Janë shpallur tre fituesit e Olimpiadës së Fizikës, e cila u zhvillua më datë 22 mars në gjithë shkollat e mesme të vendit. Ministria e Arsimit publikoi dje tre emrat e fituesve që janë:



Navin Asimi, nxënës i shkollës "Ismail Qemali në Tiranë, fitues i vendit të parë. Ndërsa i dyti renditet Rafael Shehu nga shkolla "Qemal Stafa". Fitues i vendit të tretë u shpall Enis Agaj nga shkolla "28 Nëntori" prej qytetit të Shkodrës.



Në këtë olimpiadë morën pjesë qindra nxënës, ndaj Ministria e Arsimit u bën thirrje atyre që kërkojnë të ankimojnë rezultatet, të paraqiten pranë katedrës së fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Afati përfundimtar kur mund të bëjnë ankesën është data 5 prill. Nxënësit mund të marrin informacion mbi rezultatin e tyre në olimpiadë, si edhe sqarimet përkatëse, duke kontaktuar profesorët Bejo Duka, Zemin Mula dhe Antoneta Deda.



Krahas tre fituesve të çmimeve të para në këtë olimpiadë u shquan edhe nxënës të tjerë, që dolën me rezultate mjaft të mira. Ndaj, MASH-i kërkon t‘i inkurajojë nëpër aktivitete të ngjashme. Ata janë Klaudia Peqini, nxënëse e shkollës "Aleksandër Moisiu" në Kavajë, Erand Smakaj, nxënës i shkollës "28 Nëntori" në Shkodër dhe Julian Gjipali, nga shkolla "Perla" në Vlorë.



MASH-i organizon çdo vit nëpërmjet Drejtorive Arsimore Rajonale, 5 olimpiada kombëtare në lëndët: matematikë, informatikë, fizikë, biologji dhe letërsi. Çdo vit nga këto konkurse spikasin dhe nderohen me çmime rreth 150 nxënës të talentuar të moshave nga 14 - 18 vjeç. Deri më sot, Shqipëria ka marrë pjesë në 23 olimpiada ballkanike dhe 7 botërore. Rezultatet pozitive të nxënësve në aktivitetet shkencore jashtë shtetit, tashmë janë bërë një realitet i pranueshëm nga juritë ndërkombëtare.



Tre fituesit



Vendi I Navin Asimi, shkolla "Ismail Qemali" Tiranë



Vendi II Rafael Shehu, shkolla "Qemal Stafa" Tiranë



Vendi III Enis Agaj, shkolla "28 Nëntori" Shkodër