Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të qarkut të Shkodrës ka një fluks të stërmadh dosjesh të paraqitura nga pronarët e vjetër. Ato janë kaq shumë, sa me personelin që ka kjo agjenci, e ka të pamundur të kryejë kthimin e përgjigjes kundrejt  të interesuarve direkt për këtë problem, ndërkohë që afati kohor është vetëm tre muaj. Për këtë problem, shefi i zyrës së AKKP-së, Besnik Kastrati bëri të ditur se \"në fund të dhjetorit që ishte dhe fundi i afatit, kemi pasur një fluks të paparë ndonjëherë.

Ndërkohë, sipas tij, aktualisht në këtë zyrë ndodhen 1300 kërkesa dhe aplikime që janë në proces shqyrtimi dhe për të kthyer përgjigje brenda afateve është e pamundur, sipas tij është e pamundur. \"Duhet më shumë kohë dhe thyen afatet sepse duhet pasur parasysh edhe numri i personelit që është në zyrën rajonale dhe që janë vetëm 8 veta\", vazhdoi Kastrati, i cili përveç mungesës së personelit, ka sqaruar edhe burokracinë dhe zgjatjen e madhe të përgjigjeve nga bashkitë dhe komunat e qarkut të Shkodrës, që janë të detyruar të kthejnë përgjigje në Zyrën Rajonale brenda 10 ditëve. \"Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë dhe për më tepër ka edhe zgjatje me vite. Problematike janë njësitë vendore dhe komunat të Malësisë së Madhe dhe shpeshherë të Pukës, por tashmë dhe disa njësi vendore në rrethin e Shkodrës\", ka shtuar ai. Përveç kësaj, në këtë zyrë, edhe pse ka mbaruar afati i dorëzimit në 31 dhjetor, ka shumë persona që paraqiten me dosje të tilla. \"Në të tillë moment ajo që duhet të vendosë është gjithmonë gjykata\", ka precizuar Kastrati. Në këtë mënyrë, procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave është tej mase i ngadaltë dhe i zgjatur në kohë, duke qenë gjithmonë jashtë afateve, ndërkohë që shumë evidentime dhe procedura të tyre, kërkohen shumë shpejt dhe në mënyrë ligjore.





Email This
Klikime: 16