MASH: Sulm politik ndaj nesh 
Skandal me provimet e lirimit. Vetëm një ditë para se të zhvillohej provimi i matematikës për të gjitha klasat e nënta në vend, doli teza e provimit. Të gjithë ushtrimet ishin të zgjidhur me përpikmëri dhe nxënës dhe persona të shumtë patën mundësinë që ta kenë tezën e plotë në dorë. Pas publikimit të këtij lajmi Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e pranoi por pas verifikimeve të para ajo e pranoi dhe tha që do merrte masat e nevojshme. Teza e provimit të matematikë për provimet e lirimit përmbante 23 pyetje të cilat ruheshin në siguri të lartë.

Mësuesit të cilët hartuan tezën kanë qëndruar në një godinë të veçantë, të ruajtur me forca policore të shumta si dhe totalisht të shkëputur nga bota e jashtme. MASH kishte siguruar se nga kjo godinë dalja e informacionit ishte e pamundur pasi niveli i sigurisë ishte në kushte maksimale. Gjithsesi teza doli e plotë dhe e zgjidhur deri në detaj dhe ishin të shumtë ata persona që arritën ta shtinin në dorë. Sipas rregullores thuhet shumë qartë se dalja e kësaj teze është rreptësisht e ndaluar dhe penalisht e dënueshme pasi dalja e saj para se të zhvillohet provimi është penalisht e dënueshme. Ky nuk është rasti i parë që nxënësit dhe studentët futen në provime me një konkurrencë të pandershme. Ata që kanë paguar futen me tezën e zgjidhur dhe arrijnë të marrin nota të mirë ndërkohë që të tjerët nuk arrijnë të njëjtat rezultatet. Këtu mjafton të përmendim skandalin që ndodhi pak vite më parë me provimin e juridikut. Në këtë rast vetëm pak orë para nisjes së provimit të juridikut studentët konkurrues të atij viti arritën të merrnin të gjitha përgjigjet e sakta të atij provimi. Ky rast u ndoq penalisht dhe u morën masat por fatkeqësisht nuk ishte i vetmi dhe ndoq edhe nga të tjerë ashtu siç ndodhi edhe ditën e djeshme.
Reagimi i MASH, testi u nxor, do penalizohen personat që e nxorën
Më pak se 24 orë nga provimi i dytë i lirimit, matematika, testi me të gjitha përgjigjet e zgjidhura qarkullon lirshëm. Pas skandalit të publikuar nga një media, Agjencia Kombëtare e Arritjeve dhe Vlerësimit të Nxënësve, pranon se testi i kapur ka ngjashmëri me një prej tezave të hartuara nga specialistët e kësaj agjencie. Drejtori i arsimit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu deklaroi se do të nisin menjëherë hetimet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësin, i cili ka nxjerrë sekretin e provimit të matematikës. Madje, Vejsiu nuk ka hezituar ta konsiderojë këtë skandal në veprim të qëllimshëm politik. Kreu i Agjencisë së vlerësimit dhe arritjeve të nxënësve, Alfons Harizaj deklaron se nxënësit e klasave të nënta do të kenë mbi banka një test tërësisht të ndryshëm nga ai që ka dalë në mënyrë jo zyrtare nga agjencia.
MASH: Testi do ndryshohet totalisht
Ministria e Arsimit ka pranuar se teza e testit të matematikës që është shitur në treg ka elementë me atë që do tu paraqitej nxënësve për provim. Drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, Alfons Harizaj tha se do të merren të gjitha masat për ndryshimin e të gjithë elementëve të ngjashëm në tezën e matematikës që do të shpërndahet sot në të gjithë vendin. Ne do marrim masa për të garantuar procesin dhe për të garantuar një test të ri ose të sigurt, që do të jetë i gatshëm për nxënësit sot, ka deklaruar Harizaj. Drejtori i arsimit parauniversitar ka sqaruar se do të merren të gjitha masat për gjetjen e personave që kanë nxjerrë informacionin nga zyrat e AVA-s. Fakti që u bë publike pak kohë para provimit tregon se mund të ketë pasur rrjedhje. Ne do marrim masat pasi numri i personave që merren me këtë punë është i pakët dhe shumë shpejt do ta kemi në dorë personin që e ka bërë këtë, ka pohuar Fatmir Vejsiu. Përfaqësuesit e AVA-s kanë deklaruar se sot në orën 10:00 do të nisë provimi i matematikës në gjithë vendin, ku do të testohen 60 mijë nxënës.






Last Updated on Saturday, 20 June 2009 08:43