14/06/2005  Maniaku seksual një foto e mbante vetë, ndërsa një ua jepte viktimave, që të ishin nën presion të vazhdueshëm


Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë arritur të sekuestrojnë dhe kanë nëpër duar fotot nudo ta vajzave të dhunuara nga maniaku seksual 49-vjeçar, Arben Tollia. Prova e fortë në dorë të hetuesve vërteton përfundimisht dhunën fizike dhe psikologjike që Tollia ka ushtruar mbi viktimat e tij. Por, për fat të keq, disa prej vajzave i kanë grisur fotot nudo që Tollia u kishte bërë. Pasi i tërhiqte në pritë me anë të telefonatave të përzemërta, Tollia i përdhunonte vajzat e reja, që në mjaft raste kanë qenë edhe të mitura. Ndërsa më pas, i fotografonte nudo dhe i kërcënonte se po të tregonin, këto foto do t’i çonte pranë familjeve të tyre. Një foto ai e mbante vetë, ndërsa një ua jepte vajzave, viktima të dhunës së tij, me qëllim që këto të fundit t’u bindeshin urdhërave. Pas marrjes së denoncimeve, disa nga vajzat kanë dorëzuar në cilësinë e provës materiale fotot që përdhunuesi i tyre u kishte bërë. Materialet, u janë bashkangjitur atyre që i janë gjetur Tollisë. Por, ky i fundit deri tanimë nuk ka pretenduar të japë ndonjë shpjegim apo të flasë të paktën një fjalë për akuzat e ngritura ndaj tij.


Fotot


Dëshmive të vajzave të dhunuara, ekspertizave mjeko-ligjore u janë shtuar në cilësinë e provës materiale edhe fotot nudo që Tollia kishte nxjerrë për të kërcënuar viktimat e tij. Disa prej fotove që ai ka nxjerrë janë dorëzuar nga vetë viktimat, të cilat i kanë ruajtur. Ndërsa të tjera foto i janë gjetur Tollisë, pas kontrolleve të ushtruara në banesën dhe autoveturën e tij. Lajmi është bërë dje i ditur për gazetën nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se këto foto vërtetojnë totalisht dëshmitë e vajzave të përdhunuara nga Tollia. Prokuroria e Krimeve të Rënda disponon pesë dëshmi të siguruara në gjykatë në cilësinë e provës materiale.


Rastet


Ndërsa në polici janë denoncuar 15 raste të tilla. Sipas burimeve, Tollia, pasi u bënte fotot nudo vajzave, një e mbante vetë dhe një ua jepte atyre. Kjo, me qëllim që presioni psikologjik ndaj tyre të vazhdonte, edhe kur nuk ndodheshin me të. Por disa nga vajzat kanë pohuar se i kanë grisur fotot, pasi nuk mund të përballonin pamjen e tyre, shtojnë burimet. Të gjitha këto materiale në cilësinë e provës janë arkivuar, që të paraqiten kur dosja të mbërrijë në gjykatë.


Përdhunimet


Maniaku seksual 49-vjeçar nga fshati Xhafzotaj i Durrësit, Arben Tollia, i joshte viktimat e tij nëpërmjet telefonit. Duke iu prezantuar si një djalë i ri dhe i dashuruar pas tyre, u kërkonte takim. Por gjithë fjalët e tij të ëmbla transformoheshin në bishën që i torturonte vajzat e mitura në mënyra ekstreme. Gjithçka përmbysej posa vajzat që kishin rënë në grackë, shikonin se nuk kishin të bënin me një djalë të ri, por me një të moshuar të dhunshëm. Ai u linte takime në zona të papopulluara, larg syve të njerëzve. Në këto kushte të thirrurat dhe britmat e vajzave nuk mund t’i shpëtonin dhe Tollia i fuste me dhunë në makinë. Më pas vinte dhe pjesa më e dhimbshme për vajzat, një pjesë e të cilave kanë qenë edhe studente. Ato përballeshin me një mostër të vërtetë, që veçse i dhunonte seksualisht, i torturonte në mënyra ekstreme. Në fund të dhunës seksuale ai i fotografonte nudo viktimat e tij dhe me anë të këtyre fotove i kërcënonte që të mos tregonin. Tollia u thoshte se, nëse tregonin fotot, do t’ua çonte familjarëve të tyre dhe me anë të këtij presioni i detyronte viktimat që t’i sillnin në grackë shoqet e tyre. Dhe kështu me radhë vepronte me të gjitha ato vajza që shtinte në dorë. Por, Tollia akuzohet edhe për trafikim të femrave me qëllim prostitucioni të mbetur në tentativë, përfundojnë burimet e organit qendror të akuzës.


Viktimat, të mitura dhe studente


Të mitura dhe studente ishin gjahu më i shumtë i Arben Tollisë. Dëshmitë e dhëna nga të dëmtuarat kanë zbardhur skemën e mashtrimit dhe dhunës, duke e plotësuar me prova dosjen për të pandehurin. Sipas burimeve të Prokurorisë, Tollia përdorte celularin si karrem. Ai u binte numrave si rastësisht dhe u prezantohej si djalë i ri e i mashtronte me fjalë të bukura, thonë burimet. Madje, ai u premtonte edhe ndihmë ekonomike dhe gjithçka ato mund t’i kërkonin nëpërmjet telefonit. Gjithashtu është konkluduar se në disa raste Tollia u binte numrave që as vetë si njihte dhe, pasi kontaktonte me ndonjë vajzë i kërkonte të njiheshin. Por, gjithçka ndryshonte në realitet. Madje, për të pasur sukses në “aventurat” e tij, Tollia përzgjidhte vajza të mitura, të cilat ishin më të brishta dhe të paditura, ose studente. Preja e tij e kuptonte pas takimit se në çfarë gracke kishte rënë, por ishin të detyruara t’i bindeshin, pasi dhuna psikologjike dhe fizike që Tollia ushtronte mbi to ishte jo e zakonshme. Pasi i përdhunonte, ai i fotografonte nudo dhe i kërcënonte të mos tregonin se do t’ua tregonte familjarëve të tyre.