Të tjera rreth shkrimit Ja 26 udhëzimet për testimin me shkrim
TIRANË - Ministria e Brendshme ka sqaruar gjatë ditës së sotme disa prej procedurave për tu regjistruar si kandidat për Shkollën e Policisë, duke shpjeguar se, është zgjidhur edhe problemi i dëshmive të penalitetit. Gjithashtu ministria ka sqaruar edhe detaje të tjera në lidhje hapa të tjerë që duhet të ndjekin të rinjtë për regjistrim në Shkollën e Policisë.
 
“Lidhur me dëshminë e penalitetit, sqarojmë se kandidatët mund të dorëzojnë të plotësuar formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore së bashku me autorizimin për kontrollin e vërtetësisë së të dhënave të deklaruara në këtë formular. Të dhënat e tyre do të kontrollohen më pas nga Policia dhe nëse rezulton se aplikanti ka paraqitur të dhëna jo të sakta, atëherë ai do të përjashtohet nga procesi”, bënë të ditur burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme.
 
Sipas këtij institucioni, çelja e procesit të aplikimit për të ndjekur studimet në Shkollën e Policisë ka ngjallur një interes mjaft të madh tek të rinjt dhe të rejat që dëshirojnë të bëhen pjesë e skuadrës së Policisë së Shtetit.
 
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, që prej fundit të muajit dhjetor kur u çel procesi, kanë informuar në vijimësi lidhur me mënyrën e aplikimit dhe konkurrimit.
 
“Nisur nga interesimi i madh si dhe një numër pyetjesh që kanë ardhur nga qytetarët në adresat e internetit të MPB dhe Policisë së Shtetit po bëjmë një përmbledhje të gjithë informacionit të nevojshëm lidhur me këtë proces, të organizuar sipas pyetjeve të publikut”, bënë të ditur burime e Ministrisë së Brendshme.
 
PYETJE-PËRGJIGJE PËR KANDIDATËT NË SHKOLLËN E POLICISË:
 
1. Kur përfundojnë aplikimet për konkurrim?
Aplikimet përfundojnë në datë 20 janar 2014.
 
2. Ku bëhen aplikimet?
Aplikimet bëhen pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe.
 
3. Çfarë dokumentesh duhen për të aplikuar për në Shkollën e Policisë?
Dokumentet që duhen paraqitur janë:
•          Formulari i plotësuar i aplikimit;
•          Fotokopje e pasaportës ose letërnjoftimit ID;
•          Kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme;
•          Dëshmi penaliteti (Formular vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore);
•          Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B e cila, për gjininë më pak të përfaqësuar, mund të paraqitet në një afat kohor deri në 12 muaj pas fillimit të shkollës bazë të policisë. Nëse aplikantët nuk e paraqesin këtë dokument brenda 12 muajve, lirohen nga Policia e Shtetit.
 
4. Si zgjidhet çështja e Dëshmisë së Penalitetit, e cila do kohë të merret?
Lidhur me dëshminë e penalitetit, sqarojmë se kandidatët mund të dorëzojnë të plotësuar formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore së bashku me autorizimin për kontrollin e vërtetësisë së të dhënave të deklaruara në këtë formular. Të dhënat e tyre do të kontrollohen më pas nga Policia dhe nëse rezulton se aplikanti ka paraqitur të dhëna jo të sakta, atëherë ai do të përjashtohet nga procesi.
(Bashkëlidhur këtij materiali do të gjeni formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore dhe autorizimin përkatës)
 
5. Kur do të zhvillohet testimi?
Testi me shkrim është faza e parë e konkurrimit të kandidatëve të interesuar dhe do të zhvillohet në datë 3 Shkurt.
 
6. Ku do të zhvillohet testimi?
Vendi se ku do të zhvillohet testimi do të përcaktohet në përfundim të procesit të aplikimit. Pasi të mësohet saktësisht numri i pjesëmarrësve të konkurs, në varësi të këtij numri do të caktohen edhe mjediset se ku do të zhvillohet testimi.
 
7. Çfarë do të përmbajë testi me shkrim?
Testi do të hartohet nga Ministria e Arsimit dhe synon të testojë njohuritë e përgjithshme të marra nga kandidatët gjatë studimeve në shkollën e mesme.
 
8. Si do të jetë i organizuar materiali i testimit?
Pyetjet e testit do të jenë me alternativa, nga ta cilat kandidatët duhet të zgjedhin alternativën e drejtë. Testi do të jetë në formën e një formulari me disa faqe, ku konkurrentët duhet të plotësojnë vetëm kuadratet e alternativave sipas pyetjeve dhe asgjë tjetër.

9. Kush do ti shqyrtojë testet pas konkurrimit për të nxjerrë rezultatet përfundimtare?
Korrigjimi i testimit do të bëhet në mënyrë të automatizuar përmes skanerit dhe kandidatët do të njihen brenda ditës me rezultatin e testimit me shkrim.
 
10. Si do të vijojë ecuria e procesit të konkurrimit për në Shkollën e Policisë?
Kandidatët që do të shpallen fitues të testimit me shkrim do t’i nënshtrohen fazave të tjera të testimit. Për çdo fazë të konkurrimit kandidatët do të njoftohen në vazhdimësi për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të tyre.
 
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme për çdo paqartësi lidhur me këtë proces, kandidatët mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit dhe Menaxhimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe mund të shkruajnë email në adresën policiaeshtetit@asp.gov.al.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com