Fabrika e Aluminit derdh mbetjet e saj në liqen. Banorët: Fëmijët janë infektuar që lahen, ndotja duket me sy të lirë





SHKODËR- Liqeni Shkodrës nuk ndotet vetëm në anën shqiptare, nga mbeturinat apo ujërat e zeza që derdhen në të, por ndotësi kryesor i tij është Kombinati i Aluminit të Malit të Zi.





Kjo pohohet jo vetëm nga OJF -të mjedisore të Shkodrës, por dhe nga specialistë e institucione në të dy vendet. Madje në Mal të Zi, ka pasur dhe protesta e peticione kundër këtij problemi shqetësues nga shoqëria civile, mediat dhe OJF-të mjedisore që veprojnë atje.





Kombinati i Aluminit në Podgoricë është ndotësi më i madh dhe kryesor i liqenit të Shkodrës dhe shqetësimi prej vitesh i është bërë prezent edhe organizmave ndërkombëtarë. Në sipërfaqen e liqenit, edhe në pjesën shqiptare, vazhdimisht vërehet shtresa e hirtë e aluminit në ujë.





Shqetësimi ngrihet nga REC i Shkodrës, si dhe nga banorët në të dy anët e këtij liqeni. Ky problem është ngritur prej kohësh, por asnjë institucion ende nuk ka ndërhyrë për të marrë masat e duhura në mënjanimin e rrezikut që vjen nga ndotjet që vijnë nga Mali i Zi.





Banorët që jetojnë në pjesën shqiptare të liqenit, kryesisht në Shegan, Stërbeq etj, paraqesin shqetësimin e tyre duke pohuar se fëmijët e këtyre zonave janë të parët që fillojnë të lahen që më një maj në ujërat e liqenit.





Vetëm disa ditë nga plazhi i tyre në liqenin e Shkodrës kanë filluar shenjat e para në trupin e tyre të shkaktuara nga ndotjet. Banorët e zonave përgjatë liqenit të Shkodrës shprehen se fëmijëve kanë filluar t'u dalin puçrra dhe kanë kruajtje lëkure.





Për këta banorë problemi krijohet nga ndotjet që vijnë nga kombinati i aluminit në Mal të Zi. Këto ndotje vihen re me sy të lirë sidomos gjatë stinëve të ngrohta, kur dhe problemi shtohet edhe më tepër.





Në Mal të Zi, kombinati i Aluminit ka gjashtë puse dhe nëpërmjet tyre derdhen mbeturinat e këtij kombinati. Lënda nga gjashtë puset derdhet në lumin Moraça të Malit të Zi për të vijuar udhën drejt ujërave të liqenit të Shkodrës.





Derdhja e këtyre mbetjeve ngrihet si problem që në vitin 2000, kur u konstatuan problemet e para tek banorët që e frekuentonin më shumë se të tjetër plazhin në liqenin e Shkodrës. Më pas në vitin 2001, Mali i Zi solli një specialist nga Italia për të bërë analizat. Konkluzionet e këtij specialisti nxorën se kombinati i Aluminit nuk përbënte rrezik.





Përfundimi i këtyre analizave gjeti mbështetjen edhe të specialistëve malazezë, të cilët theksuan se mbetjet e Kombinatit nuk ndotin ujërat shqiptarë të liqenit të Shkodrës. Pavarësisht këtyre konkluzioneve, specialistët e REC Shkodër shprehen se rreziku i ndotjes nga Kombinati i Aluminit të Malit të Zi vazhdon të jetë prezent në liqenin e Shkodrës.





Djana Bjeko, koordinatore e kësaj agjencie për Shkodrën shprehet se projektet janë bërë nga donatorë të fuqishëm ndërkombëtarë dhe pritet që ato të ndërhyjnë në pjesën malazeze për të shpëtuar liqenin. Përmbajtja e aluminit në i ujin e liqenit, ka dëmtuar mjaft dhe faunën e florën e tij.