Çelet fondi 5.5 milionë eurosh për fazën e dytë të projektit për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. Marrëveshja u nënshkrua dje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe  zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab (KFAED), Hisham El-Wigayan).Me anë të kësaj shume parash do të realizohet zbatimi i fazës së dytë të projektit për sheshin në Qendër. Marrëveshja e kredisë, dhënë nga KFAED për qeverinë e Shqipërisë, përfshin kanalizime, ujitje, tjegulla, detyrat bujqësore dhe shërbime inxhinierike për Xhaminë e Ethem Beut në Tiranë. KFAED i ka dhënë Shqipërisë gjashtë kredi, me vlerë të përgjithshme prej KD 21 570 000 (75 500 000 dollarë), për qëllim të financimit të projekteve nëpër sektorë të ndryshëm. Projekti i sheshit “Skënderbej” ka nisur vitin e kaluar. Punimet janë ndarë në 3 faza. Faza e parë përfshiu punimet nëntokësore të rrjeteve inxhinerike të reja apo spostimin e rrjeteve ekzistuese. Ndërkohë, faza e dytë kishte për qëllim ndërtimin e platformave dhe bazamenteve, pra bëhet fjalë për shtresat e nevojshme të betonit që do të hidhen. Faza e tretë përfshin aredimin, ku bëjnë pjesë shatërvanët, zbukurimet dhe gjithçka që ka të bëjë me aspektin estetik të sheshit. Me projektin që po zbatohet, qendra e sheshit “Skënderbej” do të ngrihet në nivel në formë piramide, nga kulmi i së cilës mund të shihet sheshi i qytetit. Brenda qendrës do të ndërtohen shatërvanë, ku uji do të jetë i ngjyrave dhe sasive të ndryshme. Ndërtesat ekzistuese nuk do të preken, por do të ndërhyhet në Pallatin e Operas dhe të Baletit, ku do të ndërtohet një hyrje e re, me qëllim që t’i jepet më shumë jetë kësaj godine. Po kështu, projekti parashikon ngritjen e disa ndërtesave të njëjta, të cilat do të shërbejnë si qendra tregtare.