Të martën, një ligj i shumëdiskutuar për emigracionin, ka mbërritur më në fund në Kongresin Amerikan. Bëhet fjalë për një ligj, që në rast se do të miratohet, do të hapë rrugën për ligjërimin e shumë emigrantëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Ligji është prezantuar nga Kongresmeni i Ilinoisit, Luis V. Gutierrez dhe konsiderohet si një tjetër çështje që do të vërë në një debat e ndeshje të ashpër demokratët dhe republikanët. Vetë Presidenti Obama është zotuar që do t‘i kushtojë vëmendje të posaçme kësaj çështjeje në fillim të vitit të ardhshëm. Gutierrez është një nga mbështetësit e hershëm të Obamës në Kongres dhe në një intervistë të dhënë për shtypin amerikan theksoi se ligji reflektonte padurimin gjithnjë e në rritje për një reformë të përgjithshme, për sa u përket çështjeve të emigracionit. Ndërkaq ende nuk janë bërë publike detajet e veçanta që përmban ky ligj, por nga disa republikanë të Kongresit, ligji nuk do të miratohet kurrë. Këta republikanë e kanë denoncuar atë si të pjesshëm dhe tepër tolerant ndaj njerëzve që u futën në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme. Dy përpjekje për të ndryshuar ligjin në disa pika të tij, të bëra gjatë viteve të pushtetit të Bushit, kanë dështuar. Sipas disa republikanëve kundërshtarë, ligji do të gjenerojë një valë të re emigracioni në një kohë kur punësimi është bërë shumë i vështirë edhe për vetë amerikanët. Shifrat e fundit kanë qenë alarmante dhe flasin për 10% të popullsisë të papunë. Demokratët në Senat kryesisht e kanë mirëpritur projektin, edhe pse sipas disave, ai ishte më shumë liberal nga sa duhej dhe kjo do ta vështirësonte miratimin e tij. Nga disa informacione, sipas këtij projekti, për të fituar status ligjor dhe ndoshta edhe nënshtetësi, emigrantët që ndodhen ndërkohë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara duhet që të dëshmojnë se kanë punuar në këtë vend, të paguajnë një gjobë prej 500 dollarësh, të dinë anglisht dhe të mos kenë kryer vepra penale. Ndryshe nga propozimet e tjera që i janë bërë Kongresit, në këtë propozim të fundit thuhet se nuk është e nevojshme që ata të kthehen detyrimisht në vendin e tyre para marrjes së legjitimitetit. Në të thuhet se ndërkohë duhet t‘u bëhet një trajnim shtesë rojeve të kufirit dhe Departamentit të Sigurisë së Brendshme i duhet kërkuar përmirësimi i burgjeve për emigrantët dhe eliminimi i programit të krijimit të agjentëve të emigracionit. Ndërkohë sipas republikanëve, projekti nuk përmban një reformim të gjerë dhe një këndvështrim në lidhje me situatën e ardhshme të punësimit të tyre, si dhe të integrimit në shoqërinë amerikane. Gjithashtu ai nuk thotë se si do të rregullohet në të ardhmen fluksi i emigracionit. Ka kongresmenë që kërkojnë që në këtë projekt të përfshihet edhe një shtojcë në lidhje me programet, sipas të cilëve persona të ndryshëm duhet të kenë mundësinë vetëm të një punësimi sezonal në Shtetet e Bashkuara, me kusht që më pas të kthehen sërish në vendin e tyre. Në vend të kësaj shtojce projekti krijon një komision federal që do të merret me studimin e gjetjes së mënyrës më të mirë për t‘u përballur me flukset e emigrantëve dhe punëtorëve. Për kongresmenë të tjerë, për të qenë efikase, kjo reformë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe çdo ligj pa një program punësimi të përkohshëm nuk do të jetë afatgjatë.