Ekspertja kryesore e PS-së për arsimin, Ledi Shamku, sqaron alternativën e PS-së për arsimin në vend





TIRANË- Kandidatja për deputete e PS-së për Qarkun e Tiranës, Ledi Shamku, nën cilësinë e kryetares së Komisionit për Arsimin në Asamblenë Kombëtare të PS-së,





ka shpjeguar dje, në një intervistë për "Shekulli"-n, programin që PS-ja ka për arsimin. Shamku jep një panoramë të gjerë të situatës aktuale në arsim, si dhe ofron alternativën e PS-së, për të ndryshuar gjendjen aktuale.





Çfarë përmban programi juaj politik për arsimin në të gjitha nivelet e tij?





Faleminderit për pyetjen, pasi më jep mundësinë t'i mëshoj edhe në herë faktit se programi ynë nuk është një program thjesht politik, e aq më pak elektoral.





Për herë të parë në historinë e këtyre tetëmbëdhjetë vjetëve sorollatje e shtigjesh pa krye, Partia Socialiste hyn në zgjedhje me një program të mirëfilltë qeverisës, e përsëris, me një program qeverisës! Këtë program e kemi gati për çdo fushë, e aq më fort për Arsimin, i cili ka përcaktuar gjithkund e në çdo kohë ardhmëninë e një shoqërie.





I mbahemi fort kësaj besojmë pasi arsim do të thotë integrim, arsim do të thotë punësim, arsim do të thotë kohezion social, arsim, tek e fundit, do të thotë dinjitet dhe liri.





Nuk ka gjasa të dhunohet dinjiteti dhe demokracia në një shoqëri të mirarsimuar, dhe shqiptarët këtë kanë kërkuar brez pas brezi: të rrojnë me dinjitet e të mos merren më peng nga dhuna ideo-politike. Këtë kërkojnë edhe sot. Programi ynë qeverisës përmban dhe shpreh vetëdijen e shqiptarëve për t'i shkolluar bijtë e tyre si europianë.





Duke vijuar me detajet: Gjithë duke ju përmbajtur këtij qëllimi final, puna jonë me sistemin arsimor do të nisë nga vetë ndërtimi i sistemit arsimor sipas standardeve që Europa rrotull nesh ka përcaktuar prej kohësh.





Nëse pas katër vjet qeverisjeje, ministrat e Berishës pohojnë sot krahëlëshuar se "me gjithë përpjekjet tona, nuk ia dolëm dot të ndërtonim programe e kurrikula bashkëkohore për arsimin", ne kemi gati planveprimin tonë për t'i përafruar, para së gjithash, këto programe e kurrikula me një sistem europian të suksesshëm, e madje duke bashkëpunuar ngushtësisht me qeverinë e Prishtinës për unifikim e tyre.





Kjo është puna e vërtetë për një atdhetari të re! Në një Europë që priret të fshijë kufijtë ndarës mes shtetesh, nuk ka arsye të ngrihen mandej kërcënueshëm kufijtë kulturorë e arsimorë, e aq më tepër mes shqiptarësh.





Veç kësaj, ndryshe nga çdo vendimmarrje autarkike e derimësotme, në shtetin e ri të shqiptarëve, që do të ndërtojmë pas 28 qershorit, procesi i përafrimit të programeve dhe kurrikulave do të shoqërohet nga konsultime të vijuara me ekspertë e grupe interesi.





Prej kurrikulave të qarta sipas modelit europian, do të përftohen tekste shkollore po kaq të qarta, bashkëkohore e me dije që ndihmojnë rritjen intelektuale të fëmijëve.





Pra, do t'i jepet fund kaosit të pashoq që ka krijuar Alterteksti, reformë të cilën, sikundër shihet, e hodhi poshtë edhe vetë kjo qeveri, duke ndërkallur befas për vitin e ardhshëm katër tekste shkollore të përkthyera krah tetë tekstesh të tjera të hartuara nga autorë shqiptarë.





Po si do të integrohet matematika "made in Albania" me fizikën "made in Italy"?! Kush e bëri transparent këtë proces hibrid? Me cilët ekspertë, mësues e botues u konsultua Ministria? Tjetër autokraci kjo, të cilën e paguajnë vetëm nxënës e mësues!





Vijojmë më tej: Nëse, sipas statistikave të Organizmave Ndërkombëtarë, 12% e popullsisë nuk është në gjendje të shkruajë e të lexojë, pra identifikohet si analfabete, ne do ta nisim punën pikërisht nga një tjetër standard europian, i papublikuar kurrë deri më sot: nga testi i shkallës së alfabetizmit, i cili do të shndërrohet në procedurë të rregullt për çdo nxënës që përfundon klasën e dytë të arsimit fillor.





Nuk mund të kujtohemi për cilësinë e shkrim-këndimit kur nxënësit të kenë mbaruar gjimnazin. Nuk kemi shqiptarë për të humbur rrugës e për t'i lënë peng të padijes. Vijojmë më tej: Duke studiuar të dhënat, vihet re se, sot për sot, arsimin e detyruar e përfundojnë çdo vit afro 63 mijë nxënës, ndërsa arsimin e mesëm afro 30 mijë.





Pra, më shumë se gjysma e këtyre fëmijëve mbeten me thjesht arsim 9-vjeçar, dhe këta janë më së shumti fëmijë të zonave rurale, e madje shumica vajza, pra nënat e nesërme.





Një nga arsyet madhore për të cilën ne do ta fuqizojmë fort arsimin e mesëm profesional, është pikërisht për të mos i humbur rrugës këta fëmijë, pra për të mos i lënë peng të varfërisë që u vjen kryesisht si pasojë e arsimimit të tyre të ulët. Sipas USAID-it, shqiptarët rezultojnë sot me një mesatare vitesh shkollimi prej 9.5 vitesh, ose 5 vjet më të ulët se e mesmja europiane.





Këtë tregues nuk do ta ngremë artificialisht përmes "liberalizimit" të universiteteve, por realisht, pra, përmes fuqizimit të arsimit dhe formimit profesional, duke i ofruar çdo nxënësi mundësi të ndryshme e të shumta shkollimi, në përputhje më aftësitë dhe talentet e gjithsekujt. Për këtë do të themelojmë arsimin dhe formimin e njëmendtë profesional, të cilin kjo qeveri e premtoi fort para katër vjetësh, dhe dështoi plotësisht.





Madje, para një muaji, në Konferencën e Donatorëve, Berisha i kërkoi publikisht ministrit Beja të nisë e të studiojë shkaqet pse pas katër vjetësh nuk u themelua dot arsimi e formimi profesional, ky sektor jetik për Shqipërinë, e cila ndonëse më e papunë se kurrë, shtrëngohet sot të punësojë zanatçinj e teknikë kinezë, turq, kroatë e gjithfarë, pasi kurrkush nuk i aftësoi shqiptarët për teknologjitë e dijet bashkëkohore.





E jo vetëm kaq, por askush nuk e studioi tregun e punës, privat e publik, për ta integruar këtë formim me kërkesat e tregut, pra për t'i dhënë siguri punësimit. Këtë studim ne e kemi kryer, e pos studimit, kemi përcaktuar edhe lehtësitë fiskale dhe ekonomike ndaj biznesit privat, i cili do të investojë për aftësimin e të punësuarve të vet. Në programin tonë, shteti dhe privati janë realisht partnerë.





Mësuesit, zemra e reformës sonë, do të jenë jo vetëm të shpërblyer mirë për mundin dhe përkushtimin e tyre, por ata do të rifitojnë atë çka politika e vjetër ua shpërnjohu: dinjitetin që meritojnë. Dhe, natyrisht, profesionalizmi i tyre nuk do të jetë më në mëshirën e murlaneve politike, sikundër ka ndodhur këto katër vjet.





Sa i takon arsimit të lartë, është e papranueshme gjendja e sotme e universiteteve, të cilat janë shndërruar mirëfilli në uzina me tri turne, si pasojë e pseudoliberalizimit të ndërmarrë nga kjo qeveri e papërgjegjshme.





Lidhur me liberalizimin që sot po valëvitet si arritje e standardeve europiane, u kujtoj lexuesve të "Shekulli"-t se po te kjo gazetë, në datën 16 korrik të vitit 2005, z. Genc Pollo, që askokohe përgatitej të drejtonte Ministrinë e Arsimit, u shpreh kategorikisht kundër këtij liberalizimi, madje tha se çdokush që do ta aplikonte këtë, do të mbante përgjegjësi para ligjit.





Veprimi i mëpasmë i këtyre katër vjetëve është një nga dëshmitë tipike se kjo qeveri bëri të kundërtën e asaj që tha, dhe nuk tha atë që në të vërtetë bëri, pra degradimin e arsimit të lartë dhe rrezikimin e investimit dhe ëndrrave të qindra mijëra studentëve.





Paqartësia e statusit të universiteteve në proceset e reja, është shoqëruar me masivizime të paorientuara dhe të pakontrolluara, me inflacion diplomash, me stanjacion ose ulje drastike të cilësisë së tyre, me rekrutime të dyshimta në stafet akademike etj. Procesi i Akreditimit, proces që Berisha e premtoi dhe nuk e mbajti kurrë në 4 vjet, do të nxirret nga aventurimi e sorollatja aktuale dhe do të shndërrohet në një instancë të garantimit publik të së mirës së përbashkët publike, siç janë të gjitha llojet e institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, qofshin ato publike apo private.





Pas akreditimit dhe vlerësimit të universiteteve, publike dhe private, taksapaguesve shqiptarë do t'u sigurohet informacion i hapur në lidhje me listërenditjen e performancave universitare në vend dhe në rajon. Do të nxisim e rregullarizojmë me ligj krijimin e tregut të shërbimeve të specializuar universitare për të tretët.





E po ashtu, autonomia e premtuar (por de facto e cenuar) e universiteteve publike, do të shndërrohet në një realitet të prekshëm përmes përpunimit të një kuadri ligjor të plotë, i cili do të reflektojë me këmbëngulje vizionin tonë për një arsim të lartë me frymëzim evropian, në një Shqipëri europiane. Kjo është vetëdija e shqiptarëve, ky është edhe vullneti ynë!





Cila është pika me kritike e arsimit, aktualisht?





Mungesa e plotë e strategjisë dhe programit, ndërhyrjet kuturu pa faturë ekonomike e as morale ndaj kombit, shpërfillja e dialogut jetik me mësues, prindër dhe biznese lokale. Por ajo çka vërtet të trishton dhe të revolton njëherësh në përmbyllje të këtyre katër viteve të qeverisjes së Sali Berishës, është vënia e plotë e arsimit nën diktatin e politikës.





Në përfundim të këtij mandati rezulton të kemi arsim politik, jo politika arsimore. Sheshet e mitingjeve të PD-së që mbushen forcërisht me mësues e nxënës dhe deklarata e z. Beja se "pjesëmarrja e fëmijëve nëpër mitingje ndihmon në shëndetin e tyre mendor", janë vërtet therëse, të dhimbshme dhe të patolerueshme. E pikërisht se janë të tilla, ato marrin fund më 28 qershor.





Ku ndryshon programi juaj me atë të PD-së, në lidhje me çështjen e arsimit?





Partia Socialiste ka një program qeverisës, jo një shajnitje elektorale.





Sa i takon listës së premtimeve të PD-së, do të qe etike dhe e ndershme që premtuesit e dymijë e pesës, që janë edhe qeverisësit e mandatit 2005-2009, t'i shihnin këto ditë në sy shqiptarët e t'u thoshin pse dështuan me premtimin për buxhet 5%, pse dështuan me arsimin profesional që, edhe sipas vetë Kryeministrit, mbeti po ai që ishte në 2005-ën, pse dështuan në premtimin për cilësi në arsim, kur sot nota mesatare e maturës rezulton 6.5 në Letërsi dhe 5.7 në lëndë me zgjedhje, si Filozofia, Fizika, Kimia etj.





T'u thotë shqiptarëve pse vijuan të mbeten klasat kolektive dhe universitetet me po ato godina dhe pa laboratorë e pa lidhje me tregun e punës. T'u thotë pse dështoi me Altertekstin, tash që u kthye mbrapsht, duke u humbur nxënësve plot tre vjet nga jeta, pse dështoi me akreditimin e universiteteve.





T'u thotë pse arsimin privat e taksoi ajo vetë me TVSH 20% dhe mandej po ajo vetë premtoi ta heqë këtë barrë, por nuk e hoqi...





Por politika e vjetër nuk ka moral, ndaj edhe PD-ja lëshon në ajrì premtime të reja, pa iu përgjigjur asnjërës nga pyetjet e mësipërme. Gjithsesi, shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin.





Plani i Veprimit





PS-ja ka gati planveprimin për t'i përafruar, para së gjithash, këto programe e kurrikula me një sistem europian të suksesshëm, e madje duke bashkëpunuar ngushtësisht me qeverinë e Prishtinës për unifikim e tyre. Kjo është puna e vërtetë për një atdhetari të re!





Shifrat





Nëse, sipas statistikave të Organizmave Ndërkombëtare, 12% e popullsisë nuk është në gjendje të shkruajë e të lexojë, pra identifikohet si analfabete, ne do ta nisim punën pikërisht nga një tjetër standard europian, i papublikuar kurrë deri më sot: nga testi i shkallës së alfabetizmit, i cili do të shndërrohet në procedurë të rregullt për çdo nxënës që përfundon klasën e dytë të arsimit fillor.





Nuk mund të kujtohemi për cilësinë e shkrim-këndimit kur nxënësit të kenë mbaruar gjimnazin. Nuk kemi shqiptarë për të humbur rrugës e për t'i lënë peng të padijes.





Vullneti i PS-së





Pas akreditimit dhe vlerësimit të universiteteve, publike dhe private, taksapaguesve shqiptarë do t'u sigurohet informacion i hapur në lidhje me listërenditjen e performancave universitare në vend dhe në rajon. Do të nxisim e rregullarizojmë me ligj krijimin e tregut të shërbimeve të specializuar universitare për të tretët.





E po ashtu, autonomia e premtuar (por de facto e cenuar) e universiteteve publike, do të shndërrohet në një realitet të prekshëm përmes përpunimit të një kuadri ligjor të plotë, i cili do të reflektojë me këmbëngulje vizionin tonë për një arsim të lartë me frymëzim evropian, në një Shqipëri europiane. Kjo është vetëdija e shqiptarëve, ky është edhe vullneti ynë!



Ku dallon programi





Partia Socialiste ka një program qeverisës, jo një shajnitje elektorale. Sa i takon listës së premtimeve të PD-së, do të qe etike dhe e ndershme që premtuesit e dymijë e pesës, që janë edhe qeverisësit e mandatit 2005-2009, t'i shihnin këto ditë në sy shqiptarët e t'u thoshin pse dështuan me premtimin për buxhet 5%, pse dështuan me arsimin profesional që, edhe sipas vetë Kryeministrit, mbeti po ai që ishte në 2005-ën, pse dështuan në premtimin për cilësi në arsim, kur sot nota mesatare e maturës rezulton 6.5 në Letërsi dhe 5.7 në lëndë me zgjedhje, si Filozofia, Fizika, Kimia etj.





T'u thotë shqiptarëve pse vijuan të mbeten klasat kolektive dhe universitetet me po ato godina dhe pa laboratorë e pa lidhje me tregun e punës.





T'u thotë pse dështoi me Altertekstin, tash që u kthye mbrapsht, duke u humbur nxënësve plot tre vjet nga jeta, pse dështoi me akreditimin e universiteteve. T'u thotë pse arsimin privat e taksoi ajo vetë me TVSH 20% dhe mandej po ajo vetë premtoi ta heqë këtë barrë, por nuk e hoqi..