Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Udhëzimin për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor 2010-2011 në arsimin profesional e teknik ka përcaktuar programet mësimore të lëndëve të kulturës së përgjithshme dhe të lëndëve profesionale në sistemin APT. Ministria ka kërkuar nga drejtoritë arsimore rajonale krijimin e kushteve, klasave, laboratorëve, dhe përzgjedhjen e specialistëve në 12 shkollat ku do të hapen degët e reja.

Shkollat

Shkollat ku do të hapet dega e reja të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) për vitin shkollor 2010-2011, janë shkolla “Nazmi Rushiti” në Dibër; “Sali Ceka” në Elbasan; “Stiliano Bandilli” në Berat dhe në shkollën “Petro Sota” në Fier. Po kështu degët e reja të TIK do hapet në Kukës në shkollën “Havzi Nela”, në Lezhë në shkollën “Kolin Gjoka”, në Gjirokastër në shkollën “Thoma PANO”, si dhe në shkollën “Bujqësore Kamzë” në Tiranë-Qark. Gjithashtu në Kavajë do jetë shkolla “26 Marsi”; “Mekanike Bujqësore” në Lushnjë, në Sarandë shkolla “Antoni Thanas” dhe në Pogradec “Enver Qeraxhi” . MASH së bashku me DAR-et dhe shkollat profesionale me mbështetjen e Agjencisë së Arsimit dhe Formimit Profesional zhvilloi projektin e hapjes së degëve TIK për herë të parë në këto shkolla profesionale të rretheve të vendit tonë. Aktualisht, degë të tilla kanë vetëm në 5 shkolla nga 49 shkolla profesionale në shkallë vendi. MASH u ka kërkuar drejtorive arsimore rajonale të bëjnë sigurimin dhe përshtatjen e mjediseve për klasa mësimore dhe laboratorët. Programet mësimore në arsimin profesional do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Në degët e reja TIK, sipas udhëzimit duhet të krijohen klasa me jo më pak se 25 nxënës. Do të bëhet përzgjedhja e nxënësve që regjistrohen në këtë degë si dhe e specialistëve, mësues e instruktorë që do të zhvillojnë lëndët teknike. Mësuesit dhe instruktorët e degëve të reja të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit,që do të zhvillojnë lëndët dhe praktikat profesionale në këtë degë do të trajnohen gjatë gjithë vitit.

Arsimi

Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka dhënë prioritet Arsimit Profesional. Sipas Zëvendësministres Nora Malaj, tendencë pozitive këtë vit është arsimi profesional, dhënia e stimulit pozitiv për nxënësit që regjistrohen në degët profesionale. Stimuli ka të bëjë me dhënien e bursës, transportit apo trajtimeve të veçanta pasi po punohet për rritjen e numrit të të rinjve në degët e arsimit profesional. Të gjithë nxënësit që zgjedhin të frekuentojnë shkollat e mesme profesionale, do të trajtohen me bursa nga shteti. Ky është stimulimi që do të përdoret nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, me qëllim "thithjen" e një numri të konsiderueshëm në këto shkolla. Bursat janë parashikuar për disa kategori. Sipas Planit të Integruar të Ministrisë së Arsimit, objektivat janë që të mbështeten me bursa të gjithë nxënësit nga 16 rrethe të vendit, që zgjedhin të regjistrohen në arsimin profesional. Një stimul i tillë do të jepet edhe për nxënësit që mësojnë në profilet bujqësi, veterinari, ndërtim dhe pyje. MASH synon ta çojë frekuentimin në arsimin profesional në masën 24 për qind. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka deklaruar se synon futjen e sistemit të kualifikimit të para-punësimit për specialistët e arsimit profesional dhe social-kulturor. Gjithashtu, premtohet zhvillimi dhe fuqizimi i arsimit profesional dhe social-kulturor në varësi të nevojave të tregut të punës.



Arsimi Profesional e Teknik, 45 specialitete kryesore

Nxënësit në shkollat Profesionale e Teknike përgatiten për rreth 45 specialitete. Nga të dhënat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës rezulton se aktualisht në shkallë vendi funksionojnë rreth 70 shkolla të arsimit tekniko–profesional dhe social-kulturor, të ndara në këto fusha kryesore: Elektro-mekanike, Ekonomike, Ndërtim-mobilierie, Bujqësi, Pyje dhe Veterinari, Gjuhë të huaja, Art, Sport dhe Pedagogji. Numri i nxënësve të regjistruar në këto shkolla përbën rreth 20 për qind të numrit të nxënësve që përfundojnë arsimin bazë. Në vend numërohen rreth 41 shkolla të arsimit teknik e profesional, si dhe 33 shkolla social - kulturore (5 nga të cilat janë bashkë me shkolla tekniko - profesionale), të shpërndara në 22 rrethe të vendit. Në zonat rurale funksionojnë 3 shkolla të mesme profesionale, me drejtim kryesor bujqësi-agrobiznes. Shkollat e arsimit parauniversitar Profesional e Teknik janë të ndara në 4 fusha kryesore. Në fushën elektro-mekanike përfshihen 19 shkolla, në atë ekonomike 9 shkolla, në ndërtim-mobilieri 4 shkolla dhe në fushën bujqësi, pyje, veterinari funksionojnë 9 shkolla.

Programet mësimore të lëndëve në Arsimin Profesional

Ministria e Arsimit udhëzon që në kuadër të reformimit të Arsimit Profesional e Teknik, në vitin shkollor 2010-2011, në klasat e para dhe të dyta të shkollave profesionale të punohet me skeletkurrikulat e nivelit të parë (2-vjeçar). Programet mësimore të lëndëve të kulturës së përgjithshme dhe të lëndëve profesionale në sistemin APT. Programet mësimore të lëndëve të kulturës së përgjithshme për shkollat e Arsimit Profesional e Teknik, do të zhvillohen sipas planeve mësimore të miratuara nga MASH, të cilat bazohen në programet e gjimnazit, duke bërë ndryshimet dhe përshtatjet përkatëse. Këto programe janë në një botim të veçantë të IZHA-s të publikuar një vit më parë, i cili do t’u shërbejë drejtuesve dhe mësuesve për organizimin dhe drejtimin e punës në shkollat përkatëse. Pjesë përbërëse të skeletkurrikulave për çdo drejtim mësimor janë, Lëndët e kulturës profesionale, modulet e praktikave profesionale të detyruara dhe modulet e praktikave profesionale me zgjedhje të detyruar. Për profilin Instalues Hidrosanitar, MASH udhëzon shkollat të punojnë me skeletkurrikulën përkatëse përgatitur me mbështetjen e specialistëve të Programit Zviceran AlbVet, në bazë të cilit drejtoritë e shkollave, së bashku me departamentet e lëndëve profesionale, të përgatisin kurrikulin shkollor të klasës së dytë.







14 Gusht 2010