Përfundoi korrigjimi i testeve të provimit të gjuhë-letërsisë për të gjithë nxënësit e klasave të nënta. Provimi i Gjuhës Shqipe dhe ai i Leximit Letrar u krye disa ditë më parë nga klasat e 9-ta dhe ishte i pari provim në bazë të provimeve të lirimit për sistemin 9-vjeçar. Sipas drejtuesve të drejtorive arsimore është bërë e ditur se të gjitha rezultatet e këtij provimi do të afishohen gjatë ditës së nesërme në ambientet e këtyre shkollave në të gjitha rrethet.

Puna e fundit që ka mbetur për t'u bërë është kthimi i pikëve në nota, proces i cili ka vonuar edhe kohën e daljes së rezultateve. Deri më tani, bëhet e ditur se, nga rezultatet paraprake, kanë rezultuar mbetës në provimin e parë të lirimit, një numër i vogël nxënësish. Ndërkohë që bëhet e ditur se niveli i nxënësve pjesëmarrës në këtë test ka arritur deri në atë mesatar. Shkak për këto rezultate është bërë edhe shkalla e vështirësisë së formulimit të tezës e cila nuk ka qenë në lartësinë e duhur ndaj edhe niveli i nxënësve nuk e ka kaluar dot nivelin mesatar.
Pikët e testiti do të konvertohen në nota
Çdo nxënës do të marrë notën e tij përkatëse në bazë të pikëve të grumbulluara në përgjigjet e dhëna. Secila pyetje ka pasur një vlerësim me një numër të caktuar pikës dhe çdo notë është përfaqësuar me numrin e pikëve të mbledhura në të gjithë tezën e provimit. Njëkohësisht me rezultatet për çdo nxënës, specialistë të arsimit kanë zbardhur edhe skemën e konvertimit të pikëve të fituara në test në nota, të cilat do të shënohen në dëftesën e pjekurisë që do të jepet në përfundim të të gjithë ciklit shkollor 9-vjeçar. Tashmë kjo skemë u ka kaluar edhe drejtorive të shkollave 9-vjeçare, të cilat do të bëjnë edhe kthimin e pikëve. Në bazë të informacioneve të dhëna deri më tani është bërë e ditur që për të marrë një notë mbi mesataren, një nxënës duhet të ketë mbledhur të paktën 40 pikë. Drejtues të shkollave kanë bërë të ditur se në bazë të skemës së sjellë nga Drejtoria Arsimore, do të vlerësohen me notën 10 vetëm nxënësit, të cilët gjatë zhvillimit të testit kanë grumbulluar 50 pikë. Kjo shkallë vlerësimi do të ndiqet edhe për notat e tjera, ku, nxënësit të cilët kanë marrë 45 pikë, do të vlerësohen me notën 9, ndërsa ata që kanë marrë 42 pikë, do të marrin në përfundim të testimit notën 8. Vlerësimi i mësipërm do të vlejë për nxënësit të cilët kanë arritur të kenë performancë të lartë në zhvillimin e testit. Nxënësit, të cilët nuk kanë arritur të marrin më shumë se 25 pikë nga 50 të mundshmet në test do të vlerësohen me notën 7, ndërsa ata që kanë grumbulluar më pak se 10 pikë do të vlerësohen me notën 4, që ndryshe do të thotë se duhet të rijapin edhe njëherë në sezonin e vjeshtës provimin e parë të lirimit.
Pas marrjes së rezultateve çdo nxënës ka të drejtën e ankimimit
Të gjithë nxënësit, të cilët kanë ankesa për vlerësimin e marrë në testin e parë të provimit të lirimit, do t'u jepet mundësia të rishikohet edhe njëherë testi nga e para. Drejtues të shkollave informuan se nxënësit mund të ndërmarrin këtë hap menjëherë pasi të njihen me rezultatin. Ankimimi do të bëhet fillimisht në shkollën ku nxënësi ka dhënë provimin e lirimit, ndërkohë që rikorrigjimi do të bëhet nga Drejtoria Arsimore përkatëse, në bazë të skemës së korrigjimit që ka marrë nga AVA. Ajo që bëhet e ditur është se, në ndryshim nga Matura Shtetërore, nxënësit të cilët do të paraqesin kërkesën për rikorrigjimin e testit, nuk do të paguajnë tarifë për të kryer këtë veprim.