Tronditja e bursave dhe tregjeve financiare gjatë ditëve të fundit i bëri të gjithë të mendojnë me frikë përsëritjen e skenarit të tmerrshëm të krizës më të madhe në historinë e kapitalizmit modern, atë të viteve 1929-‘32 në SHBA. Aq kritike duket gjendja në shumë institucione financiare amerikane, evropiane, kineze e japoneze, sa shumë nga drejtuesit dhe aksionerët e tyre po i referohen katastrofës së kapitaleve që ndodhi në Azi dhe Lindjen e Mesme në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Barometrat kryesorë të botës financiare e filluan javën në kuotat më të ulëta historike të aktivitetit të tyre, në ato që u cilësuan si "seanca katastrofike". Bursat e Frankfurtit, Parisit, Londrës, Milanos, Amsterdamit, Madridit, Zyrihut, Wall Street-i, Dow Jones, Nasdaq, Moskës, Torontos, Sao Paolos, Bueneos Aires, Santiagos, Bogotas, Meksikos, Hong Kongut, Shangait, Tokios, Xhakartës, Seulit, Bombeit, Dubait, Dohas, etj., u hapën dhe vazhdojnë të funksionojnë duke humbur deri në 10% të kursit të tyre normal. Shifra prej miliarda dollarë, paund, yen apo euro të humbura brenda ditës nga bankat më të mëdha amerikane, evropiane, kineze e japoneze shkaktuan një panik dhe frikë të përgjithshme për atë që mund të ndodhte: recesion dhe krizë ekonomiko-financiare botërore. Asnjëherë institucionet financiare nuk ishin ndeshur më një situatë të tillë kaq problematike e me kaq shumë pikëpyetje për të ardhmen e tyre.

Drejtori i FMN-së, D.Straus-Kahn, e cilëson këtë "si një situatë shumë serioze për të ardhmen e ekonomisë botërore", çmimi "Nobel" në ekonomi, amerikani John Kenneth Galbraith, një nga ekspertët më të mirë në botë për krizat e bursave deklaron se "ajo që ne jemi të sigurt për momentin është se kriza të tilla nuk përfundojnë kurrë me qetësi. Duhet të përgatitemi për më të keqen edhe pse pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë se ajo ka pak gjasa që të ndodhë". Gazeta "Le Monde" në editorialin e saj të disa ditëve më parë evidentonte me shkronja të mëdha se "kriza nuk është vetëm ajo e kredive të këqija në SHBA, por ajo është globale…krizë e kreditit, e financimeve, e ekonomisë botërore në tërësi…sistemi financiar botëror, brenda disa muajve kaloi nga situata e besimit absolut në situatën e dyshimit absolut ndaj tij". Edhe multimiliarderi dhe filantropi, George Soros, në një intervistë në gazetën "Standard" të Vjenës e cilëson situatën "si kriza më e madhe dhe globale që ka përfshirë ndonjëherë botën ekonomike dhe financiare mbas Luftës së Dytë Botërore". Çmimi tjetër "Nobel" në ekonomi, Josef Stiglitz konkludon se "kjo që ndodhi ishte pasojë e parashikueshme e një administrimi të keq të ekonomisë dhe financave botërore", ndërkohë që financieri i njohur M.Roubini parashikon "një recesion të rëndë në SHBA, një ngadalësim të fortë të rritjes ekonomike në Evropë dhe një frenim të ritmit të zhvillimit në vendet emergjente si: Kina, India, Brazili, Rusia dhe Afrika e Jugut".

Por, përtej këtyre shqetësimeve e parashikimeve tashmë qëndrojnë dhe një sërë pyetjesh që kërkojnë përgjigje konkrete. Pse ndodhi një krizë e tillë?, Kush është përgjegjës për këtë situatë dëshpëruese? Sa e parashikueshme dhe e parandalueshme ishte ajo? Cilat janë pasojat direkte dhe indirekte të saj për ekonominë dhe rritjen ekonomike në zona të ndryshme të botës? Kjo është vetëm një krizë amerikane dhe vetëm një krizë financiare apo akoma më keq, është krizë strukturore e ekonomisë botërore? Si mund të dilet prej saj dhe si mund të minimizohen efektet e saj negative? etj.

Tashmë të gjithë janë dakord se origjina e kësaj situate dhe shkaku kryesor i saj është kriza e të ashtuquajturave "subprime mortgage meltdown" ose kreditë të pasurive të patundshme në SHBA. Kjo krizë u shfaq që në vitin 2006 nëpërmjet fenomenit të "rënies spektakolare të kredive hipotekore me risk në SHBA", fenomen pasojat e të cilit pas muajit shkurt 2007 filluan të preknin gradualisht shumë zona e banka të botës, për t‘u transformuar në fund të vitit 2007 dhe fillim të 2008 në një krizë financiare botërore". Këto lloj kredish, që në fund të vitit 2006 kapnin shifrën e 650 miliardë dollarëve ose 23% të totalit të kredive imobiliare në SHBA, fillimisht vunë shumë pikëpyetje mbi institucionet financiare ndërmjetëse, mbi fondet e investimeve dhe sistemin bankar amerikan, për t‘u shndërruar më vonë në një krizë të përgjithshme besimi për sistemin financiar në përgjithësi, në një rënie të tregjeve financiare dhe krizë likuiditeti bankare. Nga frika se kjo krizë mund të ishte shumë e rrezikshme dhe mund të prekte rëndë ekonominë reale, bankat qendrore të shumë vendeve u detyruan që të injektonin sasi të mëdha likuiditeti në tregjet ndërbankare, si dhe të zbusnin politikat e tyre monetare. Kështu, p.sh., vetëm gjatë një dite, më 7 gusht 2007, në ndërhyrjen e parë që u bë për këtë qëllim, Banka Qendrore Evropiane hodhi në tregun evropian 95 miliardë euro likuiditet, ndërsa Feed po në të njëjtën ditë injektoi në tregun financiar amerikan 24 miliardë USD, shifra këto shumë më të mëdha se ato të përdorura për të përballuar situatën e pas atentateve të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Si pasojë e kësaj krize shumë banka pësuan humbje të konsiderueshme dhe zhvleftësime marramendëse të aktiveve të tyre. Vetëm gjatë 2 tremujorëve të fundit të 2007, banka "Goldman Sachs" në SHBA humbi 1.5 miliard USD, Merrill Lynch 8.4 miliardë USD, Citigroup 6 miliardë USD, UBS Zvicër 11 miliardë franga zvicerane, Deutsche Bank 2.2 miliardë euro etj., ndërkohë sipas vlerësimit të "Royal Bank of Scotland", humbjet e bankave në këtë periudhë janë rreth 500 miliardë dollarë.

Por në një ekonomi botërore tashmë maksimalisht të globalizuar dhe financiarizuar, askush nga liderët botërorë, ekspertët e ekonomisë dhe financave apo qarqeve akademike nuk beson më se "kjo katastrofë mund të lokalizohet vetëm në SHBA, apo vetëm në një grup bankash të mëdha në vende të ndryshme të botës...dhe të mos ketë një impakt direkt apo indirekt në rritjen ekonomike dhe problemet sociale të planetit në përgjithësi...aktualisht duket se e gjithë bota është e prekur nga kjo krizë". Ish-presidenti i Feed, Alan Greenspan kishte disa muaj që vazhdimisht insistonte në vlerësimin e tij se "simptomat e recesionit janë prezente në ekonominë amerikane" dhe nuk duhet pritur të ndodhi chock-u për të ndërhyrë. Gjithashtu, edhe në takimin e Davosit u pranua hapur nga të gjithë se "askush nuk e mohon rëndësinë e kësaj krize, por shqetësimet dhe përpjekjet janë që të evidentohen qartë impaktet e saj negative". Sipas Indra Nooyi, presidente e kompanisë "PepsiCola", "kjo krizë është testi i parë i përballjes së vërtetë të botës me globalizimin". Pjesa dërrmuese e ekspertëve gjykojnë se koniunktura ekonomike aktuale tepër problematike amerikane (rënie e ritmeve të rritjes, rënie e vlerës së dollarit, thellimi i deficitit buxhetor, rritja shumë e madhe e borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, rritja e nivelit të papunësisë, deficiti tregtar gjigant etj.) do t‘i transmetojë efektet e saj negative në shumë vende e ekonomi të tjera. Sipas Stephen Roach, përfaqësues i Morgan Stanley në Azi, "kur ekonomia dhe konsumatori Amerika kanë probleme, kjo nënkupton pasoja për gjithë ekonominë botërore". Duke vlerësuar ekonominë amerikane, Presidenti i Eurogroup J.C.Juncker nënvizon se "situata ekonomike në SHBA ka tendencë të përkeqësohet..dhe në qoftë se parashikimet pesimiste për të ardhmen e ekonomisë amerikane ///////////////////////materialihen, atëherë kjo me siguri që do të ketë konsekuenca negative për rritjen ekonomike në gjithë zonën euro". Vendimi i fundit i Fedd për të ulur normën bazë të interesit për dollarin me 0.75 pikë përqindje nga 4.25 në 3.5% duke dhënë njëkohësisht dhe shumë sinjale se në periudhën në vazhdim norma bazë e interesit mund të shkojë deri në 2.75%, si dhe plani mbështetës prej 150 miliardë dollarësh i lançuar së fundi nga Presidenti Bush, kryesisht për lehtësira fiskale, konsiderohen si përpjekje fondamentale për ta nxjerrë ekonominë amerikane nga kriza aktuale.

Por, kriza po i jep efektet e saj edhe në tregjet e tjera veç atyre financiare. Më të prekurit për momentin duken tregjet e lëndëve të para, të cilat pësuan menjëherë atë që quhet "efekti infektues", sepse kriza e bursave dhe tregjeve të kapitaleve shkaktoi menjëherë një "thatësirë likuiditetesh" duke i detyruar shumë nga aktorët kryesorë të këtyre tregjeve, sidomos të ashtuquajturat "hedge funds" (fondet spekulative) që t‘i trajtojnë tregjet e energjisë apo lëndëve të tjera të para si mundësi për të kompensuar humbjet e tyre në tregjet financiare. Nga mjaft ekspertë të këtyre tregjeve, vlerësohet se edhe ngritja e çmimit të naftës bruto në nivele rekord prej 100 dollarë/baril është më shumë pasojë direkte dhe indirekte e ndikimit të krizës financiare, si dhe e veprimit të fondeve spekulative. Kësaj tendence i shtohet dhe rritja e çmimeve të lëndëve të para agro-ushqimore si: gruri, mielli, orizi, vajrat vegjetale, frutat dhe perimet etj., rritje që po influencojnë dukshëm dhe në nivelet e inflacionit në shumë vende të botës.

Pikëpyetjet, analizat dhe parashikimet më të ndjeshme sot janë përqendruar në dy drejtime kryesore. Së pari, cili do të jetë efekti i pritshëm në ekonominë reale dhe rritjen ekonomike në dy grupet më dinamike e influencuese në ekonominë botërore, zona euro dhe vendet emergjente të quajtura grupi BIRK (Brazili, India, Rusia dhe Kina)? Dhe së dyti, cilat janë mësimet kryesore të kësaj krize? Çfarë instrumentesh dhe politikash duhen ndjekur që ajo të mos përsëritet më në të ardhmen?

Megjithëse Evropa duket më e mbrojtur ndaj efekteve të kësaj krize, përsëri institucionet evropiane dhe ato ndërkombëtare parashikojnë një rënie të nivelit të rritjes ekonomike në zonën euro në 2% gjatë vitit 2008 nga 2.3-2.4% që ishte parashikuar. Presidenti i Eurogroup-it, Juncker, parashikon se për shkak të kësaj krize financiare "në vitin 2008, rritja në zonën euro do të jetë dukshëm nën potencialet e saj". Por, gjithsesi, evropianët ndihen më të sigurt në raport me amerikanët dhe vendet e tjera jashtë zonës euro. Ministria franceze e Ekonomisë, Christine Lagarde, jep mjaft mesazhe garancie për të ardhmen e ekonomisë evropiane, duke deklaruar se "ka një diferencë të madhe ndërmjet biznesit amerikan dhe atij evropian….se bazat e ekonomisë evropiane janë mjaft solide". Edhe komisari evropian për çështjet ekonomike dhe financiare, Joaquin Almunia, në kuadrin e diskutimeve dhe propozimeve për të zbatuar në Evropë të njëjtin plan mbështetës për të përballuar koniunkturën ekonomike negative si në SHBA, theksonte se "situata ekonomike në Evropë është më pak preokupuese… se këto masa nuk janë të nevojshme në Evropë për momentin". E njëjta tendencë konstatohet për vendet e grupit BIRK. Shifrat e dy viteve të fundit, 2006 dhe 2007 tregojnë për një rritje ekonomike në nivelet 10-11%, duke i bërë ato në një farë mënyre "motorin e ekonomisë botërore". Por analiza e efekteve të krizës financiare mbi këto vende i ka zbritur në shifrat 7-8% parashikimet për rritjen e tyre ekonomike në 2008.

Mësimet më të mëdha që ekspertët ekonomiko-financiarë dhe liderët më të mëdhenj politikë të botës po nxjerrin nga kjo krizë e paprecedentë është se tashmë fenomeni i globalizimit "na ka vendosur të gjithëve në të njëjtën anije", se çdo "furtunë apo turbulencë" në financat apo ekonominë e disa vendeve apo zonave ekonomike prek menjëherë si efekt domino të gjitha vendet dhe zonat e tjera. Efektet e pritshme në vendet emergjente të grupit BIRK i dhanë fund njëherë e përgjithmonë teorisë dominuese deri tani se "efektet e ekonomisë së vendeve të zhvilluara nuk transmetohen në masë të konsiderueshme në ekonomitë e vendeve të tjera". Ajo që po ndodh me ekonominë amerikane dhe evropiane gjykohet se ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë kineze, japoneze, indiane, ruse, braziliane etj. Kështu p.sh., rënia e fuqisë blerëse në SHBA ndikon direkt në një krizë eksportesh kineze apo indiane, në uljen e të ardhurave të Rusisë nga eksporti i naftës, në uljen e eksporteve braziliane të bioenergjisë etj. Përveç kësaj, evidentohet se mësimi i dytë mjaft i rëndësishëm është ai se "produktet dhe veprimet e tregjeve financiare dhe bankave duhet të jenë sa më transparente e të verifikueshme" në çdo hap në raport me pasqyrimin e saktë të tyre në bilancet dhe kontabilitetin e bankave.