Prefekti i Shkodrës, Magjid Cungu, jep alarmin se peshku në liqenin e Shkodrës është drejt zhdukjes. Në një takim pune me drejtues të Drejtorisë së Ushqimit dhe Bujqësisë në Shkodër, prefekti Magjid Cungu ka bërë prezente situatën në liqenin më të madh në Ballkan, atë të Shkodrës.



Sipas Cungut, speciet e rralla bimore e shtazore po zhduken e në veçanti peshku, ai i familjes së krapit. Arsyet kryesore, sipas prefektit, janë gjuetia pa kriter në kohen e shumimit apo më keq, përdorimi i mjeteve shfarosëse për kapjen e peshkut si energjia elektrike apo lëndët plasëse. Në këtë takim pune, prefekti u ka kërkuar inspektorëve të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit të marrin masa për parandalimin e kësaj situate dhe vënien përpara përgjegjësisë të të gjithë atyre që peshkojnë në mënyrë të kundërligjshme. "Tani është periudha kur peshku ka kohën shumimit, ndaj nuk duhet të lejohet asnjë person që të peshkojë", u tha prefekti inspektorëve të peshkimit. Më tej, ai është treguar mjaft i rreptë me inspektorët, jo vetëm për ndalimin e gjuetisë së paligjshme të peshkut, por edhe për mënyrën se si ai tregtohet në rrugët e Shkodrës jashtë çdo kriteri.



Sipas një studimi të organizatës joqeveritare "The door", situata në liqenin më të madh në Ballkan është alarmante. Sipas kësaj organizate, çdo ditë nga liqeni i Shkodrës nxirren 3 tonë peshk të vrarë me anë të energjisë elektrike. Kjo mënyrë gjuetie i ka dëmtuar së tepërmi gjallesat ujore, sidomos peshqit. Fondet në miliona euro të dhëna nga donatorët e huaj, sipas kësaj organizate, nuk kanë ndikuar aspak në parandalimin, mbrojtjen apo ndalimin e këtij fenomeni. Me kushtet aktuale që kanë forcat "Renxhers" që mbrojnë liqenin, është e pamundur të kontrollohet një sipërfaqe kaq e madhe. Por, i çuditshëm është fakti se si shoqata të ndryshme kanë fituar projekte deri në 5 milionë euro për ta mbrojtur atë apo për të investuar në mirëmbajte dhe asgjë nuk është bërë. Madje, sot liqeni i Shkodrës është ndarë në parcela, parcela si një sipërfaqe toke. Sikur të mos mjaftonin gjeneratorët e energjisë elektrike, një dëmtim i madh që po i bëhet liqenit është edhe peshkimi në sezonet kur kjo është e ndaluar. Sipas studimit të "The door", zona më e prekur e liqenit të Shkodrës është në zonën e quajtur "gropat e livadheve".



Liqeni i Shkodrës është më i madhi në Ballkan. Sipërfaqja e tij është 368 km katrorë dhe perimetri 207 km. Në territorin shqiptar janë 149 km katrorë liqen dhe thellësia mesatare është 8-9 m. Në liqenin e Shkodrës numërohen afro 850 specie bimore dhe 600 specie shtazore, ndërsa janë numëruar deri në 281 specie shpendësh, si dhe janë evidentuar 20 specie bimore dhe 123 specie shtazore ujore të kërcënuara. Në këtë numër përfshihen lloje të rralla me vlera shkencore, endemike, zhdukja e të cilave mund të shkatërrojë përfundimisht liqenin. Territori i liqenit të Shkodrës, që ndodhet në Malin e Zi, prej vitesh është shpallur Park Kombëtar dhe ruhet me mjaft fanatizëm nga shteti malazez.