Në shtëpinë e Osama bin Ladenit ishte gjetur edhe material pornografik. Koleksioni ishte mes mjeteve të konfiskuara në strehimin e ish-kreut të Al Kaedës, pas aksionit të amerikanëve më 2 maj, ku Bin Laden u vra. Sipas burimeve, materiali ka të bëjë me video moderne elektronike. Zyrtarët thanë që nuk është e qartë saktësisht se në çfarë pjese të kompleksit ishte gjetur koleksioni apo edhe nëse Bin Laden vetë mund ti kishte parë ato video. Ndërkohë, tri të vejat e Bin Ladenit u morën në pyetje nga hetuesit amerikanë. Lajmi u konfirmua dje nga Shtëpia e Bardhë. Gratë janë marrë në pyetje në grup, jo veçmas. CNN ka raportuar se gruaja e tij më e vjetër ka treguar gjithçka që dinte, edhe pse në kontaktin me amerikanët gratë kanë qenë shumë armiqësore. Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karnei, tha se dëshmia e  tyre nuk kishte shtuar detaje të reja për amerikanët. Gruaja më e re ishte identifikuar edhe më parë. Ajo ishte jemenasja Amal Ahmed Abdulfattah, ndërsa dy të tjerat u identifikuan në media si Khairiah Sabar apo Um Hamza dhe, Siham Sabar apo Um Khalid, të dyja saudite. Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar në anonimitet se informacioni që çoi CIA-n të fokusohej te korrieri i Bin Ladenit, Abu Ahmed al-Kuvaiti dhe i ndihmoi ata të gjenin Bin Ladenin kishte ardhur nga i burgosuri Hasan Ghul. Sipas CBS, ushtarët e ngarkuar për aksionin kundër Bin Ladenit në terren ishin 25, por vetëm tre prej tyre kanë hyrë në dhomën e gjumit të terroristit. Plumbi i parë ka shkuar bosh, dy të tjerët e kanë qëlluar një në kokë dhe një në kraharor. Navy Seals kanë tërhequr mënjanë vajzat e Bin Ladenit që ishin në dhomë.


Rezoluta


Parlamenti i Pakistanit ka bërë thirrje për një rishikim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, pasi vlerësoi se sulmi amerikan që vrau Osama bin Ladenin ishte shkelje e sovranitetit të vendit. Deputetët në Islambad kanë kërkuar një hetim të pavarur. Ata miratuan unanimisht një rezolutë që vendos embargo ndaj kalimit transit të automjeteve të NATO-s, derisa SHBA të ndalin sulmet me avionë të telekomanduar.