Dita e 14 shkurtit, ose Shën Valentini, është festa më e famshme e të dashuruarve që festohet në mbarë botën, por e mbajtur edhe si një prej ditëve në të cilën bëhen më shumë shpenzime për dhurata. Në këtë ditë emëruesi i përbashkët janë dhuratat, që bëhen për të befasuar partnerin ose partneren me qëllim që t’i fitosh zemrën. Në Shqipëri, sipas pronarëve të dyqaneve të dhuratave, po vihet re një tendencë në ulje për të bërë dhurata në këtë ditë, natyrisht si shkak kryesore përmendet efekti krizë, i cili po step blerësit të kryejnë shpenzime luksoze. Për pronarët e këtyre dyqaneve muaji shkurt, edhe pse brenda ka një festë të veçantë, nuk hyn te muajt më të mirë për shitjet. Ata thonë se blerjet janë reduktuar në rreth 50 për qind, por nuk përjashtojnë rastet kur “dorëlëshuarit” bëjnë dhurata, të cilat shkojnë mbi 500 euro. Në këtë kategori më shumë hyjnë të fejuarit ose edhe bashkëshortët (e pasur), të cilët nuk ngurrojnë të hapin portofolat e tyre për t’i bërë një surprizë partneres së tyre. Blerësit më të mirë, pa dyshim, janë meshkujt, të cilët synojnë të flasin me gjuhën e dhuratave të shtrenjta e mbresëlënëse. Po cila janë disa prej dhuratave më të përdorura në këtë ditë?



Lulet



Lulet ishin një nga dhuratat më të shitura në ditën e 14 shkurtit në Tiranë. Më të preferuarit ishin trëndafilat e kuq, që në gjuhën e luleve simbolizonin pasionin. Çmimet varionin nga mënyra e gërshetimit të luleve, por edhe nga fakti nëse preferoheshin ose jo në një vazo. Një buqetë me 12 trëndafila të kuq, të ardhur nga kopshtet e Holandës kushtonte nga 3000- 6000 lekë.



Çokollatat



Çokollatat që konsiderohen si “ushqimi i dashurisë” në këtë ditë kanë përbërë një prej dhuratave bazë. Kjo shihej gati në të gjitha dyqanet dhe supermarketet e kryeqytetit ku që në orët e para të mëngjesit konfeksionet me çokollata për dhuratë ishin boshatisur në rafte. Çokollatat në formë zemre ishin ato që tërhiqnin më shumë vëmendjen dhe kushtonin më pak. Një paketë me çokollata në formë zemre kushtonte nga 800-2000 lekë.



Orët



Një dhuratë interesante, por jo fort e tërhequr nëpër dyqanet e posaçme ishin dhe orët e dorës. Për meshkujt, por edhe për femrat, këtë herë janë preferuar orët e mëdha, sportive, me rrip lëkure. Çmimet varionin nga 2000-4000 euro për orët e markës, ndërsa për orët e tjera imitacione vlera niste nga 600-2000 lekë.



Bizhutë



Bizhutë, edhe pse përbëjnë një kategori dhuratash të zgjedhura për njerëz me shije, kanë qenë më pak të tërhequr këtë 14 shkurt. Për byzylykët çmimet varionin nga 700-1500 euro nën siglën “Bvlgari”, të zbukuruar edhe me perla. Edhe vëthët kanë qenë të kushtueshëm, ku ata prej ari, platini, me diamant ose me gur turkez, kushtonin deri në 500 euro. Bizhutë e flokëve që njihen me emrin “hair jewels” varionin nga 200-800 euro. Të shumëllojshme janë edhe unazat, çmimet e të cilave me diamant të vërtetë fillonin nga 6000 euro me flori 18 karatësh.



Setet e tualetit



Një dhuratë e përdorur dje, por jo në masë të madhe, kanë qenë edhe setet e tualetit. Në përbërjen e tij ishin parfume, të shoqëruara me kremra të veçanta fytyre, me çmime që shkonin 67 euro.









16 Shkurt 2009