25/06/2009  Qeveria miraton rritjen e rrogave për punonjësit e disa institucioneve buxhetore


Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit të tij ka vendosur rritjen e pagave për punonjësit mbështetës të institucioneve buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve të tjera buxhetore. Në këtë vendim vihet re se për punonjësit në funksione drejtuese jepet shtesë mbi pagën bazë për klasë, në përqindje, sipas shkallëzimit në 5 grupe, të cilat variojnë nga 5% deri në 30%. Gjithashtu në vendim thuhet se për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin punonjësve u jepen shtesa mbi pagë sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë, të cilat variojnë nga 5% deri në masën 25%. Sipas vendimit, rritje pagash përfitojnë edhe një kategori mjekësh të spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Po ashtu përfitojnë rritje page edhe punonjësit e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me të dënuarit. Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe vendimin për rritjen e pagave të punonjësve të personelit të hetimit, të inspektimit dhe të shërbimeve mbështetëse në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Më poshtë publikohen vendimet e plota të miratuara nga trupa ministrore.


VENDIM


PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS TË INSTITUCIONEVE BUXHETORE DHE TË NËPUNËSVE TË DISA INSTITUCIONEVE BUXHETORE


1. Klasat dhe nivelet e pagave për klasë të punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore qendrore që nuk trajtohen në pagë me strukturën e pagave të nëpunësve të shërbimit civil, janë sipas lidhjes nr. I, “Nivelet e pagës bazë për klasë në administratën e Presidentit, Kuvendit, në Kryeministri, institucione të pavarura, aparatet e ministrive të linjës, institucione qendrore, në varësi të Kryeministrit/ministrave të linjës dhe në prefektura”, me 10 klasa.


2. Klasat dhe nivelet e pagave për klasë të punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore, rajonale e vendore, si dhe të institucioneve qendrore, të grupit të tretë, të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes, caktohen sipas lidhjes nr. II, “Nivelet e pagës bazë për klasë në institucionet rajonale e vendore”, me 14 klasa.


3. Renditja e pozicioneve të përgjithshme të punës për punonjësit mbështetës në institucionet buxhetore, të përmendura në pikën 1 të këtij vendimi, të jetë sipas lidhjes I/1, “Renditja e pozicioneve të përgjithshme të punës për çdo klasë, për punonjësit mbështetës në administratën e ministrive të linjës, institucioneve të pavarura, institucioneve qendrore, në varësi të Kryeministrit/ministrave të linjës dhe në prefektura”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.


4. Renditja e pozicioneve të veçanta të punës për punonjësit mbështetës në institucionet buxhetore, të përmendura në pikën 1 të këtij vendimi të jetë sipas lidhjeve përkatëse, si nënlidhje të lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.


5. Renditja e pozicioneve të përgjithshme të punës për punonjësit mbështetës në institucionet buxhetore të përmendura në pikën 2 të këtij vendimi, të jetë sipas lidhjes II/1, “Renditja e pozicioneve të përgjithshme të punës për çdo klasë për punonjësit mbështetës në administratën e institucioneve rajonale dhe vendore, si dhe të institucioneve qendrore të grupit të tretë të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.


6. Renditja e pozicioneve të veçanta të punës për punonjësit mbështetës në institucionet buxhetore të përmendura në pikën 2 të këtij vendimi të jetë sipas lidhjeve përkatëse, si nënlidhje të lidhjes nr.II, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.


7. Nëpunësve/punonjësve pagat e të cilëve caktohen sipas lidhjeve nr.I e nr.II dhe nënlidhjeve përkatëse, pas çdo viti pune u jepet shtesë për vjetërsi pune në masën 1 për qind mbi pagën bazë për klasë, por jo më shumë se 25 për qind. Për llogaritjen e kësaj shtese njihet vjetërsia e përgjithshme në punë.


8. Për punonjësit në funksione drejtuese jepet shtesë mbi pagën bazë për klasë, në përqindje, sipas shkallëzimit në 5 grupe, si më poshtë:


- grupi i parë, deri në 5 %;


- grupi i dytë, 5 deri në 10%;


- grupi i tretë, 10 deri në 15%;


- grupi i katërt, 15 deri në 20%;


- grupi i pestë, 20 deri në 30%.


Përcaktimi i masës së shtesës, sipas grupit përkatës, të bëhet në lidhjen përkatëse të pagave, që i bashkëlidhet këtij vendimi, ndërsa përcaktimi i masës në përqindje të bëhet në urdhrin përkatës të Kryeministrit/ministrit të linjës për miratimin e strukturës së institucionit.


9. Për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin punonjësve pagat e të cilëve caktohen sipas lidhjeve nr.I e nr.II dhe nënlidhjeve përkatëse, u jepen shtesa mbi pagë sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë si më poshtë:


- në shkallën e parë në masën 5 %;


- në shkallën e dytë në masën 15 %;


- në shkallën e tretë në masën 20 %;


- në shkallën e katërt në masën 25 %.


Këto shtesa, për të katër shkallët, llogariten mbi pagën bazë të klasës VI të lidhjeve përkatëse, ndërsa për punonjësit e repartit të inspektim-minierave, llogariten mbi pagën bazë mujore të klasës VIII, të lidhjes nr.I.


Ndarja e punëve sipas shkallëve të vështirësisë e të dëmshmërisë bëhet sipas lidhjes nr.III, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.


Zbatimi i kësaj shtese bëhet si më poshtë:


a) Drejtoritë/njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore, të institucioneve buxhetore, në zbatim të kësaj pike, i paraqesin kërkesën e tyre drejtorive të shëndetit publik, të cilat përcaktojnë vendet e punës të vështira e të dëmshme për shëndetin e punëmarrësve, si dhe shkallën e vështirësisë e të dëmshmërisë për çdo vend pune.


b) Pas përcaktimit të shkallës së vështirësisë e dëmshmërisë, titullarët e institucioneve buxhetore paraqesin kërkesën për miratim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.


c) Pas marrjes së miratimit nga dy ministritë e përmendura në shkronjën “b”, të kësaj pike, titullarët e institucioneve miratojnë dhënien e këtyre shtesave për punonjësit e institucioneve të sistemit të tyre. Për institucionet qendrore, në varësi të ministrave të linjës si dhe ato rajonale e vendore, ky miratim bëhet nga ministri në varësi të të cilit janë këto institucione.


ç) Kur punonjësit i takon të marrë dy a më shumë shtesa për vështirësi e dëmshmëri, ai do të marrë nga një vështirësi për çdo shkallë, por jo më shumë se 60 për qind.


d) Këto shtesa u rekomandohen edhe punëdhënësve të tjerë të ndërmarrjeve e institucioneve shtetërore jobuxhetore apo subjekteve private.


9. Mjekët që janë anëtarë të komisioneve të ndryshme të vlerësimit dhe përcaktimit të shkallës së aftësisë për punë të shtetasve, për punën që bëjnë, pavarësisht numrit të mbledhjeve në një muaj, marrin shpërblim mujor, në përqindje, në masën si më poshtë:


a) Për komisionin epror dhe komisionet e rretheve të grupit të parë:


- kryetari, 36 për qind;


- anëtarët, 31 për qind.


Këto përqindje zbatohen mbi pagën mujore të mjekut të përgjithshëm, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.


b) Për rrethet e tjera:


- kryetari, 31 për qind;


- anëtarët, 26 për qind.


Këto përqindje zbatohen mbi pagën mujore të mjekut të përgjithshëm në qendrat e shërbimit spitalor në rrethe.


10. a) Shoferët e titullarëve të klasifikuar në grupin “A”, për efekt të ligjit nr. 9584, datë 17.07.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, kur nuk janë punonjës të Gardës së Republikës, por janë punonjës civilë, përfitojnë pagën sipas klasës VII të lidhjes nr.I, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe 50 për qind shtesë mbi pagën bazë të klasës përkatëse.


b) Shoferët e titullarëve të klasifikuar në grupet “B” dhe “C”, për efekt të ligjit nr. 9584, datë 17.07.2006, si dhe shoferi i kryetarit të Akademisë së Shkencave e shoferët e funksionarëve të barazuar me ta në pagë, sipas ligjeve të veçanta, përfitojnë pagën sipas klasës VI të lidhjes nr.I, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe 40 për qind shtesë mbi pagën bazë të klasës përkatëse.


c) Shoferët e titullarëve të klasifikuar në grupet “D” e “E”, për efekt të ligjit nr. 9584, datë 17.07.2006, si dhe shoferët e titullarëve të tjerë, përkatësisht të zëvendësministrave, të drejtorit të kabinetit të Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, të sekretarëve të përgjithshëm në ministritë e linjës, të sekretarëve të përgjithshëm në institucionet e pavarura kushtetuese, të sekretarëve të përgjithshëm në institucionet e tjera të pavarura, të krijuara me ligj të veçanta, të prefektit të Qarkut të Tiranës, të rektorit të Universitetit, të titullarëve të institucioneve qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave/Kryeministrit dhe në varësi të ministrave të linjës, të titullarëve të gjykatave të apelit, të gjykatave të apelit për krimet e rënda, të gjykatave të rretheve gjyqësore, të gjykatave për krimet e rënda, të drejtorit të Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor përfitojnë pagën sipas klasës V të lidhjes nr.I, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe 30 për qind shtesë mbi pagën bazë të klasës përkatëse.


ç) Shoferët e prefektëve të qarqeve të tjera përfitojnë 20 për qind shtesë mbi pagën bazë të klasës përkatëse.


11. Për një periudhë tranzitore punonjësit që përfshihen në njësitë ose drejtoritë e zbatimit të projekteve, kredive a ndihmave që përfiton Republika e Shqipërisë nga institucionet ndërkombëtare ose qeveritë e vendeve të ndryshme do të trajtohen me pagë si më poshtë:


a) Për projektet me rëndësi të veçantë drejtori i projektit barazohet në pagë me nëpunësin civil të kategorisë I-b në ministri. Rëndësia e projektit caktohet nga Kryeministri.


b) Për projektet e tjera drejtori i projektit barazohet në pagë me nëpunësin civil të kategorisë II-a në ministri.


c) Në rastet e përmendura në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike specialistët e projekteve barazohen në pagë me nëpunësin civil të kategorisë III-b në ministri, ndërsa punonjësit mbështetës trajtohen në të njëjtën mënyrë si punonjësit mbështetës në ministritë e linjës.


12. Punonjësve të sektorit të teknikës e shtypshkrimit në administratën e Qendrës së Publikimeve Zyrtare, pagat e të cilëve rregullohen sipas lidhjes përkatëse të këtij vendimi, përfitojnë shtesë mbi pagë për natyrë të veçantë pune në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë.


13. Punonjësit shpëtues të sektorit të emergjencave dhe të shpëtimit, të repartit të inspektim-shpëtimit të minierave, të cilët punojnë në kushte të vështira për jetën, përfitojnë një shtesë mbi pagë në masën 5000 (pesë mijë) lekë në muaj.


14. Teknikët e mesëm, të cilët punojnë në repartet e prodhimit, të ndërtimit e riparimit të anijeve në qendrën e ndërtimit dhe riparimit të anijeve patrulluese për Rojën Bregdetare të Shqipërisë përfitojnë një shtesë për kushte pune në masën 6000 (gjashtë mijë) lekë në muaj.


15. Punonjësit e Qendrës së Shërbimeve dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit në pozicionin “shofer”, kur emërohen në dispozicion të titullarëve të Ministrisë së Brendshme, trajtohen në pagë sipas parashikimit të bërë në këtë vendim për pagat e shoferëve të titullarëve, ndërsa punonjësit e kësaj qendre në pozicionin “shofer-mekanik”, përfitojnë një shtesë mbi pagë në masën 5000 (pesë mijë) lekë në muaj.


16. Punonjësit mbështetës që punojnë në shërbimet e shëndetit mendor e që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me këta të sëmurë, përfitojnë shtesë për natyrë të veçantë pune në masën 5000 (pesë mijë) lekë në muaj. Ministri i Shëndetësisë përcakton vendet e punës që e përfitojnë këtë shtesë me miratimin e strukturave të institucioneve shëndetësore përkatëse.


17. Punonjësit mbështetës që punojnë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me të dënuarit, përfitojnë shtesë për kushte të veçanta pune në masën 5000 (pesë mijë) lekë në muaj. Kjo shtesë zbatohet pas miratimit të strukturave të institucioneve të ekzekutimit të veprave penale përkatëse, sipas propozimit të ministrit të Drejtësisë.


18. Për një periudhë kalimtare punonjësve të cilët deri në datën 1 korrik 2007 përfitonin një pagë më të lartë sesa parashikohet në lidhjet përkatëse të pagave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, u jepet pagë në ruajtje, por jo më shumë se dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Me pagë në ruajtje trajtohen dhe punonjësit civilë të Policisë së Shtetit, të cilët nuk trajtohen më me sistemin pagë-gradë.


Kjo pagë llogaritet si diferencë ndërmjet pagës bruto, të llogaritur sipas këtij vendimi dhe pagës bruto që këta punonjës përfitonin para miratimit të vendimit nr.1231, datë 2.07.2008 të Këshillit të Ministrave.


Punonjësit që fillojnë punë për herë të parë trajtohen në pagë sipas parashikimeve dhe lidhjeve përkatëse të këtij vendimi dhe nuk përfitojnë pagë në ruajtje.


19. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për punonjësit e Policisë së Shtetit fillojnë nga data 1 janar 2009. Efektet financiare për punonjësit e tjerë fillojnë nga data 1 maj 2009.


VENDIM


PAGAT E PUNONJËSVE TË PERSONELIT TË HETIMIT, TË INSPEKTIMIT DHE TË SHËRBIMEVE MBËSHTETËSE, NË SHËRBIMIN E KONTROLLIT TË BRENDSHËM NË MINISTRINË E BRENDSHME


V E N D O S I:


1. Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e personelit hetues me grada të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të jenë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.


2. Paga bazë mujore për gradë (kolona 3) e lidhjes nr.1 është niveli i pagës së punonjësit hetues, në përputhje me gradën që ka fituar.


3. Shtesa për natyrë të veçantë pune dhe shërbimi (kolona 4) e lidhjes nr.1 jepet sipas funksioneve të përcaktuara në këtë lidhje.


4. Punonjësi hetues me grada për kohën e qëndrimit në gradë përfiton shtesë për vjetërsi në punë në masën 1 për qind pas çdo viti pune. Masa e shtesës për vjetërsi në punë të jetë deri në nivelin e pagës bazë të gradës pasardhëse.


Përllogaritja e shtesës për vjetërsi në punë të fillojë në çastin e marrjes së gradës së re, sipas ligjit nr.10 002, datë 6.10.2008, “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”.


5. Punonjësit e personelit hetues që emërohen këshilltarë të drejtorit të përgjithshëm të SHKB-së dhe që në çastin e emërimit kanë të drejtë të fitojnë gradën pasardhëse, të trajtohen në pagë sipas kësaj grade të fituar.


6. Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit civilë të inspektimit dhe për punonjësit mbështetës të jenë sipas lidhjes nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.


7. Kategoria e pagës për punonjësit civilë të inspektimit dhe për punonjësit mbështetës përcaktohet sipas kolonës 3 të lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.


8. Paga e grupit, diplomë e shkollës së lartë, është sipas kolonës 4 të lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në muaj.


9. Shtesa për vjetërsi në punë (kolona 5) për punonjësit e inspektimit dhe punonjësit mbështetës është në masën 2 për qind për çdo vit, por jo më shumë se 25 vjet dhe llogaritet mbi pagën e grupit.


10. Shtesa për pozicion është sipas kolonës 6 të lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.


11. Shtesa për natyrë të veçantë pune për punonjësit e inspektimit është sipas kolonës 7 të lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.


12. Kategorizimi i pozicioneve “specialist”, të cilët trajtohen në pagë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, miratohet me urdhrin e miratimit të strukturës dhe të organikës së këtij institucioni.


13. Specialistët, përgjegjësit e sektorit apo drejtorët në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së këtij shërbimi dhe kërkojnë në mënyrë të detyrueshme arsimin e lartë në degët inxhinieri elektronike apo informatikë përfitojnë një shtesë për kushte pune prej 10000 (dhjetë mijë) lekë mbi pagën mujore të gradës përkatëse. Zbatimi i kësaj shtese për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike dhe Ministrisë së Financave, sipas përshkrimit të pozicioneve të punës.


14. Vendimi nr. 558, datë 16.08.2006 i Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit”, i ndryshuar, nuk zbatohet më për punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.


15. Efektet financiare për paga e sigurime shoqërore që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e buxhetit të vitit 2009, miratuar për rritjen e pagave të punonjësve të institucioneve buxhetore.


Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 maj 2009.