Autori i Lajmit: Entela Duraj
Kostoja e operacioneve plastike është e njëjtë, si për ata që duan të ndryshojnë për qejf ashtu dhe për ata që kanë defekte të lindura. Gati të gjitha ndërhyrjet mundësohen në spitalet tona duke përfshirë ndërhyrjet kirurgjikale në hundë, veshë, bark, gjoks etj. Sipas rasteve të paraqitura në spitalet shtetërore, një pjesë e mirë e pacientëve që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale në hundë kanë probleme me frymëmarrjen dhe e kanë të domosdoshëm këtë operacion, ndërsa pjesa më e vogël i përket kategorisë që kërkojnë operime plastike për qëllime estetike.

Fatura

Fatura që duhet të paguhet për një ndërhyrje të tillë është 24.200 lekë. Në repartin e plastikës pranë QSUT-së kanë filluar të kryhen edhe operacione plastike, të cilat, si në klinikat private ashtu dhe jashtë vendit, kushtojnë disa herë më shumë. Këtu përfshihen operacionet plastike për zmadhimin e gjoksit, heqjen e rrudhave dhe dhjamërave të barkut. Secili nga këto operacione kushton vetëm 45 mijë lekë. Më të lirat janë ndërhyrjet për zhdukjen e shenjave të vogla në fytyrë apo trup, të cilat kushtojnë vetëm 1300 lekë. Konkurrenca që spitali shtetëror po u bën klinikave private që kryejnë këto operacione është tepër e madhe, meqë numri i tyre është gjithnjë në rritje. Kostoja e tyre në këtë spital mbetet shumë më e vogël krahasuar me çmimin që kanë këto klinika për të njëjtin operacion. Operacione plastike kryhen si në QSUT ashtu edhe në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Diegiet

Për rastet e djegieve operacionet plastike kryhen vetëm në QSUT. Numri i tyre është tepër i madh, pasi është i vetmi spital në vend që ofron një shërbim të tillë. Sipas të dhënave, rastet nga rrethet janë të shumta, ku nuk mungojnë dhe ato në gjendje të rëndë. Këto operacione në QSUT kryhen falas.

Operacionet e para

Që prej vitit 1985, në Shqipëri filluan të kryheshin operacionet e para plastike, natyrisht jo me këto aparatura dhe kushte që janë sot. Fillimisht nuk kryheshin operacione estetike, por vetëm ndërhyrje të nevojshme. Operacionet e hundës dhe të veshëve ishin operacionet e para që janë bërë në Shqipëri dhe më pas dalëngadalë edhe të tjerat.

Rreziqet

Sipas mjekëve të kësaj fushe, një operacion plastik, duke u kryer në kuadrin e një riparimi nuk përbën rrezik për jetën. Pra risqet janë më të vogla krahasuar me ndërhyrjet e tjera kirurgjikale. Një operacion plastik është i dëmshëm për pacientin, atëherë kur gabohet gjatë kryerjes së tij dhe shenjat që lë mund të jenë të pakorrigjueshme.

Plakja e fytyrës

Po sipas mjekëve, kryerja e operacioneve plastike në moshë të re i rrit shanset për t u plakur më shpejt. Njerëzit që kryejnë ndërhyrje në fytyrë janë të prirur që të bëhen vartës të operacioneve plastike. Këta njerëz, sidomos femrat, pas operacionit të parë priren për t i ribërë ato.

Mani për shqiptarët

Në të gjithë botën vihet re një rritje e numrit të këtyre operacioneve, po ashtu edhe në Shqipëri. Është ende herët për të folur për mani në vendin tonë, pasi këto operacione kushtojnë për xhepin e shqiptarëve.



Çmimet e operacioneve



Hunda 24.000 lekë



Rrudhat 45.000 lekë



Gjoksi 45.000 lekë



Barku 45.000 lekë



Shenjat 1300 lekë



Ky lajm është publikuar: 04/11/2008