Jonida Tashi



Shpallen rezultatet e testit special për ndjekjen e studimeve master në Fakultetin Ekonomik. Lajmi bëhet i ditur nga dekani i këtij fakulteti, Omer Stringa, i cili thekson se kjo është prova e parë që duhet të kalojë një aplikant për të vazhduar masterin në këtë fakultet. Gazeta “Albania” boton sot të plotë listën me pikët e marra nga 516 konkurruesit. Stringa sqaron se testi special për tu pranuar në studimet e këtij niveli është formuluar sipas testeve që bëhen në shkollat amerikane për biznes. “Megjithëse ka qenë një test relativisht i vështirë, rezultatet kanë qenë të kënaqshme”, - pohon dekani i ekonomikut. Në Fakultetin Ekonomik për të vazhduar studimet “Master” kanë konkurruar gjithsej 516 kandidatë. Pavarësisht propozimit të bërë nga drejtuesit e këtij fakulteti për kuotat e pranimit do të jetë qeveria ajo që do të marrë vendimin final për këto kuota. Sipas dekanit Stringa, çdo kurs për ndjekjen e masterit duhet të ketë 37 persona. Bazuar në këtë propozim, sipas një llogaritjeje të thjeshtë, që numri i studentëve për çdo klasë të shumëzohet 6 lloje masterash që ofron Ekonomiku, pritet që numri i pranimeve për studimet “Master” në këtë fakultet të jetë 222 kandidatë. Por ekziston mundësia që këtë vit për “Master” në Fakultetin Ekonomik të pranohen edhe më shumë kandidatë se shifra e përllogaritur. Për këtë, Omer Stringa bën të ditur se i ka bërë kërkesë Ministrisë së Arsimit për të rritur numrin e pranimeve.

Pikët

Aplikantët që kanë marrë pikët më të larta në testin special do të kenë më shumë shanse për nisjen e masterit. Hartuesit e këtij testi special kanë përcaktuar edhe pikët maksimale që duhet të marr një konkurrues. Kështu, në total testi është vlerësuar me 60 pikë, të cilat nga rezultatet e publikuara nuk janë marrë nga asnjë kandidat. Ndërsa pikët maksimale që janë vendosur nga specialistët e Ekonomikut për pranimet në studimet “Master” janë 100. Dekani Stringa shpjegon se ky numër maksimal pikësh është i ndarë në tri pjesë. Mesatarja e diplomimit, e cila duhet të jetë mbi notën tetë do të vlerësohet me 25 pikë. Sipas kësaj logjike, pikët maksimale për mesataren do ti marrin vetëm aplikantët që kanë mesataren më të lartë, ndërsa llogaritja e pikëve të mesatares për të aplikuesit e tjerë do të jetë në rend zbritës. Me prioritet për të vazhduar masterin në Fakultetin Ekonomik do të shihet edhe intervista që do të zhvillohet me secilin aplikant dhe që do të vlerësohet me 15 pikë. Po ashtu, dosjet e aplikantëve të dorëzuara në zyrën e masterave do të kenë peshën e tyre specifike për tu përzgjedhur ose jo fitues. Aktualisht, specialistët e masterave në Fakultetin Ekonomik kanë nisur shqyrtimin e këtyre dosjeve. Stringa pohon se studimet “Master” në Fakultetin Ekonomik do të nisin pas marrjes së vendimit të qeverisë për kuotat dhe tarifat për këto studime.

Tarifat

3 milionë lek në vit ose 200 mijë lekë për çdo provim është tarifa e propozuar nga drejtuesit e Fakultetit Ekonomik për studimet “Master”. Megjithëse një shumë lekësh tepër e vështirë për tu përballuar nga shtresa e mesme dhe e ulët e shoqërisë, për mjaft emra të njohur që kanë konkurruar për master në Fakultetin Ekonomik, kjo shifër është më e lehtë për tu përballuar. Madje, për pedagogët e Fakultetit Ekonomik si dhe për ata që japin mësim në dy filialet e tij në rrethe ofrohen edhe lehtësira nga fakulteti. Për raste të tilla fakulteti ka të drejtë të vendos ulje tarifash. “Për pedagogët e fakultetit bëhen ulje tarifash, pasi ata janë pjesë e këtij stafi”, - shprehet Stringa. Programi Master pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, ofron Diplomën “Master” në Ekonomi, në specialitetet MBA, MPA, MSEE, MMK, MK, MF. Sipas drejtuesve, ai është projektuar në përputhje me misionin e këtij fakulteti për të siguruar një arsim të orientuar nga vlerat dhe për të rritur shërbimin ndaj komunitetit. Arsimimi pasuniversitar mund të jetë një stad i rëndësishëm në karrierën e çdo kujt.







Kërkesat e pranimit

Aplikantët e programit MBA duhet të kenë një diplomë universitare dhe njohuri të mira në matematikë, statistikë, anglisht dhe informatikë. Ata duhet të plotësojnë një formë aplikimi të shoqëruar me dokumentet e mëposhtme:

Dëshmi të gjuhës Angleze nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ose TOEFL.

Diplomë nga një universitet brenda ose jashtë vendit.

Dy letra rekomandimi nga persona të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të aplikantit. Të paktën njëri nga rekomanduesit duhet të ketë një titull ose gradë shkencore.

Lista e notave që ai ka marrë gjatë studimeve universitare ose pasuniversitare.

Taksa e aplikimit.

Taksa e aplikimit dhe ajo e ndjekjes së kursit përcaktohet nga Bordi i MBA.



Llojet e masterave

Master në Administrim Biznesi (MBA)

Master në Administrim Publik (MPA)

Master në Studime Europiane (MEES)

Master në Marketing (MMK)

Master në Kontabilitet (MK)

Master në Financë (MF)





Lista e lektorëve të programit Master



Prof. Dr. Dhori KULE

Prof. Dr. Heinz-Dieter ËENZEL

Prof. Dr. Vasilika KUME

Prof.Dr. Klaus BECKMAN

Prof. Dr. Dietmar MEYER

Prof. Dr. Sulo HADERI

Prof. Dr.Omer STRINGA

Prof. Dr. Thoma MITRE

Prof. Dr. Halit XHAFA

Prof. Dr. Suzana PANARITI

Prof. Dr. Ilia KRISTO

Prof. Dr. Ariana CEPANI

Prof. Dr. Ahmet CEMI

Prof. Dr. Ahmet MANCELLARI

Prof. Dr. Shkelqim CANI

Prof. As.Dr. Mimoza KASIMATI

Prof. Dr. Diana LAMANI

Prof. Asoc.Dr. Ardian NUNI

Prof. As. Dr. Zana KOLI

Prof. As.Dr. Andrea KOXHAJ

Prof. As. Dr. Kozeta SEVRANI (BYLYKBASHI)

Prof. As. Dr. Irena BOGDANI

Prof. As. Dr. Vita KOJA

Prof. As. Dr. Arian ABAZI

Prof. As. Dr. Liliana ELMAZI

PhD Sokol SADUSHI

LLM. Ledi BIANKU













9 Tetor 2008