Incidenti
Dërgohet urdhër i rremë nga adresa e Drejtorisë Arsimore: Bëni lista për mësuesit që janë me PD-në

Në faqen zyrtare të zyrës arsimore të Sarandës, persona të paidentifikuar kanë folur në emër të drejtoreshës së kësaj zyre, zonjës Lina Vaso. Mes të tjerave, falë futjes klandestine në këtë faqe zyrtare, është dërguar për gjithë drejtorët e shkollave një kërkesë e rreme, në të cilën thuhet: “Dërgoni urgjentisht në zyrën arsimore listën emërore të mësuesve që janë në PD”.


Kjo ndërhyrje në faqen e këtij institucioni në internet dhe “lënda e huaj” e futur në të është konstatuar ditën e djeshme, thotë drejtoresha Lina Vaso. Ajo thotë se ka qenë shumë e alarmuar nga ajo që ka konstatuar dhe menjëherë ka vepruar për ta bërë të paefektshme kërkesën absurde. “Drejtorët i kemi sqaruar pa humbur asnjë minutë kohë se ajo ka qenë një kërkesë e rreme, me autorë ata që janë futur në mënyrë klandestine dhe kanë folur në emër të zyrës arsimore”. Mësohet se “karremin” e ka ngrënë vetëm drejtori i shkollës 9-vjeçare të Xarrës, Abedin Ahmeti, i cili është treguar i zellshëm dhe ka nisur listën e mësuesve me tesera të PD-së. Zonja Vaso tha se nuk ka dyshim që ky rreng të jetë punuar nga ndonjë prej atyre që kanë qenë në drejtorinë arsimore dhe e dinë fjalëkalimin e faqes zyrtare në internet. “Nuk na shkonte ndër mend që veprimi hakmarrës i tyre për largimin nga zyra arsimore të shkonte deri këtu, që ta kishin ndryshuar menjëherë fjalëkalimin e fshehtë, të cilin e di që nga personi që e ndërtoi faqen, mësuesi Aleksandër Cerro, e të gjithë ata mësues që ishin në stafin e zyrës arsimore e janë larguar prej andej”, shprehet Lina Vaso. Për përdorimin e paautorizuar nga persona të jashtëm të faqes zyrtare të zyrës arsimore në internet, ajo tha se ka njoftuar policinë, ndërkohë që ka bërë denoncimin edhe në Prokurorinë e Sarandës.








#