Jonida Tashi

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, përcakton normën e re mësimore për mësuesit në arsimin parauniversitar. Kështu, sipas udhëzimit ”Normat e punës mësimore në arsimin parauniversitar dhe standarde të lidhura me to”
që mban firmën e ministrit Tafaj, duke filluar nga semestri i dytë i vitit mësimor 2009-2010, normat e punës mësimore në sistemin arsimor parauniversitar, do të jenë si më poshtë.
Normat
Përveç normave për mësimin, Tafaj ka përcaktuar edhe normat e veçanta për arsimtarët. Kështu, mësuesi që drejton bibliotekën dhe punon me librin në shkolla, i ulet norma mësimore 3 orë në javë. Ndërsa mësuesit e shkollave të mesme profesionale që ngarkohen me drejtimin e bazave prodhuese të mëdha (përgjegjës i bazës prodhuese), kanë gjysmën e orëve mësimore. Më tej, kryetarit të Sindikatës së Arsimit në një rreth, që ka numër më të madh anëtarësh, do t’i ulet norma 8 deri në 10 orë në javë. Në rastet kur sindikata ka më shumë se 1000 anëtarë, mund të punojë edhe një anëtar i kryesisë së sindikatës së rrethit me 6-8 orë mësimore në javë më pak. Në shkollat e mesme veterinare, mjekëve veterinerë që drejtojnë sektorë në klinikën veterinare pranë shkollës, do t’u ulet ngarkesa me 4 orë javore. Mësuesit të shkollës 9-vjeçare, që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma si më poshtë: në shkollat deri 300 nxënës 4 orë më pak; në shkollat me 301-700 nxënës 6 orë më pak. Mësuesit të shkollës 9-vjeçare me mbi 700 nxënës, që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma mësimore 8 orë ose mund të ketë një sekretare pa ngarkesë. Për llogaritje të punonjësve mësimorë, të nevojshëm, të merret parasysh plani mësimor dhe norma mësimore javore. Në ciklin e ulët të shkollës 9-vjeçare, të llogaritet për çdo klasë, një mësues. Në ciklin e ulët, për efekt pagese, orët suplementare, në klasat kolektive do të llogariten mbi ngarkesën javore, 24 orë, kur klasa kolektive ka mbi 10 nxënës, dhe, mbi ngarkesën javore, 26 orë, kur klasa kolektive ka nën 10 nxënës.
Orët shtesë
Në ciklin e lartë, ora suplementare për mësuesit e klasave kolektive, llogaritet mbi ngarkesën javore 22 orë (sipas normës mësimore javore të përcaktuar më lart. Drejtorit të shkollës që zhvillon mësim në ciklin e lartë me klasat kolektive, orët suplementare, i llogariten mbi ngarkesën javore, 14 orë, dhe jo më shumë se tri orë suplementare në javë. Për plotësimin e normës mësimore, mësuesi i shkollës 9-vjeçare ngarkohet edhe me orë mësimore jashtë profilit, pa cenuar cilësinë e procesit mësimor dhe kompetencën profesionale. Mësuesve që, për shkak të programit mësimor, japin orë mësimore mbi normën e miratuar, u paguhen orë mbi normë, deri në 240 orë mësimore në vit. Pagesa e orëve suplementare do të bëhet sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.194, datë 22.4.1999 “Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve mësimorë, në arsimin parauniversitar”, të ndryshuar, ku përcaktohet masa e pagesës për çdo orë mësimore mbi normën e lejuar. Mësimi i edukimit fizik zhvillohet veç për djem e veç për vajza. Në shkollat 9-vjeçare e të mesme në qytet, kur klasat kanë përbërje me më pak se 10 nxënës të një gjinie, mësimi i edukimit fizik bëhet duke bashkuar grupet e dy klasave paralele. Për shkollat me një paralele, kur klasa ka përbërje me më pak se 12 nxënës të një gjinie, mësimi i edukimit fizik të zhvillohet bashkë, djem e vajza. Mësuesit që punojnë/zhvillojnë orë të veçanta në institucionet e arsimit parauniversitar (shkolla) dhe punojnë në institucione/biznes, si për shembull trajnerë, sportistë, inxhinierë, teknikë të lartë, mjeshtër do të paguhen vetëm për orët e mësimit që zhvillojnë në shkolla.


12 Shkurt 2010