Specialistja Mimoza Petani shpjegon mënyrat e trajtimit nëpërmjet produkteve bimore parafarmaceutike




Megjithëse problemet shëndetësore që përjetojnë gratë gjatë perimenopauzës dhe menopauzës janë komplekse dhe shumëplanëshe, ekzistojnë shumë opsione për trajtimin e efekteve anësore të këtyre dy momenteve të rëndësishme të jetës. Opsionet përfshijnë si trajtime me bazë bimore, ashtu edhe trajtime konvencionale. Duhet sqaruar se nuk është aspak qëllimi i këtij artikulli të hyjë në detaje dhe të këshillojë trajtime të caktuara. Gjithkush duhet të kërkojë informacion shumë më të hollësishëm, si dhe të konsultohet me një ofrues shërbimesh shëndetësore


para se të vendosë mbi trajtimin e përshtatshëm. Parimi që duhet ndjekur në gjykim është kërkimi i opsioneve sa më të balancuara. Trajtimet konvencionale nuk janë aq të “këqija” sa mundohen t’i portretizojnë praktikuesit e mjekësisë alternative. Nga ana tjetër, trajtimet me bazë bimore nuk janë aq të “paefektshme” sa mundohen t’i portretizojnë mjekët “konvencionalë”. Të dy përafrimet mund të jenë efektivë në trajtimin e aspekteve të caktuara të simptomave të perimenopauzës dhe menopauzës.


Tri fazat


Termi menopauzë i referohet ndalimit të aktivitetit të ovareve (vezoreve), që shoqërohet me ndalime relative të ciklit menstrual. Kjo ngjarje modifikon organizmin duke sjellë shqetësime, të cilat përfshijnë sferën psiko-fizike. Menopauza është periudhë fiziologjike e jetës me të cilën duhet të përballet çdo femër. Fillimisht duhet pasur parasysh funksioni i vezoreve. Ato kanë dy funksione bazë: endokrine (prodhimi i hormoneve femërore si estrogjeni dhe progresteroni; gametogeneza (prodhimi i vezës). Menopauza kalon në tri faza që janë: premenopauza, menopauza e vërtetë dhe postmenopauza.


Premenopauza karakterizohet nga shfaqja e simptomave si ankthi, afshet e nxehtësisë dhe çrregullimet e ciklit menstrual. Gjatë kësaj faze, cikli menstrual shkurtohet dhe gjakrrjedhjet janë më të bollshme. Kjo i dedikohet uljes së progresteronit si fillim që ndiqet nga ulja e mëvonshme dhe e menjëhershme e estrogjenit.


Edhe këtu kemi afshe nxehtësie, irritim, ankth, tharje vaginale dhe shtim në peshë. Këto probleme krijojnë terrenin e përshtatshëm për zhvillimin e osteoporozës dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Në këtë fazë ovaret nuk prodhojnë më hormone.


Postmenopauza fillon shumë vite pas menopauzës rreth moshës 60 vjeç dhe shoqërohet me sëmundje dhe komplikacione kardiovaskulare si dhe osteoporozë. Duke pasur parasysh të gjitha komplikacionet e menopauzës si: çrregullimet e humorit, cistitet e shpeshta, që me kalimin e viteve rrallohen derisa eliminohen, rënia e tonusit të gjoksit, rritja e triglicerideve dhe kolesterolit, si dhe rritja e riskut për ateriosklerozë dhe infarkt të miokardit, duhet që të zgjatet sa më shumë në kohë ekuilibri hormonal femëror. Prandaj parashikohet një trajtim hormonal zëvendësues sapo të shfaqen shenjat e para të menopauzës.


Trajtimi


Sot për sot propozohet trajtimi me zëvendësim hormonal me doza të caktuara, të cilat duhen përshtatur në përputhje me peshën, moshën, konstruktin dhe veçoritë individuale që ka çdo person, për të shmangur efektet anësore që japin dozat e rritura të hormoneve, si për shembull: dhimbje gjoksi, humbje vaginale, nausea, dhimbje koke, puçrra dhe irratibilitet. Kjo terapi është e dëmshme dhe nuk duhet bërë te femrat që kanë tumor gjiri apo kanë pasur më parë ndonjë të tillë, tek ato që kanë pirë duhan, që kanë probleme me mëlçinë, dhe kanë probleme me qarkullimin e gjakut. Sot po diskutohet shumë për efektin kancerogjen të estrogjenit mbi endometriumin (shtresa e brendshme e mitrës) dhe progresteronit mbi gjirin. Është provuar tashmë shkencërisht që produktet natyrore tolerohen më mirë nga organizmi dhe lejojnë personalizimin shkencor të trajtimit. Arsye tjetër pse femrat preferojnë një fitoterapi (trajtim me produkte bimore) është fakti që ato nuk duan të përdorin hormone, ndërsa me fitoterapinë nuk ka efekte anësore si dhe ekziston një gamë e gjerë produktesh, si: fitoelementet, oligoelementet, vitaminat probiotike dhe fibrat prebiotike, mes të cilave mund të zgjidhen kombinime të ndryshme sipas nevojës dhe specifikës së secilit, duke personalizuar skemën e trajtimit. Një fakt interesant për t’u përmendur është ai i grave aziatike, të cilat nuk i njohin shenjat e menopauzës, si ankthin, afshet e nxehtësisë, djersitjet natën dhe frakturat e kockave nga osteoporoza. Arsyeja qëndron në dietën e tyre që është e pasur me oriz, zarzavate dhe mbi të gjitha me sojë, bimë e pasur me substanca të njohura ndryshe si fitoestrogjene. Këto të fundit janë të pranishme dhe në shumë bimë të tjera përveç sojës, trifoglium pretense, igname, selatico, biancospino etj.



Çfarë janë dhe përse nevojiten fitoestrogjenet


Janë substanca natyrore me strukturë të ngjashme me estrogjenin dhe që veprojnë mbi receptorët e tij me veprim të ngjashëm me to. Është afiniteti që kanë me këto receptorë që të mbrojnë nga kanceri i gjirit dhe mitrës. Është vërtetuar që fitoestrogjenet mbrojnë vazat e gjakut nga arterioskleroza, sëmundja ishemike e zemrës dhe infarkti i miokardit. Efekt tjetër i tyre është edhe ulja e yndyrave në gjak. Gjithashtu duhet përmendur dhe fitoprogresteroni, që ndodhet në sasi më të madhe te bima e qujtur igname selvatiko. Përdorimi i këtyre fitoelementeve parandalon sëmundjet kardiake, osteoporozën dhe shenjat e bezdisshme të menopauzës. Fitoterapia është shumë e rëndësishme, por është shumë e rëndësishme njëkohësisht që të suportohet me oligoelemente që forcojnë kockën, parandalojnë dhe trajtojnë osteoporozën. Shumë të rëndësishme janë: kalciumi, magneziumi, zinku, bakri, bori, vitamina D, dhe ato minore si: mangani, kobalti, flori, kaliumi, fosfori. Po kaq i rëndësishëm në këtë moshë është dhe forcimi muskulaturës. Aspekt tjetër për të cilin duhet kujdesur është dhe prania e një flore intestinale të shëndetshme me fibra prebiotike, që ndihmojnë në thithjen dhe përpunimin e mineraleve dhe elementëve të ndryshëm nutritiv (ushqyes).



Endometrioza


Është një sëmundje gjatë së cilës pjesë të vogla të endometrave migrojnë përmes tubave dhe vendosen në vendet nëpër trup. Fitoprogresteroni është përgjigjja më e mirë. Ai përdoret fillimisht në doza të ulura, që rriten ngadalë deri me zhdukjen e dhimbjeve që jep kjo sëmundje.


Fibroma e uterusit


Janë masa beninje të murit muskulor të uterusit (mitrës). Kanë përmasa të ndryshme dhe për shkak të tyre janë të predispozuara për të shkaktuar prolaps të mitrës ose mosmbajtje të urinës. Shkak i krijimit janë rritja e esterogjenit në krahasim me progresteronin. Në rast marrje fitoprogresteroni fibronet nuk rriten në përmasa dhe mund të ndalohet rritja tyre deri në menopauzë dhe më pas ato atrofizohen.



Bimët që duhen përdorur gjatë menopauzës


Soja


Soja është një bimë e mrekullueshme për efektet që ka në të gjithë organizmin për trajtimin e menopauzës. Ajo është shumë e pasur me lecitine, acid glutaminik, isoflavone etj. Isoflavonet janë substancë me strukturë dhe funksion të ngjashëm me estrogjenin, të quajtura ndryshe dhe fitoestrogjene. Ato janë në gjendje të influencojnë prodhimin dhe metabolizmin e hormoneve seksuale. Fitoestrogjenet janë efikase jo vetëm për ndalimin e simptomave të menopauzës, por dhe në parandalimin e osteoporozës dhe hiperkolesterolemisë. Falë efektit të tyre mbi receptorët B ato mbrojnë ndaj kancerit të gjirit, sëmundjeve dhe kancerit të endometriumit; dhe stimulojnë sintezën e proteinave lidhëse të estrogjenit, duke ulur nivelin e tij të tepërt në gjak.


Trifoglium prateus (tërfili i egër)


I përket familjes së bishtajoreve. Është një bimë 2-vjeçare me lule verore. Kjo bimë është e aftë të fiksojë azotin dhe është e pranishme në shumë varietete. Trifogliumi është shumë i pasur me isoflavone ose të ashtuquajturat fitoestrogjene, të mirënjohura për efektin e tyre pozitiv në reduktimin e simptomave të menopauzës dhe efekteve ose komplikacioneve të saj.


Igname


Është një bimë e pasur me fitoprogresterone. Ky është një element shumë i nevojshëm dhe i dobishëm. Shërben si diuretik natyral, duke iu kundërvënë mbajtjes hidrike, fryrjes së këmbëve dhe barkut. Mbron nga fibrokistitet gjoksin dhe ul tensionimin e mameve, si dhe parandalon formimin e fibromave të mitrës. Tjetër efekt i rëndësishëm është ai i transformimit të yndyrave në energji, kundërshton mbipeshën dhe depozitat e yndyrave. Është antidepresiv natyral, duke ulur apo hequr çrregullimet e humorit, uljen e libidos dhe dëshirën për sheqer. Aktivizon receptorët e estrogjenit, ul riskun e infeksioneve urinare, që janë shumë të shpeshta te gratë në menopauzë. Igname është përgjigjja fitoterapeutike ndaj formimit të kisteve, të ovareve (vezëve) dhe dhimbjeve ovare. Në qoftë se progresteroni natyral merret para ovulacionit, mund të ndihmojë në riekuilibrin hormonal, në mënyrë të tillë që kisti nuk do të stimulohet dhe brenda 2-3 muajve do të zmbrapset dhe atrofizohet pa trajtime të tjera.


Bambu


Është një bimë shumë e pasur me silic, mineral ky që është i lidhur drejtpërdrejt me munerdizimin e kockës dhe me sintezën e kolagjenit, që nga ana tjetër shërben si bazë mbi të cilën vendosen qelizat e kockës dhe ato të indit lidhor. Silici nga ana tjetër favorizon thithjen e fosforit dhe akumulimin e kalciumit drejtpërdrejt në osteoblast (qeliza e kockës), duke u bërë i domosdoshëm për mineralizimin e kockës. Marrja e silicit ka veprim të drejtpërdrejtë në forcimin e kockave, dhëmbëve, thonjve dhe favorizon rritjen e kockës së gjatë.