Studimi i muajit gusht i Bashkisë së Tiranës zbardh çmimet reale. Vlera në euro e apartamenteve sipas zonave ku janë ndërtuar


Laureta Rryçi



Studimi më i fundit i Bashkisë së Tiranës bën publike çmimet që kanë arritur pronat gjatë muajit gusht të këtij viti. Specialistët e Drejtorisë së Promovimit të Qytetit, për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë biznesmenëve të huaj apo shqiptarë, kanë grumbulluar informacione të detajuara duke treguar koston reale që të ofron kryeqyteti në momentin që do të vendosin për investim. Në studim janë përcaktuar çmimet sipas zonave të kryeqytetit, ambientet që jepen me qira si në momentin kur duan të marrin një shtëpi, ashtu edhe kur ambienti u duhet për zyra. Sipas studimit, të huajt kanë të drejtë të blejnë pasuri private dhe tokë jobujqësore për të zhvilluar aktivitet ekonomik, kurse për tokën shtetërore jobujqësore është përcaktuar një kusht. Po kështu, me të tjera rregulla operohet në rastin kur klienti është i huaj, në rastet kur duan të marrin një tokë bujqësore me qira. Lehtësim kanë krijuar për shqiptarët biznesmenë qofshin ata, apo edhe qytetarë të thjeshtë.

Çmimet

Të huajt kanë të drejtë të blejnë pasuri private dhe tokë jobujqësore për të zhvilluar aktivitet ekonomik, kurse toka shtetërore jobujqësore mund t’u shitet vetëm atëherë kur investimi i planifikuar është 1.5 herë më i madh se çmimi i tokës. Të huajt nuk kanë të drejtë të blejnë tokë bujqësore, por kanë të drejtë ta marrin atë me qira për 99 vjet. Personat fizikë dhe juridikë, privatë shqiptarë kanë të drejtë të blejnë e të shesin lirisht troje ndërmjet tyre pa asnjë kufizim. Çmimi i tokës është i larmishëm. Ky çmim varion nëse toka ka apo jo kontakt me rrugën, është zonë industriale apo jo etj. Tabela e mëposhtme pasqyron çmimet e tokës pranë qendrës së qytetit në periferi të tij dhe në komunat fqinje. Çmimi i parcelave të tokës për ndërtim banese dhe zyra në qendër të qytetit varion nga 1200 euro deri në 3000 eurom2 dhe në periferi të Tiranës nga 500 deri në 1000 euro m2. Segmenti i autostradës që lidh Tiranën me qytetin e Vorës, i cili ndodhet në mes të rrugës për në Durrës, preferohet shumë për pozicionimin e bizneseve të reja. Çmimi i tokës në këtë hapësirë varion nga 120-250 euro për metër katror. Ndërsa çmimi i tokës brenda kufijve të Vorës varion nga 80-120 euro për metër katror. Çmimi i tokës private në komunat fqinje të Tiranës, si në Selitë, Dajt, Yzberisht dhe Farkë varion nga 80-250 euro për metër katror.

Qiratë

Në Tiranë operojnë shumë agjenci imobiliare, të cilat japin ndihmesën e tyre për të marrë një ambient me qira apo edhe për ta blerë atë sipas mundësive financiare që ka secili. Çmimet që janë përcaktuar nga specialistët tregojnë edhe çmimet reale që operojnë në tregun e kryeqytetit gjatë kësaj periudhe. Për të marrë me qira një apartament në qendër duhet të paguash nga 3 deri në 5 euro metri katror, ndërsa në dëshiron të blesh apartament po në këtë zonë, atëherë çmimi shkon nga 1200 deri në 3000 euro. Ndërsa një apartament në periferi të Tiranës, për ta blerë, shkon mesatarisht nga 400 euro metri katror në 600 euro metri katror.





Taksa për pasuritë e paluajtshme



Detyrimi për taksën mbi pasurinë e paluajtshme është vjetor dhe ndahet në dy këste të barabarta. Kësti i parë për kategorinë “Ndërtesa banimi” paguhet brenda datës 30 prill dhe kësti i dytë brenda datës 30 shtator. Për kategorinë “Ndërtesa të tjera” kësti i parë paguhet brenda datës 20 prill dhe kësti i dytë brenda datës 30 qershor. Taksa mbi tokën bujqësore është detyrim

vjetor dhe ndahet në dy këste të barabarta, ku kësti i parë paguhet brenda datës 31 mars të vitit dhe kësti i dytë brenda datës 30 shtator të vitit. Toka bujqësore është klasifikuar në 10

kategori, për të lehtësuar në këtë mënyrë përcaktimin e nivelit të taksës.



Çmimi i Tokës Çmimi në Euro për m2



Në qendër të qytetit 1200-1300

Në periferi 500-1500



Komunat fqinje



Në autostradë 120-250

Në Vorë 80-120



Rajoni i Tiranës



Selitë, Dajt 100-250

Yzberisht 80-200

Farkë 120-250





Çmimi i apartamenteve Çmimi në euro për m2



Në qendër 1200-3000

Në periferi 400-600



Qiraja e apartamentit për Çmimi në euro për m2



Në qendër 3-5

Në periferi 2-3









2 Shtator 2008