD-ja ajo që protestonte, por ishin dhe përkrahësit e monarkisë. Paralelisht me zgjedhjet parlamentare u zhvillua dhe referendumi për ndryshimin e sistemit. Përkrahësit e monarkisë pretendonin se kishin fituar, por rezultati ishte manipuluar gjatë numërimit.


24 qershor 2001


Edhe zgjedhjet e 24 qershorit të vitit 2001 u karakterizuan nga kontestime dhe mangësi që u vunë re dhe nga ndërkombëtarët. Opozita e kundërshtoi rezultatin dhe braktisi Kuvendin dhe u hodh në protesta për disa muaj. Hyrja e saj në Kuvend u kushtëzua nga ndryshimi i kursit të maxhorancës, e cila toleroi në zgjedhjen e një presidenti konsensual.


26 maj 1996


Në zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996 ishte Partia Socialiste ajo që do të protestonte kundër zhvillimit të tyre. Në qendrat e votimit manipulimi ishte i hapur dhe nën këto kushte opozita braktisi zgjedhjet më pak se një orë para se të mbylleshin kutitë e votimit. Protesta e organizuar disa ditë më pas do të degjeneronte në dhunë, ndërkohë që në Kuvend e majta do të zinte vetëm 10 vende. Kuvendi u bojkotua dhe deputetët e PS-së do të shkonin atje vetëm kur ndodhën ngjarjet e vitit 1997. Në këto zgjedhje PD-ja mori 55.53 për qind të votave, kurse PS-ja vetëm 20.37 për qind. Këto zgjedhje veç kontestimit morën dhe notë negative nga ndërkombëtarët, të cilët i konsideruan ato si të manipuluara. Kriza zgjedhjeve e vitit 1996 do të bëhej dhe një lajtmotiv i maxhorancës së mëvonshme, e cila ia kujtonte opozitës së djathtë këtë fakt sa herë kjo e fundit kërkonte drejtësi për zgjedhjet.


28 qershor 2009


Zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009 u zhvilluan të qeta deri në orën 18:00, kur u mbyllën qendrat e votimit. Rama dhe Berisha e përshëndetën zhvillimin e tyre. Por vetëm dy ditë më vonë në Fier u tentua të zhvillohej një revoltë me pretendimin se po manipulohej rezultati. Më pas zgjedhjet u ankimuan në të gjitha shkallët institucionale: në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor, ku PS-ja sërish rezultoi humbëse. Më pas ajo doli me të tjera kërkesa: hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive. Duke parë kundërshtimin e maxhornacës, sidomos për sa i përket kërkesës për hapjen e kutive, PS-ja zgjodhi bojkotin dhe rrugën e protestave, rrugë të cilën e vazhdon dhe sot. Gjithsesi, zgjedhjet janë certifikuar nga ndërkombëtarët dhe kërkesat e saj s’kanë gjetur mbështetjen e pritur. Nga të djathtët protestat e socialistëve cilësohen si personale, pasi s’kanë të bëjnë me zgjedhjet.


Kundërshtimet


Protestohet edhe për vendoret


Nuk kanë qenë vetëm zgjedhjet e përgjithshme ato që janë kundërshtuar sistematikisht nga forcat politike, por dhe zgjedhjet lokale. Kjo ka filluar në vitin 2000, kur PS-ja fitoi zgjedhjet e dyta, këtë herëvendore pas atyre të vitit 1997 dhe në krye të Bashkisë së Tiranës u ngjit Edi Rama. Opozita e asaj kohe s’mund të pranonte të humbiste edhe pushtetin lokal pas humbjes në zgjedhjet e para tre vjetve. PS-ja vinte në këto zgjedhje me argumentet e vitit 1997, ku fajtore kishte bërë Partinë Demokratike, ndërkohë që u vunë re shenja manipulimi, sidomos në zonat rurale, ku dhe gara për krerët e komunave bëhej akoma më e fortë. Si pasojë, PD-ja humbi shumicën e bashkive të mëdha të vendit dhe akuzoi maxhorancën për manipulime. Në këto zgjedhje lufta më e fortë u bë në Tiranë, ku PS-ja kishte përzgjedhur për në krye të saj Edi Ramën, të marrë nga Fatos Nano në vitin 1998 në Paris, ku qëndronte si emigrant. Gjithsesi, protesta e opozitës nuk zgjati shumë në atë periudhë, se po afroheshin zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001. Pas kësaj zgjedhjet u kundërshtuan sërish në vitin 2003. Megjithëse PD-ja fitoi një epërsi në këto zgjedhje, ku fitoi një sërë qytetesh të mëdha, si Shkodrën, Elbasanin, Korçën etj., sërish Tirana u kthye në arenë kontestimesh të palëve. Këtë herë ishte kandidati i PD-së për Tiranën Spartak Ngjela ai që, pasi kishte lënë mandatin e deputetit, kandidoi përballë Ramës për Bashkinë e Tiranës. Rezultati foli për një fitore të kandidatit socialist, i cili gjatë tre vjetve si kryetar Bashkie kishte pasur investimet e të gjithë pushtetit për punët në Tiranë. Por sërish opozita iu rikthye protestave. Këtë herë përballë KQZ-së dhe në krye të tyre qëndronte vetë Ngjela, i cili akuzonte kundërshtarin për manipulim të zgjedhjeve. Zgjedhjet në shumë qendra votimi u përsëritën, por kjo nuk solli asgjë në favor të Ngjelës.