Formula si llogariten pikët përkatëse


Këtë vit do të pranohen mbi 20.000 studentë të rinj





Çdo maturant është njohur zyrtarisht me rezultatet e dy provimeve me zgjedhje. Pas 18 ditësh specialistët e AVA-s përfunduan së korrigjuari provimet duke shpallur zyrtarisht rezultatet. Tashmë secili kandidat pretendent për student mund të bëjë një llogaritje të thjeshtë në bazë të formulës së dhënë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbi pikët e marra në total për të fituar një degë të universitetet e vendit.


Përllogaritja e pikëve


[(D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2], ku: Ksh – është koeficienti i shkollës, K1 – koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 – koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje. Secili nxënës mund të llogarisë afërsisht sa pikë mund të fitojë, duke njohur vlerësimet e veta (parashikimet), pra duke vetë vlerësuar veten. Në këtë mënyrë do të orientohet më mirë për të kërkuar programin e studimit që dëshiron të vazhdojë në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik. Renditja dhe shpallja e fituesve për programet e studimit, të cilat kishin si kusht edhe konkursin e veçantë, si Arkitektura, Edukimi Fizik, degët e Akademisë së Arteve etj., është bërë me formulë tjetër matematike. Në këto raste është marrë parasysh pikëzimi në konkurse, përveç pikëve të marra në provimet e Maturës Shtetërore.


SHEMBULL 1


Drita dëshiron të konkurrojë për programin e studimit Farmaci në Universitetin e Tiranës. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme të profilizuar në profilin natyror dhe ka notën mesatare të katër viteve M = 8.





Në dy provimet e detyruara ka këto rezultate:


1. Në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe D1 = 8.52


2. Në Matematikë D2 = 8.5





Ajo ka zgjedhur të japë si provime me zgjedhje lëndët Fizikë dhe Biologji, ku pretendon të marrë këto rezultate:


1. Në Fizikë Z1 = 9


2. Në Biologji Z2 = 8.7





Në Tabelën e koeficienteve Drita gjen se për programin e studimit Farmaci, profili natyror i shkollës së mesme e ka koeficientin Ksh = 1.4.


Në këtë rast, Drita do të bëjë këto llogaritje:


[D1(nota në Gjuhë Letërsi) +D2 (nota në Matematikë) + M (Nota mesatare e shkollës së mesme)] x Ksh (koeficienti i shkollës) = (8.52 + 8.5 + 8) x 1.4 = 25.02 x 1.4 = 32.20





Në tabelën e koeficienteve, Drita gjen se për provimet me zgjedhje koeficientet janë:


Për lëndën Fizikë K1 = 1.3. për lëndën Biologji K2 = 1.3.





Në këtë rast, Drita do të bëjë këto llogaritje:


Z1 (nota në Fizikë) x K1 (koeficienti për Fizikën) + Z2 (nota në Biologji) x K2 (koeficienti për Biologjinë) = 9 x 1.3 + 8.7 x 1.3 = 11.7 + 11.31 = 23.01





Drita mbledh dy rezultatet e gjetura: 32.20 + 23.01 = 55.21. Këtë rezultat e shumëzon me 100 dhe merr 5521.0 pikë.


Pra, Drita është në kuotën e 5500 pikëve.


Dëshira e Dritës është të ndjekë programin e studimit Farmaci.


Nga tabela e fituesve të fundit të vitit të kaluar, Drita shikon se fituesi i fundit në Farmaci është me 5799.3 pikë. Në këtë rast, vendosja e programit të studimit Farmaci si preferencë e parë, do të thotë që mundësitë e shpalljes fitues janë të pakta.


Si duhet të veprojë Drita për të vendosur preferencat?


Mendojmë se Drita e vendos programin e studimit Farmaci si preferencë të parë dhe me këto rezultate nuk fiton. Ka dhe 9 preferenca të tjera për të zgjedhur, që është mirë t’i plotësojë, pasi janë 9 mundësi që nuk duhet t’i humbë.


Cilat të zgjedhë?


Nga rezultatet e vitit të kaluar (tabela e fituesve të fundit), ajo shikon se me 5500 pikë janë në grupin e fituesve (i fundit ka më pak se 5500 pikë) kandidatët që kanë kërkuar të gjitha programet e studimit të Universitetit të Tiranës, përveç programeve të studimit Mjekësi (i fundit me 5721.4 pikë), Stomatologji (i fundit me 5857.5 pikë), Farmaci (i fundit me 57993 pikë).


Atëherë Drita mund të rendisë në 9 preferencat e tjera cilëndo nga programet e studimit të Universitetit të Tiranës, përveç tri të mësipërmeve. Por edhe këtu duhet pak kujdes. Në të nëntë preferencat Drita renditet si fituese, por përcaktohet fituese në preferencën më të lartë, pra në preferencën e dytë. Nëse në këtë preferencë ka shënuar një program studimi që nuk e ka për zemër, këtë duhet ta mendojë mirë.





SHEMBULL 2


Agimi ka mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme (03), me një notë mesatare të shkollës së mesme M = 6. Në të gjitha provimet e detyruara dhe me zgjedhje, rezultatet e tij janë rreth notës 6. Pasi bën llogaritjet, si në rastin e Dritës, me koeficientet përkatës të tij, mendojmë se arrin në rreth 3200 pikë.


Si do ta këshillonim Agimin të plotësonte preferencat e programeve të studimit?


Duke u orientuar nga tabela e pikëve të fituesit të fundit për çdo program studimi, Agimi nuk duhet të vendosë në preferenca, programe studimi ku fituesi i fundit ka më shumë pikë se 3200.


Nëse ai plotëson të dhjetë preferencat me programet e studimit si: Juridik, Mjekësi, Stomatologji, Farmaci, Histori, Anglisht, Psikologji, Shkenca Sociale, Inxh. Informatike, Inxh. Elektronike, është e sigurt se Agimi nuk fiton në asnjë nga këto preferenca, pra nuk fiton të drejtën për të studiuar në universitetet e vendit.