Ish- studenti i Lëvizjes së Dhjetorit, Shinasi Rama, tashmë pedagog i Universitetit të New York-ut në SHBA, mblodhi të premten në mbrëmje në Tiranë një grup politikanësh, gazetarë dhe njerëz të artit, kulturës dhe historisë për të debatuar rreth zhvillimeve politike të 20 viteve të fundit në Shqipëri. Në qendër të debatit ishte libri i tij Përrallat e tranzicionit shqiptar, botuar nga shtëpia botuese Princ në Tiranë.


Libri është një përpjekje për të reflektuar mbi shkaqet e dështimit të proceseve historike në shoqërinë shqiptare. Libri është një ripunim i gjithë veprimtarisë së tij publicistike të këtyre viteve, por mbi një koncept të qartë teorik, në funksion të idesë për të cilën ka shkruar librin.


Duke analizuar atë që ai e quan Paria e Tiranës, Shenasi Rama ka arritur të depërtojë në zemër të virusit të dështimit të qeverisë shqiptare këto 20 vite, duke u ndalur veçanërisht tek deficiti i kulturës demokratike, ndikimi i krahinarizmit dhe humbja e sistemit të vlerave në politikë, humbja e konkurrencës politike, stimulimi i dukurive sociale që ndikojnë negativisht në të ardhmen e një shoqërie cilësore, problemet me drejtësinë, medien dhe zgjedhjet e lira etj.


Në qendër të librit mbetet përsiatja rreth rolit të Sali Berishës në këto 20 vite si monopolizues i zhvillimeve politike dhe diktues i një kursi negativ për shoqërinë shqiptare.


Libri është tejet i pasur me referenca dhe vizatime personazhesh dhe ngjarjesh.


Shinasi Rama është aktualisht profesor në Departamentin e Politikës dhe drejtor i programeve master në New York University në SHBA. Ai ka qenë bashkëthemelues i Partisë Demokratike dhe një nga studentët më të angazhuar në Lëvizjen e Dhjetorit 1990. Përveç studimeve në Shqipëri, ai ka bërë masterin në South Carolina University dhe mban gradën Doktor i Shkencave Politike nga Columbia University.