17/03/2009   “Dita ndërkombëtare e trashëgimisë”


Për herë të parë përfaqëson Shqipërinë një fëmijë shqiptar 8-vjeçar me kostum popullor e flamurin kuq e zi


BEQIR SINA, Nju-Jork


Nju-Xhersi - Tanimë përbën një traditë dhe është një festival që rrëfen përmes fëmijëve trashëgiminë kulturore të gjithë botës. Edhe këtë vit në qytezën Emerson të Nju-Xhersit u mbajt festivali “Dita ndërkombëtare e trashëgimisë” për fëmijë nën emrin "One World (“Një botë”). Në edicionin e sivjetëm të këtij festivali u paraqitën me veshjet e tyre popullore dhe simbolet kombëtare rreth 25 vende: Panamaja, Filipinet, Hungaria, Kanadaja, Portugalia, Kina, Kroacia, Izraeli, Italia, Tajlanda, Arabia Saudite, India, Spanja, Meksika, Rusia, Ukraina, Polonia, Porto-Rikoja, Skocia, Armenia, Afrika e Jugut, Australia, Indonezia, Koreja e Jugut, Egjipti, Libani etj. Mes tyre për herë të parë është përfaqësuar edhe një fëmijë shqiptar i lindur në Amerikë, me kostumin popullor dhe flamurin kuq e zi të Shqipërisë.


Përfaqësimi i Shqipërisë në këtë festival u prit me shumë interes. Kostumi popullor dhe flamuri kombëtar entuziazmoi jo vetëm fëmijët shqiptarë në këtë shkollë dhe prindërit e tyre, por edhe të pranishmit, të cilët me ovacione përcollën përfaqësuesin e Shqipërisë, 8-vjeçarin Bahri Hoxha, babai i të cilit është me origjinë nga Tropoja, ndërsa nëna nga Dibra.


Ky festival konsiderohet si një aktivitet për prezantimin e traditave kulturore artistike të fëmijëve të emigruar nga vende të ndryshme të botës, të cilët nuk harrojnë për asnjë çast nga ç’vend kanë ardhur në Amerikë. Sipas drejtorit të shkollës fillore “Patrick M. Villano”, organizatore e aktivitetit, festivali ka si qëllim zgjimin e jetës kulturore të fëmijëve. Nëpërmjet këtij festivali synohet përfshirja e një numri sa më të madh fëmijësh. Po ashtu krijimi i mundësive për të provuar këto vlera kulturore edhe në mjedise të tjera të rëndësishme në SHBA.


“Dita ndërkombëtare e trashëgimisë” kulturore për fëmijët në shtetin e Nju-Xhersit është një shfaqje tradicionale e mbajtur për çdo vit. Ajo mbahet nga nxënësit që përfaqësojnë klasat e ciklit të ulët (të shkollës fillore) dhe ka një demonstrim në formë parade dhe spektakli, ku fëmijët përfaqësojnë vendet e tyre të origjinës.


Shkolla “Patrick M. Villano”, e cila gjendet në qytetin Emerson të Nju-Xhersit, ka pritur fëmijët e emigrantëve nga e gjithë bota në këtë paradë kulturore, ku fëmijët më së shumti prezantohen me veshjet popullore të vendit të origjinës. Drejtuesit e këtij festivali, që janë mësuesit e kësaj shkolle, duke ndjekur traditën e paraardhësve të tyre, thonë se suksesi i kësaj performance është në masë të madhe mësuesit, nxënësit dhe prindërit arrijnë për çdo vit të mbajnë këtë paradë folklorike. Paradë e cila tërheq në çdo edicion qindra nxënës dhe prindërit e tyre të ardhur nga vende të ndryshme të botës e që jetojnë në Amerikë. Përveçse fëmijët e tyre duhet të vishen me veshje tradicionale të vendit të origjinës nga vijnë, ata ose prindërit e tyre gjithashtu duhet të sjellin edhe diçka nga simbolet kombëtare ose të përgatitin ushqime autentike nga vendi i tyre.





.